Mes Flakëve dhe Përmbytjeve, Realiteti që na dhëmb të gjithëve

Fjoralba DIZDARI

Shqipëria sot lëviz mes dy botëve, propagandës qeveritare që premton suksese dhe realitetit që qytetarët përjetojnë çdo ditë në rrugë, spitale, shkolla, transport publik dhe institucione. Hendeku mes këtyre dy realiteteve thellohet përditë.

Në verë, vëndi digjet. Mijëra hektarë pyje shkrumbohen, ndërsa emergjencat funksionojnë minimalisht. Në disa bashki, flakët shuhen me lopata, kazma dhe ndihmën e banorëve.

Në dimër, i njëjti vend përmbytet. Me qindra miliona euro dëme dhe mijëra familje të prekura. Asnjë analizë e plotë, asnjë përgjegjësi, asnjë reformë serioze.

Trafiku i Tiranës është bërë fenomen më vete. Kryeqyteti, që duhej të ishte modeli i modernizimit, sot renditet ndër më të bllokuarit në Europë. Sipas TomTom Index, qytetarët humbasin 36–40% të kohës së tyre vetëm për shkak të bllokimeve.

Shkaku? Urbanizim i pakontrolluar, mungesë vizioni, leje ndërtimi pa kufi dhe një transport publik që nuk arrin të përmbushë as kërkesat më minimale.

Qytetet e tjera janë edhe më keq. Ato po boshatisen me shpejtësi alarmante. Statistikat zyrtare tregojnë se mbi 700 mijë shqiptarë janë larguar në 10 vjet. Vetëm në 5 vitet e fundit kemi humbur 15% të të rinjve 18–34 vjeç.

Kjo nuk është vetëm statistikë. Është alarm kombëtar. Shqipëria po plaket, po boshatiset dhe po humbet forcat e veta aktive.

Arsimi është bërë një sistem që i përgatit të rinjtë për emigracion, jo për tregun shqiptar. Ai, që duhet të ishte themeli i zhvillimit afatgjatë, sot ndodhet në pikën më të dobët të tridhjetë viteve të fundit. Programet e dobëta, mungesa e laboratorëve dhe investimeve në formimin e mësuesve e tregojnë qartë këtë. Një vend që nuk e sheh arsimin si prioritet, nuk sheh zhvillimin si të ardhme.

Nxënësit dhe studentët dalin në një treg pune të paorganizuar, pa mbështetje dhe pa perspektivë. Deget mbyllen, shkollat tkurren, dhe e ardhmja e të rinjve shndërrohet në pasiguri.

Në anën tjetër, ndërtimi ka shpërthyer në nivele të paprecedenta. Lejet jepen për hotele, kulla, komplekse, ndërsa masterplanet ndryshohen sipas interesave të kohës. Aty ku sot ndërtohet, nesër pritet të shembet. Qytetet janë shndërruar në kantier pa standarde, ku fitimet private marrin përparësi ndaj cilësisë së jetës së qytetarëve.

Ndotja është tashmë problem shëndetësor kombëtar. PM2.5 dhe PM10 janë 2 deri 4 herë mbi normat e BE-së. Plazhet shqiptare raportohen si ndër më të ndoturat në rajon. Analizat e pesticideve në ushqime tregojnë devijime serioze nga normat e lejuara. Askush nuk mban përgjegjësi.

Ndërkohë Onkologjiku, institucion që simbolizon dhimbjen kolektive, mbushet dita ditës. Kjo nuk është rastësi. Kjo është pasojë e drejtëpërdrejtë e mungesës së kontrollit, korrupsionit dhe abuzimit me sigurinë ushqimore e mjedisore. Në spitalet shtetërore mungon PET scan, pajisje e domosdoshme për diagnozën. Qytetarët detyrohen ta bëjnë privat, me një faturë që shpesh barazohet me pensionin vjetor. Sistemi publik shëndetësor është kthyer në një rrjet iluzor, të gjitha rrugët çojnë në privat, dhe qytetari paguan për shërbimin që duhet të ishte i garantuar.

Transporti publik, në vend që të ishte zgjidhje dhe shpëtim i qyteteve, është kthyer në një provë nervash. Vonesa të pashpjegueshme. Mjete të amortizuara. Linja të mbipopulluara. Sjellje të papranueshme nga një pjesë e personelit. Kulturë shërbimi që shpesh degradohet në sjellje harbute.

Deri te rastet kur u merren para pensionistëve në mënyra të turpshme. Në vend që të jetë një sistem funksional dhe i sigurt, është kthyer në shembull tjetër të një shteti që nuk funksionon, një realitet i heshtur që tregon degradimin e kulturës institucionale dhe mungesën totale e kontrollit nga autoritetet.

Turizmi, sektori që duhej të ishte lokomotiva e zhvillimit, ka pësuar një goditje të rëndë këtë vit. Çmime që nuk i justifikon shërbimi, infrastrukturë e dobët, plazhe të ndotura dhe mungesë higjiene. Shqipëria humbi një mundësi të artë që u zhduk para syve tanë. Ankesat nga vizitorët janë rritur me dhjetëra çdo muaj, ndërsa sezoni që pritej të ishte rekord u kthye në zhgënjim.

Shërbimet më bazike janë bërë luks. Uji nëpër shtëpi dhe biznese vjen me orare. Po të mos kesh depozitë, mbetesh pa ujë. Në shumë lagje të kryeqytetit furnizimi mungon për orë të tëra. Për qytetet e tjera, situata është shpesh dramatike, mungesa, ndërprerje, tubacione të amortizuara, cilësi uji që ngre pikëpyetje serioze për shëndetin. Dhe megjithatë, kjo ujë e pasigurt paguhet me çmime të kripura, “sa frëngu pulën”.

Bandat po vriten mes tyre në zonat më të populluara. Shpesh janë bërë kurban kalimtarë, fëmijë, të rinj e qytetarë që nuk kanë lidhje me hakmarrjet banditeske. Krimet ndodhin në dritën e ditës, para shkollave, lagjeve aeroporteve apo bizneseve, duke krijuar frikë dhe pasiguri totale. Kryeministri thotë “hëngshin kokat e tyre”, një koment që tregon indiferencë ndaj dhimbjes së viktimave dhe ushqen një spirale dhune që vazhdon pa ndëshkim. Policia dhe institucionet reagojnë me vonesa, ndërsa qytetarët humbasin besimin në shtetin që duhet t’i mbrojë.

Sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë peng i vonesave dhe dosjeve të ngrira. Çështje kyçe nga viti 2018 deri më sot nuk kanë parë dritën e vendimmarrjes. Në gjykata sundon ngarkesa, mungesa e transparencës dhe mungesa e rezultateve. Kjo nuk është reformë. Është stagnim.

Korrupsioni, sipas Transparency International, mbetet i pandryshuar prej një dekade. Jo vetëm që nuk ka përmirësim, por figurat më të larta të qeverisë janë sot pas hekurave për skandale që në çdo vend tjetër do të rrëzonin shtete të tëra. Dhe megjithatë, diskursi zyrtar vazhdon të flasë për “suksese”.

Pensionistët jetojnë me 160–200 euro. Me këtë duhet të paguajnë energjinë, ushqimet dhe ilaçet, ndërkohë që çmimet janë rritur 15–40% në dy vitet e fundit. Jetesa e tyre nuk është jetë e denjë. Është betejë e përditshme.

Sistemi bankar dhe kompanitë e mikrokredive po zhvasin qytetarët me përqindjet e tyre astronomike. Shumë familje humbasin shtëpitë, pronat dhe çdo gjë që kanë ndërtuar me mund, sepse ligjet funksionojnë në favor të bankave, jo për të mbrojtur qytetarin apo kredimarrësin. Kredia, që në teori duhet të ishte një mjet për të ndihmuar, është kthyer në një rrjet zhvatjeje ku interesi privat ka përparësi mbi mirëqenien e qytetarit. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë, e cila ka detyrë të mbikqyrë institucionet financiare dhe të sigurojë mbrojtjen e konsumatorit, shpesh nuk vepron me rigorozitetin e nevojshëm, duke lejuar që këto abuzime të vazhdojnë pa ndëshkime të efektshme. Familje të tëra përballen me humbje të padrejtë të pronave.

Ekonomia është pjesa ku propaganda dhe realiteti takohen më pak se kudo tjetër. Rritja që raporton qeveria nuk përkthehet në mirëqenie. Pagat nuk e ndjekin dot inflacionin. Të ardhurat reale të familjeve janë minimale. Bizneset e vogla po mbyllen me ritme alarmante.

Të gjitha këto nuk janë thjesht probleme të së djathtës apo të së majtës. Janë probleme të qytetarit. Të njeriut që paguan, pret, shpreson dhe zhgënjehet, të atij që do vetëm një vend ku ndershmëria shpërblehet e ku jeta është më e vlefshme se propaganda.

Në këtë vend që përballet me kaq disbalanca, Kryeministri vazhdon të flasë për suksese historike. Por cilat suksese? Sepse qytetarët nuk i shohin. Familjet nuk i ndjejnë. Të rinjtë nuk i besojnë. Pensionistët nuk i jetojnë. Shqipëria që meriton shumë më tepër nuk i gjen askund.

Nëse ka një sukses të vetëm të kësaj qeverie, ai është suksesi i propagandës. Një propagandë e fuqishme, e koordinuar, që përpiqet të mbulojë çka nuk mund të fshihet më, realitetin e një vendi që po rrëshqet në krizë të shumëfishtë.

Dhe më e rënda nuk është se Shqipëria po vdes. Më e rënda është se njerëzit po e braktisin.

 

About Redaksia

Check Also

Ndërkombëtarët duhet ta falënderojnë Berishën

Nga Reldar DEDA Protestat opozitare kanë qenë një element i pandashëm i tranzicionit, me rezultate …