Pezullohet nga detyra Balluku, Gjykata e ndalon të dalë jashtë vendit!

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku njëherësh, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës është pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme Anti-Korrupsion si dhe i është ndaluar dalja jashtë vendit.

Vendimi është marrë sot nga, gjyqtari Erion Çela, i kërkuar nga prokurori Dritan Prençi.

Belinda Balluku, është marrë zyrtarisht e pandehur për shkelje të barazisë në tendera publike, më datë 24 tetor 2025.

Si nisi hetimi?

Në gusht të vitit 2024, Gazmend Bardhi, në cilësinë e përfaqësuesit të Partisë Demokratike, depozitoi një kallëzim penal kundër Belinda Ballukut për procedurat e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë.

Në janar të këtij viti, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, lëshoi gjithashtu një seri akuzash për përfshirjen e Belinda Ballukut në “aferën e tunelit të Llogarasë”.

Për projektin e tunelit. Kam qenë prezent. Janë prezantuar në një ambient privat dy kompani, që unë s’kisha dijeni se nuk ishte në ministrinë time të linjës, prezent në Turqi. Isha unë, kreu i organizatës (Rama), plaçkitësja (Balluku), edhe sy-zgrudulluari. Plaçkitësja dhe kreu ishin prezent. Ishin dy kompani, dhe kreu sugjeroi që këta të bënin një kombinim. Faktin e dinin që është rrëzuar kompania Gjoka në tender me 140 milionë, është marrë me 190 milionë, me një të gëlltitur të lapsit fap-fap nga kreu i organizatës siç e ka zakon, janë gëlltitur nga plaçkitësja 50-milionë dollar. Inceneratori i Fierit, plus ai i Elbasanit, 50-54 milionë euro janë”, tha Ahmetaj, në një intervistë për “Çim Peka Live”.

Afera e Tunelit të Llogarasë

Në Dhjetor 2020, Ministria e Infrastrukturës, e drejtuar nga Belinda Balluku, shpalli tenderin për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, me fond limit 130 milionë euro.

Tenderi u rihap sërish në qershor 2021, por tashmë fondi ishte rritur ndjeshëm, duke arritur në 180 milionë euro. Procedura u fitua nga bashkimi i operatorëve ekonomikë (BOE) “Intekar Yapi Turizm Elektrik dhe “Asl Insaat Taahhut”.

Balluku u vonua rrugës për në SPAK

Belinda Balluku duhej të paraqitej para prokurorit të posaçëm të hënën e javës kur nisi hetimi. Por, ajo kërkoi shtyrje të paraqitjes, me argumentin se në ditën dhe orën e caktuar nga Prokuroria, do të gjendej jashtë Shqipërisë, në një takim të planifikuar.

Lajmi që Balluku ishte ftuar të paraqitej në SPAK, e shoqëruar me avokat, u përhap gjerësisht në media Balluku u mundua ta sfumonte këtë zhvillim, duke u shfaqur në një video nga një udhëtim me tren në Zvicër, ku njoftoi publikun se po shkonte në Bernë për të finalizuar një projekt bashkëpunimi për ndërtimin e linjës hekurudhore që lidh Shqipërinë me vendin helvetik.

Projekti i saj u prit me skepticizëm dhe ironi, si një ide futuristike dhe e parealizueshme, në kushtet kur Shqipëria nuk ka linjë funksionale hekurudhore brenda vendit.

Takimi i Zvicrës nuk ishte i mjaftueshëm për të shmangur Ballukun nga vizita në SPAK. Ajo u kthye për pak orë në Shqipëri dhe, të hënën që duhej të shkonte në Prokurori, udhëtoi drejt Bullgarisë.

Gjatë javës, Balluku u angazhua me prezantimin e drejtorit të ri të Portit të Durrësit, Liburn Aliu dhe Drejtorin e Transportit Rrugor, Kreshnik Hajdaraj.

Por, gjithësesi, Balluku u detyrua të paraqitej në SPAK, pasi në të kundërt do të detyrohej që të shkonte para prokurorëve e detyruar me forcë.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025 (bashkuar me procedimet penale nr.167 dhe 181 të vitit 2024), për veprën penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, sot, më 31.10.2025 i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet, 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.

Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.

Më 21.10.2025, Prokuroria e Posaçme, si organ procedues ka njoftuar të pandehurën përmes shkresës me numër protokolli 37398. E pandehura, pasi mori dijeni, ka njoftuar më 23.10.2025, organin procedues se nuk mund të paraqitej në datën dhe orën e caktuar. Me anë të një shkrese tjetër, me numër protokolli 37881, datë 24.10.2025, Prokuroria e Posaçme kërkoi paraqitjen e saj më 31 tetor, në orën 15:00.

About Redaksia

Check Also

Skandali/ Rama kërcënon me vdekje prokurorin e Ballukut

Sali  Berisha Kërcënimi me vdekje nga Ramaduro i gjyqtarit dhe prokurorit të Ballukut, një akt …