Deputeti i PD, Enno Bozdo nga parlamenti ka zbuluar një fakt alarmues. Teksa i është referuar gjetjeve të KLSH-së, në evidencat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ekzistojnë rreth 2.5 miliardë euro detyrime tatimore të paregjistruara në sistemin elektronik, Bozdo iu drejtua ministrit të Financave nëse kjo shumë marramendëse është përfshirë në përllogaritjet për faljen e borxheve.
Fjala në Kuvend
Zoti ministër, po ju referohem një gjetje të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2024, i cili gjen se në evidencat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ekzistojnë rreth 2.35 miliardë lekë detyrime, ndryshe 2.5 miliardë euro, detyrime tatimore jashtë sistemit elektronik C-E-T-S, CETTS.
Pyetja konsiston në faktin që në përllogaritjet e shumës që ju keni bërë dhe amnistinë apo faljen, sido që ta quani, keni përllogaritur dhe këtë gjetje të Kontrollit të Lartë të Shtetit? Nëse përllogaritet dhe kjo gjetje e Kontrollit të Lartë të Shtetit, nuk bëhet më fjalë për të folur për një falje prej 2 miliardë eurosh, por bëhet fjalë për të folur për një falje prej 4.5 miliardë eurosh, çka e bën përmasën edhe më të frikshme.
E dyta zoti ministër, bëra një pyetje në vazhdim të asaj që tha zonja Tabaku, edhe unë ju bëra një pyetje në komision, jo vetëm nëse do të kishit mundësi të na vinit në dispozicion të paktën 500 kompanitë që përfitojnë më shumë nga kjo falje, me një masë falje të detyrimeve, por a do të kemi një listë që të kemi mundësi të gjykojmë nëse një person është pronar i dy apo më shumë kompanive, njëra prej të cilave ka detyrime të cilat ju i falni.
A mundet të shohim nëse ky person, kompanitë e të cilit mund të përfitojnë tendera, prokurime publike? Se nuk është aspak e moralshme që në njërën dorë hajduti i vjedh dhe i falin detyrimet ndaj shtetit dhe nga ana tjetër, po paratë e shtetit, financa publike përfundojnë në të njëjtin xhep.
Gazeta RD