Gjykata e Posaçme ka vendosur dy masa sigurie “arrest në shtëpi” për dy zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, lidhur me dosjen e tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Masa nuk është ekzekutuar ende, prandaj identitetet e të dyshuarve nuk bëhen publike, por bëhet e ditur se ata janë vartës të ministres së pezulluar Belinda Balluku.
Hetimi për këtë tender ka çuar më parë në ngritjen e akuzave ndaj disa bashkëpunëtorëve të afërt të Ballukut, duke përfshirë ish-drejtorin e ARRSH-së, Ervis Berberi, kreun aktual Gentian Gjyli, si dhe drejtorin e KESH, Erald Elezi. Të gjithë janë përfshirë si të pandehur në një hetim që synon zbardhjen e mundësive të shkeljeve të barazisë dhe favorizimit në tendera publikë.
Procedura e tenderit për tunelin e Llogarasë, seksioni Orikum-Himarë i autostradës SH8, ka qenë objekt hetimi për paracaktimin e fituesve dhe shkelje të barazisë midis kompanive pjesëmarrëse. Tenderi fillimisht u hap më 11 dhjetor 2020, u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021 me fond limit rreth 19 miliardë lekë pa TVSH, ndërsa hetimi ka zbuluar komunikime dhe veprime që lidhen me përfshirjen e Ballukut dhe vartësve të saj në favorizimin e kompanive të caktuara gjatë gjithë procedurës.
Gazeta RD