CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Vokshi në EPP-IDU: Lidhja e mazhorancës me krimin e organizuar po e kthen Shqipërinë në parajsë të pastrimit të parave dhe rrezik për partnerët europianë

Gjatë fjalës së saj të mbajtur pas përfundimit të tryezës së diskutimit në takimin e EPP-IDU, deputetja Albana Vokshi deklaroi se Shqipëria po cilësohet gjithnjë e më shumë si një autokraci elektorale, ku zgjedhjet zhvillohen vetëm në formë, por pa standardet e demokracive funksionale. Ajo theksoi se raporti final i OSBE/ODIHR evidenton mungesën e garës së barabartë, intimidimin e votuesve, blerjen e votave dhe ndikimin e grupeve kriminale në procesin zgjedhor.
Vokshi u ndal edhe te bllokimi i mekanizmave të kontrollit dhe balancimit të pushteteve, duke theksuar se parlamenti është bërë jofunksional, pasi çdo kërkesë e opozitës, nga komisionet hetimore te interpelancat, refuzohet sistematikisht. Sipas saj, sfida më serioze mbetet lidhja e mazhorancës dhe qeverisë me krimin e organizuar, e cila ka lehtësuar pastrimin e shumave të mëdha të parave përmes sektorit të ndërtimit.
Deputetja paralajmëroi se paratë e pastruara në Shqipëri rrezikojnë të depërtojnë më pas në vendet e Bashkimit Europian, duke deformuar ekonomitë dhe konkurrencën e ndershme, ndërsa kartelet e drogës po e shndërrojnë vendin në një qendër rajonale të krimit të organizuar. Vokshi kërkoi mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për të ndalur këtë rrezik para se të eksportohet në vendet e tyre, duke theksuar se ndërhyrja e përbashkët është e domosdoshme për të frenuar përhapjen e kësaj dukurie.

Fjala e plotë

Përsa i përket situatës në Shqipëri, do të flas shumë shkurt, pasi kemi përgatitur edhe një material më të zgjeruar e të detajuar; ndaj secili prej jush që ka dëshirë të dijë më shumë për Shqipërinë, mund t’i jap një kopje.
Në javët e fundit, në takime të ndryshme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Shqipëria është përkufizuar si autokraci elektorale. Pra, ne kemi zgjedhje, por ato nuk janë të lira e të ndershme. Kemi shumë parti që marrin pjesë në zgjedhje, por partitë e opozitës dhe liderët e opozitës persekutohen, arrestohen, burgosen në vitin zgjedhor.
Bazuar në Raportin Final të OSBE/ODIHR, zgjedhjet nuk ishin të lira, nuk kishte garë të barabartë; kishte intimidim, blerje votash dhe ndikim të grupeve kriminale në zgjedhje.
E në një autokraci elektorale, të gjitha pushtetet janë në një dorë; nuk ka transparencë, nuk ka llogaridhënie.
Në Shqipëri Parlamenti nuk është funksional. Çdo kërkesë e opozitës, komisionet hetimore, dëgjesat, interpelanca, është refuzuar. Nuk ka balancim dhe kontroll të pushteteve.
Por ajo çka dua të ndalem dhe të ngre si shqetësim është lidhja e maxhorancës dhe qeverisë me grupet kriminale.
Në Shqipëri ka një fluks të parave të paligjshme, që po pastrohen në ndërtim, në ndërtesa të bukura e moderne, gjysma e të cilave është bosh. Kjo është para që kryesisht vjen nga kartelet e drogës dhe krimi i organizuar. Këto nuk janë para vetëm të grupeve kriminale shqiptare, por edhe të atyre ndërkombëtare.
Pse po ndalem këtu? Sepse paratë e pastruara në Shqipëri do të hyjnë të pastruara në vendet tuaja dhe do të deformojnë ekonomitë tuaja dhe konkurrencën.
Kartelet e drogës dhe krimi i organizuar në Shqipëri, për shkak të influencës në zgjedhje dhe në qeveri, po e kthejnë vendin në një parajsë për pastrimin e parave dhe aktivitetin e krimit të organizuar. E kjo po shndërrohet në një rrezik ndërkombëtar.
Ndaj na duhet ndihma juaj për të ndalur këtë rrezik tani, për ta ndalur në Shqipëri, pa e eksportuar atë në vendet tuaja.
Faleminderit shumë!

About Redaksia

Check Also

Mediat e huaja jehonë protestës/ Reuters: Sulmohet me molotov Kryeministria, kërkohet dorëheqja e Ramës

Protestues në Tiranë hodhën bomba molotov drejt godinës qeveritare ku ndodhet zyra e kryeministrit Edi …