Deputetja e PD, Jorida Tabaku, denoncoi nga foltorja situatën e rëndë me të cilën po përballen minatorët, të cilët ndërkohë ishin mbledhur në protestë jashtë ambienteve të parlamentit.
Sipas deputetes Tabaku, protesta e minatorëve vjen për dy arsye kryesore. E para, ajo denoncoi një “trajtim çnjerëzor” nga ana e Policisë së Shtetit dy javë më parë, duke theksuar se punonjësit ishin tërhequr zvarrë. Ajo kritikoi heshtjen e Ministrisë së Brendshme për këtë ngjarje, duke e cilësuar të pakonceptueshme dhunën e ushtruar ndaj tyre.
“Zoti kryetar, e kam kërkuar që në fillim të seancës fjalën për dy çështje shumë të rëndësishme. Ministrja e Ekonomisë nuk është këtu në fakt, po Ministri i Brendshëm është këtu. Minatorët e Spaçit janë duke protestuar jashtë kësaj salle për dy arsye të rëndësishme. E para, për trajtimin çnjerëzor që policia e shtetit i bëri atyre dy javë më parë dhe unë nuk kam dëgjuar absolutisht asnjë koment nga Ministria e Brendshme. Është e pakonceptueshme që minatorët të merren e tërhiqen zvarrë nga drejtorët e policisë. Dhe e dyta, ministrja e Ekonomisë duhet menjëherë të takohet me përfaqësinë e tyre. E drejta e punës është e drejtë e shenjtë në këtë vend. Nuk mundet një kompani private t’i pengojë këto minatorë të organizohen, të kenë kërkesat e tyre, të protestojnë për më shumë të drejta.
Dhe kjo që po ndodh me këto minatorë është çnjerëzore. Në emër të Partisë Demokratike kam depozituar në sesionin e kaluar, do ta ridepozitoj përsëri statusin e minatorit, që qeveria refuzoi ta marri parasysh. Është një çështje shumë e rëndësishme sepse ato janë grupi i cili penalizohen më shumë, që punojnë më shumë, me kushte më të vështira. Nëntoka shqiptare është jashtëzakonisht e pasur dhe ato njerëz që punojnë me nëntokën, sot po shfrytëzohen.
Kështu që, edhe në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, i kërkoj ministrit të Brendshëm që të dali dhe të japë llogari për sjelljen çnjerëzore që policia e shtetit është sjellë me ato minatorë, si halabakë rrugësh i kanë marrë, i kanë tërhequr zvarrë punonjësit. Dhe ministres së Ekonomisë të takojë një përfaqësi të tyre dhe të diskutojnë se cilat janë problemet dhe pse këto punonjës sot po pushohen nga puna”, tha Tabaku.
Gazeta RD