Deputetja e PD, Ina Zhupa denoncoi vendimin e mazhorancës për të shkurtuar në mënyrë drastike kohën e debatit për raportimet vjetore të institucioneve të pavarura. Sipas saj, marrëveshja fillestare në Konferencën e Kryetarëve ishte për 150 minuta, një kohë e menduar për të lejuar një diskutim të thelluar dhe pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike.
Reduktimi në 90 minuta, sipas opozitës, është një ‘uzurpim i hapësirave’ dhe një përpjekje për të shmangur debatin për tema delikate. Kërkesa e opozitës është e qartë: rikthimi te marrëveshja e 150 minutave për të garantuar një debat real dhe jo formal.
“Në konferencën e kryetarëve, kur kanë filluar diskutimet për raportimin e institucioneve të pavarura, kemi diskutuar që në krye të herës që koha e vendosur bashkarisht do të ishte 150 minuta për raportim dhe këtë nuk e kemi vendosur thjesht sepse ra bingo atij numri, por duke llogaritur që t’i jepnim mundësi edhe grupeve të vogla parlamentare që të kishin kohë për të diskutuar.
Ju sot në mënyrë unilaterale, vetëm me veten tuaj, keni vendosur që kohën ta kaloni në 90 minuta për raportim. Dhe keni, dhe keni uzurpuar hapësirat e opozitës parlamentare. 90 minuta për 140 deputetë i bie 35 sekonda për deputet në qoftë se duhet të flasin për raportimet.
Dhe grupet që kanë shtatë veta deputetë, pra grupet parlamentare, i bie tre minuta për të gjithë grupin. Dhe kjo nuk është normale aq më tepër që sot kemi INSTAT-in, që është instituti i manipulimit të të dhënave për gjendjen e inflacionit në Shqipëri, për gjendjen e popullsisë në Shqipëri, për gjendjen e bujqësisë në Shqipëri, mbi të cilat ngrihen ato politikat tuaja të rreme.
Kur ne sot kemi shërbimin civil që është kthyer në rrjetin e patronazhimit të administratës publike për hir të interesave elektorale. Dhe ne i kemi dhënë 150 minuta Agjencisë së Depozitave, Komisionerit të Mbrojtjes së Diskriminimit, ISKK-së, e institucioneve të tjera dhe jo vetëm atyre të drejtësisë.
Pra, do t’ju lutesha t’i ktheheni asaj që është dakordësuar, që të mund të marrin 150 minuta për secilin nga raportimet e institucioneve të pavarura në respektim të të drejtës së deputetëve për të folur brenda kohës së arsyeshme. Nga ana tjetër, ju mendoni se duke, seancë pas seance, duke i hequr një të drejtë opozitës, do të arrini…
Zoti Balla, njoftimi është zyrtar, në faqen e Kuvendit. Shikojeni. Është, është 90 minuta në konferencën e kryetarëve.
Dhe a do tërhiqeni? Po ju e keni marrë vendimin para një ore, tani do tërhiqeni. Tërhiquni! Do t’ju bënte nder të tërhiqeni”, tha Zhupa.
Gazeta RD