SPAK zbardh skemën: Balluku me Berberin paracaktuan fituesit e tenderave të Llogarasë dhe Unazës së Madhe

Prokuroria e Posaçme (SPAK) me anë të një njoftimi zyrtar ka bërë të ditur masat e sigurisë ndaj zv.Kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe bashkëpunëtorëve të saj, në kuadër të hetimeve për tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Jashtme të Tiranës, Loti 4.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Belinda Balluku dyshohet se ka ndërhyrë drejtpërdrejt në dy tendera shumë të mëdhenj: tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Jashtme Tiranë, Loti 4.

SPAK thotë se ajo, në rolin e ministres së Infrastrukturës, ka ndjekur hap pas hapi të gjithë procesin e prokurimit, duke orientuar procedurat që nga faza përgatitore, dorëzimi i ofertave, vlerësimi dhe deri te nënshkrimi i kontratave. Hetimi ka nxjerrë se fituesit e tenderave kanë qenë të paracaktuar dhe se janë krijuar avantazhe të padrejta për bashkimet e operatorëve që dolën fitues.

Në rastin e tunelit të Llogarasë, Balluku dyshohet se ka vepruar në bashkëpunim me drejtorin e ARRSH Evis Berberi dhe me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, duke i favorizuar kompanitë që përfunduan me kontratën prej gati 19 miliardë lekësh.

E njëjta skemë, sipas SPAK, është konstatuar edhe te tenderi i Unazës së Jashtme, ku përsëri Balluku dhe drejtues të ARRSH kanë ndikuar në përzgjedhjen e fituesit, megjithëse tenderi ishte rreth 2 miliardë lekë.

Njoftimi thekson se veprimet janë në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik dhe me ligjin për konfliktin e interesit. SPak thotë se ka përdorur metoda speciale dhe prova digjitale për t’i dokumentuar këto veprime.

Mbi këtë bazë, Gjykata ka pezulluar Belinda Ballukun nga detyra si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe i ka ndaluar daljen jashtë shtetit, ndërsa dy drejtues të ARRSH, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, janë vendosur në arrest shtëpiak. Hetimet për çështjen vijojnë.

Masa sigurie për Belinda Ballukun

Me vendimin nr.118, datë 19.11.2025, Gjykata e Posaçme ka vendosur:

  • Ndalim të daljes jashtë shtetit
  • Pezullim nga detyra si Zv.Kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë

Balluku akuzohet për “Shkelje të barazisë në tendera”, në lidhje me dy procedurat e hetuara – tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Jashtme.

Arrest në shtëpi për dy drejtues të lartë

Gjykata caktoi masën “Arrest në shtëpi” për:

  • Gentian Gjyli, ish-drejtor në ARRSH
  • Erald Elezi, drejtues në ARRSH

Të dy akuzohen për bashkëpunim në shkeljen e barazisë së konkurimit në tenderin e tunelit të Llogarasë dhe në tenderin e Unazës së Jashtme.

Shkeljet me tenderin për Tunelin e Llogarasë

Më 31 tetor, SPAK mori të pandehur Ballukun për shkelje me tenderin 190 mln euro për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Bashkë me Ballukun, në këtë çështje janë marrë të pandehur edhe 5 persona të tjerë, Gentian Gjyli, ish-drejtori i ARRSH-së Evis Berberi, i cili është i arrestuar për një tjetër çështje, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashica. Të 5-të janë marrë të pandehur në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO).

Tenderi u hap fillimisht më 11 dhjetor 2020 dhe u mbyll më 12 shkurt 2021. Por më 19 prill 2021 në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, u njoftua se tenderi ishte anuluar, pasi asnjë ofertë nuk ishte e suksesshme në përputhje me dokumentet e tenderit.

E njëjta garë u shpall 22 qershor 2021 për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, me një fond limit prej afro 190 mln euro pa TVSH. Në tenderin i cili u mbyll më 28 korrik po të vitit 2021, u bënë 5 oferta, ku grupi i dy kompanive turke Intecar dhe Asl, u shpall fitues, me ofertë 170 mln euro plus TVSH.

SPAK dyshon se Balluku dhe Gjyli kanë kryer veprime që mund të kenë ndikuar në mënyrë të padrejtë në këtë proces prokurimi, pasi tenderi u anulua kur oferta më e ulët ishte 140 mln euro dhe u rihap pak muaj më pas dhe ju dha bashkimit të kompanive turke edhe pse kishin ofruar vlerë më të lartë.

Si nisi hetimi?

Në gusht të vitit 2024, Gazmend Bardhi, në cilësinë e përfaqësuesit të Partisë Demokratike, depozitoi një kallëzim penal kundër Belinda Ballukut për procedurat e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë.

Në janar të këtij viti, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, lëshoi gjithashtu një seri akuzash për përfshirjen e Belinda Ballukut në “aferën e tunelit të Llogarasë”.

“Për projektin e tunelit. Kam qenë prezent. Janë prezantuar në një ambient privat dy kompani, që unë s’kisha dijeni se nuk ishte në ministrinë time të linjës, prezent në Turqi. Isha unë, kreu i organizatës (Rama), plaçkitësja (Balluku), edhe sy-zgrudulluari. Plaçkitësja dhe kreu ishin prezent. Ishin dy kompani, dhe kreu sugjeroi që këta të bënin një kombinim. Faktin e dinin që është rrëzuar kompania Gjoka në tender me 140 milionë, është marrë me 190 milionë, me një të gëlltitur të lapsit fap-fap nga kreu i organizatës siç e ka zakon, janë gëlltitur nga plaçkitësja 50-milionë dollar. Inceneratori i Fierit, plus ai i Elbasanit, 50-54 milionë euro janë”, tha Ahmetaj, në një intervistë për “Çim Peka Live”.

About Redaksia

Check Also

“SafeJournalist”: Siguria e gazetarëve u rrezikua nga policia gjatë protestës së 24 janarit

Siguria e gazetarëve që raportuan nga protesta e 24 janarit në Tiranë u vu në …