Tatëpjeta e monedhave të huaja përballë lekut, nga njëra anë po shton rezervën valutore, e në tjetrën po dëmton thesarin pasi po mblidhen më pak të ardhura nga sa ishin planifikuar.
Për shkak të shtimit të blerjeve të euros në treg nga Banka e Shqipërisë, për të frenuar një tkurrje edhe më të fortë, pra për të mos rënë më poshtë se 96 lekë, vlera më e ulët për këtë vit, rezerva valutore ka arritur në shifra të tjera rekord.
Referuar të dhënave zyrtare në fund të shtatorit të këtij viti rezerva valutore arriti në 7.2 miliardë euro, rreth 1.4 miliardë euro më shumë se në shtatorin e kaluar. Pak ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë guvernatori i Bankës së Shqipërisë deklaroi se deri në shtator janë blerë 800 milionë euro për të frenuar rënien e monedhës evropiane.
Pjesa dërrmuese e rezervës valutore mbahet në letra me vlerë, prej 5.3 miliardë euro, më pas janë depozita e monedha 1.3 miliardë euro si dhe 317 milionë euro shufra ari.
Rezerva aktivizohet në kohë të vështira, krizash apo pasigurish, dhe përdoret si për të shlyer borxhin në valutë, për të garantuar furnizim nga importi apo për të siguruar stabilitet në kursin e këmbimit. Me kaq rezervë valutore vendi arrin të mbulojë të paktën 7.3 muaj importe.
Por, forcimi i Lekut po dëmton arkën e shtetit, pasi po mblidhen më pak para nga sa ishin planifikuar. Ministria e Financave thotë se gjatë këtij viti do të mblidhen 2 miliardë e 267 milionë euro nga TVSH-ja (neto), ose 100 milionë euro më pak se plani fillestar për shkak të efektit negativ të kursit të këmbimit. Ndërsa si periudhë 9- mujore nga TVSH-ja në import u mblodhën 70 milionë euro më pak vetëm prej zhvlerësimit të euros dhe dollarit.
Gazeta RD