Miq,
ndjekës të Piranjave,
qytetarë të Tiranës,
Njerëz që takova… dhe ata që s’më lanë t’i takoj dot.
Ju e dini – gara për Tiranën u ndal.
Dy ditë më pas, u ktheva në punë.
Nuk e kam luksin të bëj “pushime reflektuese”.
Unë kam luksin… vetëm të punoj.
Dhe të mos dorëzohem.
U ktheva te Piranjat, te kolegët e mi:
të ngre zërin, të denoncoj të keqen, të mbroj njerëzit nga keqqeverisja.
Kandidimi im kishte të njëjtin qëllim:
të çrrënjoste korrupsionin nga Bashkia Tiranë
dhe ta kthente bashkinë në shërbim të njerëzve.
Ngjarjet e ditëve të fundit po tregojnë në mënyrë dramatike se korrupsioni dhe e keqja kanë kapur palcën e pushtetit dhe që andej çdo qelizë të tij.
Është e njëjta frymë, i njëjti stil me 5D-në e Bashkisë Tiranë.
Është dëshmia më e qartë se në këtë vend
nuk ka vetëm politikanë të korruptuar.
Por ka edhe një administratë të tërë të korruptuar.
Sekretarë të përgjithshëm, drejtorë, zëvendësdrejtorë, inspektorë, specialistë,
një strukturë e tërë e ngritur vetëm për të vjedhur, për t’u pasuruar vetë dhe për të blerë vota.
Kjo qeverisje, kjo administratë, ky sistem nuk do të zgjidhë kurrë asgjë.
Sepse nuk është ndërtuar për të zgjidhur –
është ndërtuar për të vjedhur.
Prandaj unë nuk do të ndalem.
Prandaj NE nuk duhet të ndalemi.
Kurdo që të bëhen zgjedhjet – do ta rimarrim Tiranën.
Do ta pastrojmë nga ky llum.
Do ta kthejmë në një qytet që të bën krenar, jo nervoz.
Do ta kthejmë në një qytet nga i cili nuk do të duam të emigrojmë.
Do ta bëjmë prapë të dashur.
Prandaj unë u ktheva në punë.
Jo vetëm të punoj 8 orë për të mbajtur familjen time të vogël…
por për të menduar e punuar 24 orë për familjen tonë të madhe – Tiranën.
Gazeta RD