Berisha: Brukseli të hetojë marrëveshjen e fshehtë Rama-Mogherini për ndërtimin e kampusit në Tiranë

Kryetari i PD, Sali Berisha i bëri thirrje organeve ndërkombëtare të drejtësisë, përfshirë EPPO, OLAF dhe prokurorinë belge, të hetojnë marrëveshjen e fshehtë mes Edi Ramës dhe Lubi Mogherinit për ndërtimin e kampusit të Kolegjit Europian në Tiranë.
Ai tha se, hetimi duhet të përfshijë të gjitha emailet dhe mesazhet SMS, përfshirë komunikimet e kryera përmes telefonave të koduar Sky ECC dhe Matrix, të cilët Rama i ka përdorur në raste të tjera të dyshuara për korrupsion ndërkombëtar.
“Ndaj, duke shprehur vlerësimin më të lartë për EPPO, OLAF dhe prokurorinë e Mbretërisë së Belgjikës, ju bëj thirrje të hetojnë marrëveshjen e fshehtë Rama–Mogherini për ndërtimin e kampusit të Kolegjit Europian në Tiranë.
Ju bëj thirrje të hetojnë të gjitha emailet dhe SMS-të që Rama ka shkëmbyer me Lubi Mogherinin për këtë çështje dhe, në veçanti, të hetohen komunikimet e tyre me telefona të koduar Sky ECC, Matrix, të cilët është vërtetuar se Rama i ka përdorur në raste të tjera të korrupsionit ndërkombëtar.
Shqiptarët do ta vlerësonin shumë hetimin e lobingut që Mogherini ka bërë për Edi Ramën, për sukseset e tij imagjinare dhe mbulimin e mega-skandaleve të tij në Bruksel, dhe në veçanti angazhimin e saj kundër opozitës shqiptare.
Ju bëj thirrje këtyre organeve të hetojnë aferat korruptive të Edi Ramës dhe ministrave të tij—dyshen Mogherini–Vllahutin—në blerjen e vilës për ambasadorin e BE-së me çmim 2–3 herë më të lartë se tregu; të hetojnë abuzimet e mëdha të Edi Ramës dhe qeveritarëve të tij me fondet e taksapaguesve europianë për bujqësinë, energjinë dhe mjedisin, të denoncuara nga opozita njëlloj si kampusi i Kolegjit në Tiranë, në interesin më të mirë të taksapaguesve europianë, por edhe të qytetarëve shqiptarë që duhet të ishin përfitues të këtyre fondeve që vidhen nga kleptokratët e Tiranës.
Opozita shqiptare, që ka si mision integrimin e vendit në BE, është e gatshme të kontribuojë në zbardhjen e këtyre abuzimeve korruptive nga qeveria e Tiranës”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Diaspora dhe tre dimensionet e Brain Gain

Andi Mustafaj Anëtar i Departamentit Brain Gain Zgjedhjet parlamentare të fundit nxorën në pah hendekun …