Sali BERISHA
Prokuroria dhe gjykata kanë përdorur masat më lehtësuese që mund të përdornin ndaj Lubi Ballukut dhe Edi Ramës.
Së pari, është faktuar tani në mënyrë të pamohueshme se çdo akt, çdo veprim i Lubi Ballukut për tunelin e Llogarasë është i diktuar nga Edi Rama.
Dhe prokuroria jo vetëm që nuk ka ngritur akuzë, por po e lejon atë të bëjë gjithçka për të penguar hetimin, për të prishur provat, për të mbrojtur Belinda Ballukun, në fakt veten e tij.
Së dyti, prokuroria ka qenë lehtësuese sepse cilido që lexon akuzën e saj, konstaton se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal. Keqbërës të poshtër që janë sjellë me paratë e taksapaguesve shqiptarë në mënyrën më banditeske, që kanë vjedhur dhe shpërdoruar dhjetëra e qindra milionë në bashkëpunim të ngushtë me njëri-tjetrin.
Dhe ky nuk është një person, por këtu janë Lubia, disa drejtorë, disa punonjës përgjegjës të prokurimeve, të gjithë së bashku, dhe prokuroria heziton t’i quajë ata siç janë, grup i strukturuar kriminal ose organizatë kriminale me dëme kolosale për qytetarët shqiptarë.
Ju duhet të dini se vetëm me tunelin e Llogarasë janë vjedhur 97 milionë euro të pastërta.
Por unë u them ju se me unazën e Tiranës janë vjedhur të pastërta 300 deri në 320 milionë euro.
Me aeroportin e Vlorës 140 milionë euro. I njëjti grup, e njëjta bandë, por që nuk cilësohet organizatë kriminale.
Po më thoni ju çfarë dëmesh më të mëdha kanë bërë një grup kriminelësh ordinerë?
Cili ka bërë kaq shumë dëme kolosale në buxhetin e qytetarëve shqiptarë?
Çfarë kushtesh duhet të plotësojnë këta që prokuroria t’i shpallë organizatë kriminale, përveçse faktit që janë zyrtarë dhe nuk do t’i quajë të tillë.
Ndaj dhe ata hidhen. Ndaj dhe kanë ndërsyer mediat e tyre si lukuni me akuza monstruoze, me akuza të turpshme se u bë grusht shteti, se po përmbyset Kushtetuta, se po përmbyset rendi kushtetuese, në një kohë kur ajo që është e pafalshme, është e papranueshme është se nuk janë kualifikuar si grup i strukturuar kriminal apo organizatë kriminale.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim.
Kërkoj me urgjencë rivlerësimin, rikualifikimin e veprës së tyre.
Nuk mund të kalohet nga një vjedhje e madhe në një vjedhje tjetër të madhe.
U zhdukën 400 milionë euro të inceneratorëve.
Tani janë me qindra e qindra milionë të tjera dhe përsëri nuk kemi grup të strukturuar kriminal, nuk kemi organizatë kriminale në një kohë kur Edi Rama kryeson një organizatë të vërtetë kriminale që është qeveria e tij.
Gazeta RD