Ministria shpalli fitues konsorciumin turk, i cili ishte qartazi i paracaktuar, duke skualifikuar një bashkim operatorësh shqiptarë me ofertë 12 milionë euro më të ulët dhe me shkaqe të dyshimta skualifikimi.
Sipas të dhënave nga Open Procurement, Abdulkadir Kart është pronar përfitues për 70% të kapitalit, pasi zotëron 100% të kapitalit të shoqërisë mëmë ASL.
Për Abdulkadir Kart, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku përdor një epitet “mustaqen”. Kjo u zbardh nga dosja hetimore që SPAK ka ndaj Ballukut.
Në një nga bisedat e datës 2 nëntor 2021, Berberi i shkruan Ballukut për organizimin e takimit me Abdulkadir Kart, pronar i “ASL”, të cilin e përmend me humor si “plaku i ASL”. Ai i kërkon zv.kryeministres të caktojë një ditë për takim, duke përmendur se biznesmeni kishte nënën në intubim.
Më tej, në mesazhe flitet për përgatitjen e kontratave dhe mënyrën si do të firmoseshin nga përfaqësuesit turq. Balluku kërkon që procesi të mbyllet me kujdes, duke urdhëruar që “të bëhen 5 foto, por të mos publikohen”.
Në një tjetër komunikim, kur Berberi pyet nëse duhet të jetë i pranishëm gjatë takimit me përfaqësuesin e kompanisë, Balluku i përgjigjet: “Jo jo, e kam vetem që ta vë para përgjegjësisë ‘mustaqen’.”
Abdulkadir Kart dhe lidhja me Erdogan
Abdulkadir Kart është një politikan turk. Ai u diplomua në Departamentin e Inxhinierisë Civile të Fakultetit të Inxhinierisë në Universitetin Fırat. Punoi për një periudhë si inxhinier i pavarur. Ai u zgjodh si Deputet i Partisë AK për Rize në Legjislaturën e 22-të në zgjedhjet e 3 nëntorit 2002 dhe shërbeu në Kuvendin e Madh Kombëtar të Turqisë për një mandat (3 nëntor 2002 – 22 korrik 2007).
Partia AK është partia politike e themeluar dhe drejtuar nga Recep Tayyip Erdoğan. Erdoğan ka qenë kryetar i partisë që nga themelimi i saj në vitin 2001 dhe e ka përdorur atë si platformë për të marrë pushtetin, duke shërbyer si Kryeministër i Turqisë nga 2003 deri në 2014 dhe më pas si President nga 2014 e deri më sot.
Në mediat turke, Kart përmendet edhe si komshi i Erdogan. Ai ka deklaruar se ka jetuar në të njëjtën ndërtesë me Erdogan në Ankara./ Zoom.al
Gazeta RD