Seanca plenare e Kuvendit ka nisur me tensione të larta, pasi mazhoranca ka rrëzuar kërkesën e grupit parlamentar të PD për një interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama. Ky vendim ka shkaktuar një përplasje të ashpër mes palëve, me opozitën që akuzon kreun e qeverisë se po i fshihet llogaridhënies.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, argumentoi se kërkesa për interpelancë nuk mund të pranohej, pasi çështja për të cilën kërkohej debati është aktualisht në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, një debat parlamentar për këtë temë do të përbënte një ndërhyrje në punët e gjyqësorit dhe do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve.
Ky arsyetim u kundërshtua ashpër nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi. Ai akuzoi kryeministrin Rama se po përdor Gjykatën Kushtetuese si një mburojë për t’iu shmangur përballjes me deputetët. Bardhi sqaroi se interpelanca nuk synon të gjykojë çështjen në Kushtetuese, por të kërkojë llogari nga kryeministri për “ndërhyrjen e tij institucionale” dhe për faktin se mban në detyrë një ministre të marrë të pandehur nga SPAK.
“Ajo për të cilën kemi kërkuar interpelancë është mbajtja në detyrë e një ministri të marrë të pandehur për abuzim me disa tendera publikë”, theksoi Bardhi. Ai shtoi se Rama, ndërkohë që i fshihet Kuvendit, flet vetë publikisht për këtë çështje “të paktën tre herë në ditë”, duke ushtruar kështu presion mbi Gjykatën Kushtetuese.
Sipas opozitës, kryeministri duhet të japë llogari në Kuvend se cili është motivi që mban në kabinetin qeveritar “numrin dy, të pandehur nga SPAK-u për abuzime me tendera”. Përplasja nxjerr në pah edhe një herë tjetër hendekun e thellë mes qeverisë dhe opozitës sa i përket çështjeve të llogaridhënies dhe funksionimit të institucioneve.
Gazment Bardhi: Faleminderit zoti Peleshi. Të dashur bashkëqytetarë. Siç e dëgjuat edhe kryetarin e Kuvendit, Edi Rama sot ka vendosur përsëri t’i fshihet Kuvendit të Shqipërisë.
Zoti kryetar, ka një keqkuptim të madh në përgjigjen që ju i keni kthyer grupit parlamentar të Partisë Demokratike mbi këtë interpelancë. Në asnjë rast dhe për asnjë rrethanë, nuk është detyra jonë dhe s’kemi kërkuar që ne të shqyrtojmë kërkesën që kryeministri ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Ajo për të cilën kemi kërkuar interpelancë me kryeministrin, është ekzaktësisht ndërhyrja institucionale e kryeministrit në një çështje në hetim, mbajtja në detyrë e një ministri apo zyrtari të marrë të pandehur për abuzim me disa tendera publikë dhe ndërkohë nën hetim për disa tendera të tjerë, si dhe ngritja e pretendimeve në kërkesën që ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese në emër të Kuvendit të Shqipërisë, pa e konsultuar Kuvendin e Shqipërisë.
Ju folët që duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por çdo shqiptar e ka parë që Edi Rama del dhe flet me vete të paktën tre herë në ditë për këtë çështje. Del dhe mbron të pandehurën ministre, të paktën tre herë në ditë me video-selfie apo postime në Twitter, si një mjet presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese. Pra, një njeri që flet nga mëngjesi deri në darkë vetëm për këtë çështje, ka vetëm këtë shqetësim, i fshihet deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. I fshihet llogaridhënies në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe në këtë rast fshihet pas një shkrese tuajën që thoni ne nuk mund të shqyrtojmë kërkesën e Gjykatës Kushtetuese. S’kemi kërkuar këtë.
Kemi kërkuar që kryeministri të vijë dhe të japë llogari këtu, se cili është motivi që sot që ne flasim, ka në kabinetin qeveritar numrin dy, të pandehur nga SPAK-u për abuzime me tendera. Të vijë këtu dhe të flasi, pse është bërë kryeministri i parë në historinë…
Gazeta RD