I ftuar në News24, Gjekmarkaj u shpreh se kishte zhvilluar një bisedë paraprake me komisioneren Kos, në praninë e ambasadorit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, para daljes së saj publike. Sipas tij, ai kishte paraqitur të gjitha shqetësimet e opozitës lidhur me procesin zgjedhor, por deklarata e mëvonshme e komisioneres e kishte habitur.
“Unë pata mundësi të flas me zonjën Kos në praninë e ambasadorit Gonzato para asaj deklarate dhe të shpreh shqetësimet e opozitës. Të gjitha problemet e mëdha që shqetësojnë sot vendin dhe opozitën,” tha ai, duke theksuar se qëndrimi i saj publik ishte i papritur.
“Deklarata e saj për zgjedhje të lira e të ndershme më la pak të surprizuar, sepse nuk e prisja që ajo të hiqej si një lexuese e njëanshme e raportit të OSBE/ODIHR,” shtoi Gjekmarkaj, duke nënvizuar se nuk ishte etike të zbulonte detaje të bisedës së zhvilluar.
Deputeti demokrat tha se raporti zyrtar i OSBE/ODIHR përmban kritika të rëndësishme, të cilat, sipas tij, bien ndesh me vlerësimin e komisioneres Kos. Ai theksoi se ky raport dokumenton probleme serioze të procesit zgjedhor që, sipas opozitës, vënë në pikëpyetje standardet e zgjedhjeve.
“Deklarata e saj, ku tha se kemi pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërkohë që raporti i OSBE e rrëzon këtë. Zonja Kos duhet t’ia kursente vetes dhe Shqipërisë një koment të tillë, që dukej më shumë si favor për kryeministrin,” u shpreh Gjekmarkaj.
Gazeta RD