Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, u shpreh se Buxheti 2024 është një manual praktik për diskriminimin e Veriut. Ai akuzoi qeverinë se po i shmanget transparencës për investimet dhe po përdor debatet parlamentare për sulme politike ndaj opozitës.
Sipas Boçit, buxheti neglizhon tërësisht zonat veriore, duke mos parashikuar investime në akse strategjike, dhe duke lënë në harresë sektorët bazë si bujqësia, shëndetësia dhe arsimi.
Fjalimi i Boçit në Kuvend
Të nderuar deputetë, do ishte në fakt më e udhës dhe më e sinqertë që këtu të flitej për buxhetin, po jo thjesht t’ia kërkoni këtë deputetëve të opozitës, sepse pak më parë përfaqësuesit tuaj këtu të qeverisë, në vend që t’i jepnin llogari për buxhetin, për problemet që ka sot Shqipëria, u morën me akuza politike totale ndaj Partisë Demokratike, meqënëse unë isha në sallë. Dhe ta dini mirë, ju, unë këtu që po flas, kolegët e mi deputetë, ata që na kanë votuar janë krenarë dhe ne jemi krenarë që jemi përfaqësues të Partisë Demokratike.
Dhe jo të vini të na përcaktoni ju se kush jemi ne, si sillemi ne, si veprojmë ne. Dhe doni ta shoqëroni dhe me vërshëllima që ju nuk i dëgjoni, zoti kryetar. Më dëgjon? Këto reagimet tuaja kundër nesh, kundër deputetëve.
Po, lexoj dhe shkresat, po merr dhe vendime, sepse për fatin tim unë jam aty dhe çfarë nuk dëgjoj nga ky krah, sharje, linçime për deputetë të Partisë Demokratike dhe të opozitës. Dhe juve nuk ju gjen asgjë, nuk ju hyn asnjë gjëmb në këmbë, sepse keni këtë drejtuesin tuaj që ju mbron mirë e mirë, sepse kjo është e vërteta. Pra, mos flisni këtu me dy standarte. Edhe mos bëni sikur nuk dëgjoni fjalimet e atyre që sot duhet t’i japin llogari për këtë buxhet.
Dhe do ishte më e udhës, po dal te buxheti, më e sinqertë që ky buxheti që na keni sjellë sot kishte dhe nëntitullin: manual praktik për diskriminimin e Veriut. Sepse i tillë është. Një buxhet diskriminues. Në të mungojnë kërkesat kryesore të kësaj zone. Mungojnë akset kryesore. Milot-Balldren, që i keni hedhur në kalendat greke, sikurse segmente të tjera jetike dhe neglizhohet çdo kujdes për bujqësinë, shëndetësinë, për digat, për përmbytjet, për arsimin.
Sepse në atë mentalitetin tuaj, Veriu është armiku, Veriu është PD-ja dhe duhet sulmuar. Jo më kot sot, Universiteti i Shkodrës, këtu ka përfaqësues të Shkodrës, që është poli i dijes së Veriut, është universiteti që ka infrastrukturën më të shkatërruar, për të vënë duart në kokë kur e kam parë. Dhe ju nuk çoni atje asnjë lekë investim për t’i ngritur këto godina në atë imazhin që meritojnë. Po e keni lënë Shkodrën krejt pas dore.
Dhe në kontrast me këtë, Veriun e doni shumë, po. E doni për pasuritë e tij, sepse jeni sulur me të gjitha format dhe me të gjitha mënyrat. Dhe në qoftë se unë do përpiqesha të gjeja përkufizimin e sjelljes së Ramës dhe sjelljes tuaj, qeveritarëve tuaj, ndaj Veriut, do merrja padyshim atë thënien lapitare, lapidare të Don Vlashit në rastin e që qartazi ju përcaktoi. I joshën, dëgjoni me vëmendje, i rrëjtën, i blenë, i shfrytëzuan, i vjelën për nga ana monetare dhe në fund i hodhën, i tradhtuan, i dogjën, i shkatërruan, do t’i gjobisin dhe do t’i burgosin.
Pak a shumë kjo frazë therëse ju përkufizon dhe ju sot ministra dhe sjelljen tuaj. Madje dhe këtë buxhetin tuaj. Sepse vini këtu, dëgjova dhe kryeministrin dhe të tjerët, vini dhe rrështoni zerot e miliardave. A thua janë paratë e xhepit tuaj. A thua janë paratë e shtëpive tuaja. A thua janë mundi dhe djersa juaj, ndërkohë që e dini shumë mirë që nuk janë para tuaja. Janë para që i merrni nga shfrytëzimi, që i vidhni ata, njerëzit, nga ana monetare, i vidhni me taksa, me tarifa absurde duke jua dyfishuar, trefishuar, për të mbushur këtë pjesën e zerove tuaja.
Dhe këtë e bëni sepse sigurisht doni më shumë veten tuaj, doni më shumë partinë tuaj, nuk doni as Veriun dhe as shqiptarët.
Dhe patjetër që të gjithë këto para, të gjithë këto premtime, për çfarë do i përdorni? Po, do t’i mashtroni sërish, do t’i joshni sërish dhe në fund fare do t’i blini sërish, siç keni bërë në çdo situatë zgjedhore dhe siç do bëni dhe do bëni përsëri sepse kjo është metodika juaj.
Unë jam i bindur që këtu ka tre kategori kur paraqitet ky buxhet në këtë sallë. Është një kategori e lumtur, të gjithë janë mbrapa meje këta, janë të lumtur. Shohin atë buxhetin, sa do marrin për vete, si do i alokojnë fondet, si do i çojnë në interesat e tyre dhe sigurisht e shprehin gëzimin e tyre në mënyrën si impostohen. Ka një pjesë tjetër që është neutrale, ata jeni ju. Disa dhe përfitojnë shumë. Detyra juaj është vetëm të ngreni atë kartonin jeshil dhe gëzoheni se po i bëni qejfin kryeministrit. Ndërsa pjesa e tretë është populli, është ai jashtë, ai që ka dhënë paratë, që kur dëgjon kaq miliarda, domethënë, i vesh vetes një tis krenarie, thotë, sa të pasur jemi, sa e bukur qenka Shqipëria, por që në fund të ditës pastaj kthjellohet dhe e di shumë mirë që ai s’do marrë asnjë mbështetje nga këto para.
Madje do i grisen xhepat sërish, siç ka ndodhur gjithmonë. Dhe nga e gjithë kjo panoramë, e dini kush është numri që dashuroni më shumë ju? Nuk është shtata, shtata është numër fati. Nuk është nënta, nënta është numër mbarsie. Nuk është as dhjeta, është numër nostalgjie. Numri që doni më shumë ju është zeroja. E di pse e doni zeron? Sepse 50 milionë euro janë shtatë zero. Po t’i shtosh tetë, bëhet goxha 500 milionë. Po t’i shtosh nëntë, bëhet 1 miliard, miliarder pushteti. Por të them të drejtën, të jemi të sinqertë…po s’ka rëndësi, miliard thashë, miliarder.
Miliarder nuk thashë një, miliarder. Sepse shova, shtova zeron te njëshi. E mora me zero, ti merresh dhe me njëshin, se duhet dhe njëshi Taulant. Pastaj unë jam deputeti i Partisë Demokratike. Po ty të duket vetja gjithmonë që je te kafja dhe mund të komandosh edhe parlamentin nga vendi ku je. Por ka dhe një gjë, këtë zeron, ju e doni edhe për njerëzit. Kjo është e vërteta, por në një kontekst tjetër. Zero mbështetje ekonomike, zero mbështetje arsimore, zero mbështetje shëndetësore, zero investime për ta, zero shërbime për ta. Kjo është diferenca. Dhe kjo është ajo dashuria juaj për zeron, që është shifra magjike e këtij buxheti.
Dhe meqënëse jemi tek arsimi, vini dhe përsërisni po të njëjtat fraza. Unë në fakt jam deputet prej vitesh dhe shfleto paksa ato fjalimet tuaja të buxheteve. Gjithmonë çdo vit, buxheti më i madh. Çdo vit arsimi prioritet. Çdo vit të njëjtat lavdërime. Dhe rezultati, kush është? Varfërimi i shqiptarëve. Ndryshojnë vetëm shifrat me zero që ju inkasoni dhe zerot që i jepni shqiptarëve. Gjërat e tjera nuk kanë ndryshuar, sikurse në arsim nuk ka ndryshuar asgjë. 2.9 është arsimi bashkë me arsimin profesional dhe arsimin e bashkive. Në qoftë se është bruto, është 2.3% këtu. Dhe ju kur s’doni përqindjet, luani me shifrat, kemi rritur, thotë. Kur vendet e rajonit e kanë 4.2% dhe e dini shumë mirë.
Dhe Europa e ka 5.2% mesataren. Dhe ju doni pastaj të arrini rezultate të ndryshme. Jo, të njëjtat do i keni. Shqipëria është ndër vendet e fundit në PISA. Shqipëria nuk ka universitete të rankuara. Dhe keni ndërtuar një mishmash në sistemin arsimor, meqënëse koha po mbaron. E dini si është sistemi ynë arsimor? Tekstet i kemi britanike. Sa bukur, britanike, apo jo? Kurrikulat i kemi evropiane, se Britania s’është Evropë, apo jo? Është kështu. Dhe klasat i kemi kolektive. Ndërsa sistemin e arsimit e kemi jo si në vend…
Pra e keni miks. Dhe realitetin arsimor e keni si vendet e Afrikës. Po si mundet me këtë lloj miksi arsimor, pa një linjë logjike dhe mbështetje financiare, ju sot të vini dhe të thoni që fëmijët tanë do edukohen, do marrin dije, do bëhen shkencëtarë, do mbështesin inteligjencën artificiale. Jo, jo! Këtu te ne, falë jush, injoranca artificiale ecën më shpejt se inteligjenca artificiale.
Gazeta RD