Dhjetë orë marrje në pyetje nga prokurorët belg për Mogherinin, e cila ka qëndruar e arrestuar nga ora 14:00 deri në mesnatë. Në fund, asnjë masë kufizuese: Federica Mogherini ka marrë sërish pasaportën dhe mund të lëvizë lirshëm brenda dhe jashtë Belgjikës. Gjatë dëshmisë, ajo ka dhënë përgjigje për çdo pyetje dhe ka theksuar para magjistratëve se “gjithçka është zhvilluar me transparencë të plotë, pa privilegje apo informacione të rezervuara që mund të kenë sjellë përfitime. Qëllimi i vetëm ishte krijimi i një elite diplomatike më të mirë për Bashkimin Evropian”.
Mogherini, ish Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe ish nënkryetare e Komisionit Evropian, po hetohet nga Prokuroria Evropiane në Bruksel për çështje të lidhura me rolin e saj si drejtoreshë e Kolegjit të Evropës në Bruges. Së bashku me të janë nën hetim edhe ambasadori Stefano Sannino dhe Cesare Zegretti, drejtues në këtë institucion prestigjioz. Të tre u ndaluan të martën, iu hoq imuniteti diplomatik, u morën në pyetje dhe më pas u lanë të lirë, pasi nuk përbënin rrezik arratisjeje.
Sipas akuzës, Sannino – atëherë sekretar i përgjithshëm i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm – dyshohet se mund të ketë ndarë paraprakisht me Kolegjin e Evropës informacion të rëndësishëm mbi një konkurs publik, duke e vënë institucionin në avantazh ndaj kandidatëve të tjerë. Mogherini e ka kundërshtuar prerazi këtë version, duke theksuar se të gjitha të dhënat ishin publike dhe të aksesueshme. Edhe komunikimet mes Komisionit dhe SEAE, që hapën rrugë projektit pilot gjatë 2021–2022, ishin zyrtare dhe transparente.
Hetimi fokusohet edhe te blerja e një godine për 3.2 milionë euro, e konsideruar e domosdoshme për strehimin e pjesëmarrësve të Akademisë Diplomatike Evropiane. Sipas Prokurorisë, fakti që godina u ble pak muaj para shpalljes së tenderit, në një periudhë kur Kolegji kishte vështirësi financiare, mund të sugjeronte akses në informacion të brendshëm. Por Mogherini ka deklaruar se vendimi u mor pa patur nevojë për të dhëna të rezervuara, sepse gjithçka ishte e qartë dhe e parashikueshme.
Sot, ajo ndërtesë strehon realisht kursantët e Akademisë, pasi programi pilot u konsolidua: në vitin 2024 Komisioni Evropian nënshkroi një marrëveshje katërvjeçare që i beson Kolegjit të Evropës drejtimin e shkollës diplomatike deri në vitin 2028, me Mogherinin si drejtoreshë. Projekti në total kap vlerën rreth një milion euro, nga të cilat rreth 700 mijë shkojnë drejtpërdrejt për Bruges.
Gazeta RD