Këlliçi: Përjashtimi i Berishës veprim i paprecedent, i motivuar politikisht!

Deputeti i PD, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Komisionit të Etikës në Kuvend për përjashtimin e kryetarit të PD-se, Sali Berisha nga punimet parlamentare për 10 ditë.

Në një intervistë për ‘Ora News’, Këlliçi e cilësoi këtë vendim si ‘të turpshëm, të paprecedentë dhe politikisht të motivuar’.

‘Një mbledhje e turpshme e Komisionit të Etikës vendosi përjashtimin e kreut të opozitës për një deklaratë të dhënë jashtë ambienteve të Parlamentit. Në 34 vite pluralizëm nuk ka ndodhur që të merret një masë disiplinore për një deklaratë jashtë sallës apo komisioneve parlamentare,’ tha Këlliçi.

Deputeti demokrat theksoi se deklarata e Berishës, e cila u bë shkak për vendimin, ishte ‘krejt korrekte dhe pa asnjë fyerje’, duke shtuar se ajo ishte bazuar ‘në citime të sakta të Ambasadorit të BE-së në Shqipëri’.

‘Zoti Berisha është përjashtuar për një deklaratë ku ka respektuar të gjitha liritë dhe dinjitetin e njeriut, madje edhe të vetë ambasadorit. Ky vendim është i stisur nga Taulant Balla dhe grupi parlamentar i PS-së, që kërkojnë të prishin seancën e së enjtes dhe të fusin sërish në kaos jetën parlamentare,’ shtoi Këlliçi.

Sipas tij, ky është një tjetër hap që tregon ‘kontrollin e plotë politik të mazhorancës mbi institucionet parlamentare dhe përpjekjen për të mbytur zërin e opozitës’.

About Redaksia

Check Also

PD mbledh Kryesinë të mërkurën, çështjet që do të diskutohen

Partia Demokratike do të mbledhë Kryesinë e saj të mërkurën, më 27 maj 2026, në …