Nënkryetari i PD, deputeti Agron Gjekmarkaj ka bërë thirrje për një reagim të shpejtë, lidhur me situatën e përmbytjeve në Lezhë, për shkak të përkeqësimit nga reshjet e shiut dhe prurjet e ujit.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Gjekmarkaj, teksa sjell situatën e rënë në Spiten të Lezhës, shkruan se mijëra hektarë tokë janë ende nën ujë, ndërsa banorët dhe fermerët përballen çdo ditë me pasojat e mungesës së mbrojtjes dhe planifikimit.
Gjekmarkaj shkruan se, banorët e Spitenit po lëvizin me gomone në pronat e tyre, ndërsa institucionet shfaqen me dalje mediatike duke mos ofruar asnjë zgjidhje konkrete.
Reagimi
Spiten, Lezhë
Dëmet nga përmbytjet në Lezhë janë masive dhe situata në terren kërkon reagim urgjent, jo spektakël politik. Mijëra hektarë tokë janë ende nën ujë, ndërsa banorët dhe fermerët përballen çdo ditë me pasojat e mungesës së mbrojtjes dhe planifikimit. Në Spiten, banorët po lëvizin me gomone në pronat e tyre dhe po bëjnë çmos për të shpëtuar çfarë u ka mbetur, ndërsa institucionet shfaqen me dalje mediatike që nuk u ofrojnë asnjë zgjidhje konkrete.
Në vend të masave të qarta, koordinimit dhe mbështetjes reale për komunitetin, pushteti duket më i interesuar të kontrollojë narrativën e opozitës që denoncon vështirësitë e banorëve, ta sulmojë atë, sesa të kontrollojë situatën. Kjo qasje e shkëputur nga realiteti vetëm sa e thellon krizën dhe tregon paaftësi për t’u përballur me emergjencat që prekin drejtpërdrejt jetën dhe punën e qytetarëve.
Gazeta RD