Bylykbashi: Reforma territoriale e dështuar!

Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, gjatë fjalës së tij në takimin me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar theksoi se, ky takim shënon fillimin e një serie takimesh konsultative në nivel politik me kryetarë dhe drejtues të partive opozitare, parlamentare dhe jo parlamentare, për të diskutuar dy çështje kyçe: reformën zgjedhore dhe reformën territoriale.

Ai nënvizoi rëndësinë e një debati të hapur dhe transparent, që synon të harmonizojë punën e dy komisioneve parlamentare dhe të garantojë rezultate sa më pozitive për qytetarët shqiptarë.

“Sot kemi thirrur këtë takim, i cili është fillimi i një, besoj, serie takimesh konsultative në nivel politik, me kryetarë dhe drejtues të partive politike të opozitës, parlamentare dhe jo parlamentare, për të diskutuar për këto dy çështje të një rëndësie kardinale: reformën zgjedhore dhe reformën territoriale. Të dyja këto, si çështje, tashmë kanë marrë rrugën për një debat, diskutim jo thjesht politik, por parlamentar, me qëllim trajtimin e problemeve shumë të rënda që kanë të dyja këto fusha. Tashmë janë dy komisione, pra nuk është vetëm një çështje debati të përgjithshëm. Janë dy komisione me mandate të posaçme parlamentare, të cilat janë të ndara në punën e tyre, por duhet të jenë në një sinkron të plotë për shkak të jo vetëm rëndësisë politike, kushtetuese dhe juridike që kanë, por sepse ndërthuren dhe ndikojnë tek njëra-tjetra.

Tematikat janë të gjëra në të dyja reformat, qoftë në atë zgjedhore, qoftë në atë territoriale. Këto tematikë mund të prekin jo vetëm aspekte të thjeshta ligjore dhe organizative, por mund të shkojnë deri në nivele kushtetuese, të cilat mund të kenë ndikim edhe drejtpërdrejtë në sistemin zgjedhor apo në funksionimin e pushtetit vendor. Të dyja komisionet janë në fillimet e punës, por pikërisht për shkak të rëndësisë që kanë, gjykojmë se është shumë e rëndësishme të ketë një diskutim të gjerë, të hapur dhe transparent midis forcave politike, në nivelet më të larta, për objektivat strategjikë dhe qëllimet që duam të arrijmë, si dhe për mënyrën se si do të shkojmë në këto rezultate në të dyja reformat, duke garantuar sinkronizim dhe ndikim sa më pozitiv për qytetarët shqiptarë.

Nëse sot flasim për të dyja reformat, ato do të trajtojnë dy aspekte të mëdha: çështjen e zgjedhjeve dhe atë të pushtetit vendor. Zgjedhjet e 11 majit tashmë kanë marrë vulën definitive në raportin e ODIHR-it, duke u konsideruar si ndër zgjedhjet më të këqija që janë bërë në Shqipëri. Është një raport i cili krahasohet vetëm me raportin e vitit 2001. Shteti ka pushtuar zgjedhjet; Partia Socialiste është bërë parti-shtet, është prishur ndarja midis shtetit dhe partisë, dhe për rrjedhojë fusha e lojës është e pabarabartë, duke e bërë procesin zgjedhor të pandershëm. Zgjedhjet nuk janë as të lira për shkak të presionit, përfshirjes së krimit, blerjes së votës dhe faktorëve të tjerë.

Nga ana tjetër, reforma territoriale ka problematikat e saj. Pas 10 vitesh, nuk ka decentralizim, funksionimi i pushtetit vendor ka vuajtur pikërisht për shkak të kësaj reforme. Pra, një diskutim i hapur, vendosja e prioriteteve të qarta dhe strategjia e përbashkët për të qasur këtë çështje në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse është qëllimi i partive. Besoj se kjo tryezë e parë hap siparin për një diskutim sa më të plotë, në mënyrë që edhe ekspertët dhe deputetët në dy komisionet të kenë një mandat të qartë”, u shpreh Bylykbashi.

About Redaksia

Check Also

Mediat e huaja jehonë protestës/ Reuters: Sulmohet me molotov Kryeministria, kërkohet dorëheqja e Ramës

Protestues në Tiranë hodhën bomba molotov drejt godinës qeveritare ku ndodhet zyra e kryeministrit Edi …