Bardhi: Mbështes qëndrimin e Berishës, çdo mbledhje jashtë forumeve është private!

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka komentuar takimin e zhvilluar nga ish deputeti demokrat Ervin Salianji me pjesë të strukturave të PD-së në qytetin e Durrësit.

I ftuar në Euronews Albania, Bardhi u shpreh se mbështet qëndrimin zyrtar të PD-së dhe të kryetarit Berisha, sipas të cilit çdo mbledhje jashtë forumeve është private.

“Nuk ka lidhje intervista ime me ato që bën Salianji. Mbështes qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike dhe të kryetarit Berisha, që ka thënë se: çdo mbledhje jashtë forumeve është private. Partia Demokratike nuk pengon askënd që të shprehë lirisht mendimin e tij apo të takohet me demokratët.

Partia Demokratike ka institucione që nuk i kanë kufizuar të drejtën e fjalës askujt dhe nuk kanë për të penguar askënd të shprehë lirshëm mendimin. Sikurse takime me demokratë, secili prej anëtarëve të kryesisë së Partisë Demokratike dhe kolegëve bën çdo ditë zgjedhjen e tij se këto takime do t’i bëjë publike apo do të marrë realisht mendimin e demokratëve”, tha Bardhi.

I pyetur nëse këto takime vazhdojnë dhe mund të tërheqin njerëz të pakënaqur, Bardhi u përgjigj se nuk ka keqkuptim në raport me bazën dhe se Shqipëria ka shumë më shumë probleme që meritojnë vëmendje sesa kjo çështje.

“Nuk ka keqkuptim te baza në raport me këto që po ndodhin në Partinë Demokratike dhe Shqipëria ka shumë më shumë probleme që meritojnë kohë dhe vëmendje sesa kjo temë. Nuk shikoj asnjë problem të jem i vërtetë”, tha ai.

About Redaksia

Check Also

Investigimi i medias italiane: Si po pasurohet KAYO e Ardi Veliut nën hijen e Ramës!

Media italiane “Domani” ka bërë një investigim mbi kompaninë shqiptare Kayo dhe marrëveshjen e saj …