Kryetari i PD, Berisha deklaroi sot se çmimet e ushqimeve në Shqiopëri janë 118% më të larta se në vendet e BE. Shifra dramatike i referohet raporteve ndërkombëtare të cilat po ashtu thonë se Shqipëria ka çmimet më të larta për ushqimet në një kohë që është vendi më i varfër në Europë.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka nisur sot mbledhjen me kryetarët e degëve të PD-së, duke bërë akuza të rënda ndaj qeverisë dhe drejtuesve të saj. Gjatë fjalës së tij, Berisha e përshkroi situatën politike në Tiranë si “diktaturë autoritare” dhe hodhi pretendime specifike për përfshirjen e figurave pranë qeverisë në trafik droge dhe pastrim parash.
Sipas Berishës, “diktaturat autoritare janë të njohura, janë diktatura elitash dhe grupesh, por kjo e Tiranës është diktatura më e rrezikshme e planetit.” Ai vijoi duke akuzuar një person që, sipas tij, ka lidhje me kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë, dhe që “vetëm në një vit tregtoi 28 ton kokainë”.
Berisha identifikoi emrin e tij si Franc Çopja dhe tha se, sipas “të dhënave të agjencive ndërkombëtare të ligjit”, 17 ton u dërguan në Rotterdam dhe 11 ton në Antverp.
Berisha pretendoi më tej se përfitimet financiare nga këto aktivitete arrijnë vlerë “3 miliard euro”, dhe se këto fonde, sipas tij, përdoren për “fuqi elektorale, blerje votash” dhe për të konsoliduar pushtetin në vend.
Gazeta RD