MONOLOG/ Nga Florian BINAJ
Dje, zv. Kryeministrja e Shqipërisë u pezullua nga detyra me vendim të GJKKO-së.
E di, në një vend normal, ajo do të jepte dorëheqjen në sekondën e parë që e thirrën të pandehur. Ne kemi dhe një Kryetar Bashkie në burg, me akuza të rënda për korrupsion e që nuk jep dorëheqje, e as ia kërkojnë. Madje, pretendon të ruajë pushtetin.
Dorëheqja, në një demokraci perëndimore, është një detyrim. Moral. Politik. Logjik.
Por jo. Jo në Shqipëri. Sikurse Kryetari i Bashkisë, edhe zv. Kryeministrja nuk dha dorëheqje. Madje askush nuk ia kërkoi. As ata që e votuan, as kolegët e vet, as partia e vet, as Kryeministri.
Përkundrazi, u bë pak show: “nuk do e lëshojë”, “nuk do dorëzohet”, “do e zgjidhë”.
Ndërkohë, drejtësia thotë: pezullim nga detyra dhe bllokim pasaporte.
Për korrupsion!
Ky vendim është një shenjë. Një shenjë që, edhe kur drejtësia është gjysmë e kapur, gjysmë e trembur, gjysmë e gjallë… korrupsioni është si ai përbindëshi në dollap: ti mund të flesh i qetë duke menduar se nuk ekziston… po ai do dalë një ditë.
Dhe ka dalë.
Por a mjafton?
A do ndreqet fryma korruptive që përshkon administratën shqiptare, nga maja e deri në bazë?
Përgjimet e zv. Kryeministres treguan një gjë shumë të thjeshtë: asnjë ministër nuk bën korrupsion vetëm. Asnjë zyrtar i lartë nuk i bën milionat tek pulla.
Kjo është një ushtri. Një zinxhir. Një mekanizëm i tërë në administratë ku çdo hallkë poshtë i shërben hallkës sipër.
Dhe pyetja që lind është: çfarë duhet të ndodhë që ky zinxhir të trembet, të këputet?
Çfarë duhet të ndodhë që një drejtor, një shef sektori, një jurist, një ekonomist, një punonjës i thjeshtë të ketë guxim të thotë: “Jo. Kjo është vepër penale. Nuk e bëj”?
Dhe përgjigjja është e hidhur: shumë pak e thonë.
Sepse shumë prej tyre janë pjesë e krimit. Pjesë e ndarjes. Pjesë e përfitimit.
Por kryesorja, sepse të gjithë e dinë që ky sistem funksionon vetëm në këtë formë, për sa kohë drejtësia nuk kap kokën, atë që qëndron sipër zv. Kryeministres.
Dhe pastaj pyes veten:
Prandaj, edhe sot, me 2 zv. Kryeministra të akuzuar për korrupsion, ka njerëz që vazhdojnë të firmosin, të vjedhin, të marrin rryshfete, të bëjnë tendera të korruptuar… në grup…
Duke besuar se nuk do vijë radha e tyre.
Se nuk do të dalin përgjimet e tyre.
Se, për sa kohë është dhe ai lart i paprekur, as atyre nuk do u bjerë “fati i keq” të kapen!
Kur do e kuptoni që nuk është punë fati?
Është punë kohe.
Sepse abuzimi, krimi dhe e keqja nuk kanë datë skadence.
Sot është pezulluar një zv. Kryeministre.
Nesër është radha e të tjerëve. Atyre më poshtë saj, por edhe atij sipër saj. (bën me gisht, lart)
Dhe mos u gënjeni: radha juaj vjen gjithmonë.
Sepse — dhe kjo është pjesa që duhet t’ju shqetësojë — jo e gjithë shoqëria shqiptare është e korruptuar. Është vetëm një pjesë e kalbur – ju!
Dhe nuk është e vështirë për t’ju këputur!
Dhe kur të këputeni… nuk do ketë as show, as statuse, as deklarata.
Vetëm drejtësi.
Gazeta RD