Një ditë pasi e çoi çështjen Balluku në Gjykatën Kushtetuese, kryeministri Edi Rama ka dalë sërish në mbrotje të Zv/kryeministres së pezulluar. Rama ka zgjedhur rrjetin social facebook, për të shprehur “angazhimin” e tij për drejtësinë duke e quajtur atë “të papërgjegjshme” kur merret me rastin e Ballukut.
Në postimin e tij Rama citon ish-prokurorin amerikan Robert H. Xhekson: “Kur prokurori kërkon njeriun përpara krimit, drejtësia vdes dhe kur një pushtet hyn në territorin e një tjetri, Kushtetuta demokratike nuk merr më frymë, por mbytet.”
Duke e lidhur këtë me situatën e Ballukut, Rama shton: “Drejtësia duhet të jetë e pavarur, por kurrë e papërgjegjshme; e fortë, por kurrë e verbër ndaj kufijve kushtetues.”
Me fjalë të tjera, kryeministri duket se po i mëson shqiptarëve se drejtësia “e papërgjegjshme” është problem vetëm kur preket dikush që ai nuk e mbron.
Balluku u pezullua nga detyra dy ditë më parë me vendim të GJKKO-së dhe iu ndalua dalja jashtë vendit.
Ajo është marrë zyrtarisht e pandehur prej datës 31 tetor 2025 dhe akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publikë”, në bashkëpunim me vartësit e saj, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë.
SPAK ka ngritur ndaj saj edhe një akuzë të dytë, që lidhet me dyshime për abuzime me tendera në lotin 4 të Unazës së Madhe.
Gazeta RD