Si BBC manipuloi fjalimin e Trump/ Dokumentari i publikuar një ditë para zgjedhjeve

Media britanike The Telegraph ka publikuar dosjen e brendshme që ka zhytur BBC-në në krizë.

Dokumenti, i shkruar nga ish-gazetari Michael Prescott dhe i dërguar bordit të BBC-së, nxjerr në pah një sërë incidentesh që demonstrojnë paragjykim të rëndë dhe të dukshëm në raportimet e korporatës.

Ato përfshijnë prova se programi i BBC Panorama “manipuloi” një fjalim të Donald Trump-it me 6 janar 2021 për të dhënë gabimisht përshtypjen se ai bënte thirrje të drejtpërdrejtë për dhunë në ditën kur mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin e SHBA-së.

Dokumentari i publikuar një ditë para zgjedhjeve kishte shkëputur pjesë të fjalimit të Trump drejtuar mbështetësve, duke dhënë idenë se ai u bëri thirrje për dhunë mbështetësve në Kapitol, ndërkohë që videoja ëshë e manipuluar dhe pjesët janë bashkuar në dokumentar në mënyrë manipulative për të krijuar idenë e gabuar.

Prescott, i cili deri në qershor 2025 ishte këshilltar i pavarur i Bordit të Udhëzimeve dhe Standardeve Editoriale të BBC-së, thekson gjithashtu probleme serioze me raportimin e BBC Arabic për Gazën, ku në dukje i jep hapësirë të gjerë pikëpamjeve të Hamasit.

Në pjesë të tjera, ai ngre shqetësime se një njësi e reporterëve mashtrues LGBT+ po censuron mbulimin e debatit trans, dhe thekson se si shërbimi kryesor i vetë BBC-së për kontrollin e fakteve, Verify, prodhoi një raport “krejtësisht të gabuar” që sugjeronte se siguruesit e makinave ishin racistë.

Paralajmërimet e Prescott u injoruan nga drejtuesit e lartë.

Raportimi i The Telegraph mbi këtë memo ka çuar në thirrje nga Kemi Badenoch, udhëheqëse e Konservatorëve, që “shkarkohen krerët” e BBC-së. Donald Trump Jr. ka akuzuar reporterët e saj se janë “të pandershëm” dhe zëvendësministri i Jashtëm i Izraelit ka kërkuar shkarkimin e Tim Davie, drejtorit të përgjithshëm të BBC-së.

Lord Grade, kreu i rregullatorit të transmetimit Ofcom, i ka shkruar Samir Shah, kryetarit të BBC-së, duke i kërkuar të shqyrtojë “tërësisht” pretendimet, ndërsa vetë Prescott pritet të dëshmojë mbi memorandumin në një hetim parlamentar javën e ardhshme.

Si u manipulua nga dokumentari i BBC-së fjalimi i Trump-it drejtuar mbështetësve pas zgjedhjeve të vitit 2020

Ky tekst detajon shqetësimet e ngritura nga Michael Prescott, një ish-këshilltar i pavarur i Bordit të Udhëzimeve dhe Standardeve Editoriale të BBC-së (EGSC), në lidhje me një program të BBC Panorama mbi Donald Trump-in dhe pretendimet për paragjykim anti-Trump dhe manipulim të pamjeve video.

Zgjedhjet në SHBA dhe Programi “Panorama”

“Një javë para ditës së votimit, BBC transmetoi një emision special njëorësh të “Panorama” të quajtur: “Trump: Një mundësi e dytë?”

“Unë e pashë programin dhe mendova se nuk ishte as i ekuilibruar dhe as i paanshëm, dukej se mbante një qëndrim qartazi anti-Trump. Kritikët e kandidatit presidencial Republikan e tejkalonin ndjeshëm numrin e atyre që argumentonin në favor të tij. Shqyrtimi i arsyeve për popullaritetin e Trump-it m’u duk i pamjaftueshëm, duke pasur parasysh ekuilibrin e përgjithshëm të programit.

Duke pasur parasysh atë që unë e perceptova si natyrë anti-Trump të programit, natyrisht supozova se do kishte një program të ngjashëm, ekuilibrues të Panorama-s, rreth kandidates presidenciale Demokrate, Kamala Harris, javën në vijim. Mbeta i tronditur që nuk kishte.

Unë ngrita shqetësimet e mia në EGSC dhe David Grossman u kërkua të rishikonte programin.

Ai arriti në përfundimin se kontribuesit kryesorë në dokumentar anonin rëndë kundër Trump-it, me vetëm një mbështetës kundër dhjetë që vinin në pikëpyetje aftësinë e tij për detyrë.”

Akuzat për manipulimin e fjalimit të 6 Janarit

“Më keq akoma, David theksoi shqetësime alarmante rreth asaj se si Panorama kishte edituar fjalimin e Trump-it drejtuar mbështetësve të tij më 6 janar 2021, ditën e trazirave në Kodrën e Kapitolit.

Duke shqyrtuar akuzën se Trump kishte nxitur protestuesit të sulmonin Kapitolin, doli se Panorama kishte bashkuar dy klipe nga pjesë të ndara të fjalimit të tij.

Kjo krijoi përshtypjen se Trump tha diçka që nuk e tha duke bërë që shikuesit të manipuloheshin në mënyrë thelbësore.

Versioni i bashkuar i komenteve të Trump-it, i transmetuar nga Panorama, bënte të dukej sikur ai tha:

“Ne do shkojmë në Kapitol dhe unë do jem me ju dhe ne luftojmë. Ne do luftojmë si të çmendur dhe nëse nuk luftoni si të çmendur, nuk do e keni më vendin.”

Në të vërtetë, pjesa e parë e fjalimit të Trump-it: “Ne do shkojmë në Kapitol dhe unë do jem me ju,” erdhi 15 minuta pas fillimit të fjalimit. Gjysma e dytë e fjalisë që u transmetua nga Panorama, “dhe ne do luftojmë. Ne do luftojmë si çmendur….” erdhi 54 minuta më vonë.

Pesëmbëdhjetë minuta pas fillimit të fjalimit, ajo që Trump tha në të vërtetë ishte:

“Ne do shkojmë në Kapitol dhe unë do jem me ju. E di që të gjithë këtu së shpejti do marshojnë drejt ndërtesës së Kapitolit për të bërë që zërat tuaj të dëgjohen në mënyrë paqësore dhe patriotike.”

Ishte krejtësisht mashtruese editimi i klipit në mënyrën si e transmetoi Panorama. Fakti që ai nuk i nxiti shprehimisht mbështetësit të shkonin dhe të luftonin në Kapitol ishte një nga arsyet pse nuk kishte akuza federale për nxitje në trazira.

Ky nuk ishte fundi i shtrembërimit të ngjarjeve të asaj dite nga Panorama.

Më 6 janar 2021, të ashtuquajturit “Proud Boys”, mbështetësit e Trump-it, marshuan drejt Kapitolit përpara se Trump të fillonte të fliste.

Raporti i David-it drejtuar EGSC theksoi se klipi i ‘fjalimit’ të Trump-it u pasua nga pamjet video të Proud Boys që marshonin drejt Kongresit. Kjo krijoi përshtypjen se mbështetësit e Trump-it i ishin përgjigjur ‘thirrjes për armë’ të tij.”

Reagimi i drejtuesve të BBC-së

“Kjo ishte një nga grupet më tronditëse të çështjeve të zbuluara gjatë kohës sime me EGSC. Nëse gazetarëve të BBC-së do t’u lejohet të editojnë video për t’i bërë njerëzit të “thonë” gjëra që nuk i kanë thënë kurrë, atëherë çfarë vlere kanë udhëzimet e Korporatës, pse duhet t’i besohet BBC-së, dhe ku do të përfundojë e gjithë kjo?

Dhe megjithatë, përballë gjetjeve të David-it, Ekzekutivi refuzoi të pranonte se kishte pasur shkelje të standardeve dhe shtoi mbrojtjen e tij për Panorama-n.

Në takimin e EGSC më 12 maj 2025, Jonathan Munro pohoi: “Nuk pati asnjë përpjekje për të mashtruar audiencën në lidhje me përmbajtjen apo natyrën e fjalimit të Trump para trazirave në Kapitol. Është praktikë normale editimi i fjalimeve në klipe të shkurtra.”

Kjo shkon plotësisht kundër kuptimit tim të politikës editoriale të BBC-së në lidhje me editimet mashtruese. Nëse do  kujtoni, ishte ky lloj editimi që çoi në dorëheqjen e drejtuesit të BBC1, Peter Fincham, pas asaj që u bë e njohur si Crowngate.

Për dështimin (për mua tronditës) për të ekulibruar dokumentarin e Panorama-s anti-Trump me një shqyrtim po aq agresiv të Harris-it, Jonathan dukej i painteresuar, duke thënë se nuk ishte e nevojshme “që paanshmëria e duhur të ketë programe shoqëruese”. Mosveprimi në këtë rast ishte një “gjykimi i ligjshëm” brenda udhëzimeve, shtoi ai, pa asnjë justifikim të mëtejshëm pse mori këtë pikëpamje (për mua befasuese dhe alarmante).

Deborah Turness u përpoq të justifikonte videon e manipuluar dhe kronologjinë e çoroditur të ditës duke cituar Komitetin e Kongresit të SHBA-së mbi rolin e Trump-it në trazirat e 6 janarit – ai që arriti në përfundimin se ai ishte përfshirë në një “komplot me shumë pjesë” për të përmbysur rezultatet ligjore të zgjedhjeve të vitit 2020.

Megjithatë, ky ishte një Komitet i mbushur me Demokratë, jo një burim objektiv i së vërtetës. Nuk shoh asnjë justifikim për editimin e klipeve video në mënyrë që një kandidat presidencial të duket se thotë diçka që nuk e tha kurrë dhe kjo mbrojtje nuk bëri asgjë për të ndryshuar mendimin tim. Unë i kërkoj Bordit që t’i kushtojë vëmendje të veçantë kësaj çështjeje.

Gjatë takimit të EGSC, as Drejtori i Përgjithshëm e as Kryetari nuk bënë asnjë koment në lidhje me qëndrimin shpërfillës të Jonathan-it ndaj gjetjeve të David-it apo mbrojtjen e Deborah-s për klipet video të edituara.

Shqetësimet e mia më nxitën t’i dërgoja një e-mail kryetarit një ditë pas takimit të EGSC.

Në lidhje me mosreagimin e Ekzekutivit në lejimin e editimit të klipeve video për të shtrembëruar atë që thotë folësi, unë paralajmërova: “Ky është një precedent shumë, shumë i rrezikshëm. Shpresoj të bini dakord dhe të veproni për të siguruar që ky problem potencialisht i madh të zgjidhet menjëherë.”

Unë nuk mora asnjë përgjigje.”/ Hashtag.al

About Krye Redaktor

Check Also

“Do ta shkatarrojnë New York-un, nuk kthehem më kurrë!” Stallone pas zgjedhjes sw komunistit Mandami 

“Do ta shkatërrojnë qytetin më të mirë në botë dhe unë nuk dua ta shoh …