Deputeti i PD, Luçiano Boçi, ka mbajtur një fjalë të fortë në Kuvend, pas raportimit të drejtuesit të SPAK, Altin Dumani. Boçi akuzoi institucionin e drejtësisë se ka shpallur të ‘paprekshëm’ kryeministrin Edi Rama dhe se po vepron si ‘instrument i pushtetit’.
“Kur ju lexuat pyetjen time të cunguar, pyetjen e parë, se pse SPAK e ka shpallur të paprekshëm Edi Ramën, pjesa këtu u gajas shumë. Por në fakt më shumë se sa mua, duhet të shqetësoheni ju, pasi nëse ne ju akuzojmë se jeni bërë instrumente si institucion i pushtetit, këta e dinë shumë mirë dhe e besojnë dhe nuk e çojnë fare nëpërmend që një ditë, ai kryeministër do vijë dhe do përgjigjet atje. Nuk e besojnë kurrë. Prandaj duhet të shqetësoheni”, tha Boçi.
Deputeti demokrat tha se pyetja e tij ishte cunguar qëllimisht dhe se kishte argumentuar me fakte pse Rama, sipas tij, është bërë i paprekshëm për drejtësinë.
‘Më erdhi keq, pse pyetjen time cunguat, unë kam bërë arsyetimin se, pse ai konsiderohet dhe është shpallur i paprekshën sepse qëndron në krye të aferës inceneratorëve, e ka argumentuar komisioni hetimor.
E ka ndryshuar ligjin me kërkesën e Klodian Zotos, sipas dokumenteve tuaja në dosjen e Arben Ahmetajt.
Sepse qëndron në krye të sterilizimit, sepse ju vini këtu në emër të institucionit dhe ju mbani përgjegjësi, dhe ai mban përgjegjësinë për të gjithë veprimtarinë dhe madje ka firmosur, se ishte ai që urdhëroi 17 vendime brenda një dite.
Se është po ai që është përmendur 14 herë nga drejtësia amerikane dhe kanë dalë fakte të reja për çështjen McGonigal. Dhe prandaj ne themi që është shpallur i paprekshëm. Këto le të gajasen,’ vijoi Boçi.
Në fjalën e tij, ai iu referua edhe çështjes së krimit zgjedhor në Shkodër, duke thënë se kishte dhënë indicie dhe kallëzime konkrete, por nuk ishte ftuar nga SPAK për të dëshmuar.
‘Mu referuat që unë kam dhënë shumë indicje. Po është e vërtetë. Edhe kallëzime dhe kallëzimet ka ardhur dhe kryetarja e PD-së në SPAK dhe madje është e intimiduar se do akuzohet për kallëzim të rremë.
Ndërsa unë personalisht nuk doja ta thoja këtë po më nxitet vetë. Ju kam kërkuar bashkëpunim personalisht për të dëshmuar situatën sensitive në Shkodër dhe kam marrë përgjigje nga asistentja juaj që nuk mund t’ju takoj.
Besoj ju ka njoftuar sepse ishte për bandat dhe angazhimin e tyre në fushatën zgjedhore dhe mua më është refuzuar takimi,’ deklaroi Boçi.
Deputeti shtoi se organet e drejtësisë duhet të kishin përdorur metodat e duhura për hetimin e indicieve që ai dhe opozita kishin dhënë.
‘Dhe po kam qenë shumë aktiv, kjo është e vërtetë, por ju duhet të përdorshit metodat e duhura kur ne bënim indicje, jo ‘shkoi policia nuk e gjeti’. Ju keni metodat e tjera të vendosjes në përgjim, kontroll, prandaj e jap indicien unë. Dhe kjo duhet të ishte bërë,’ përfundoi Boçi.
Gazeta RD