Lideri i opozitës, Sali Berisha, gjatë një takimi në Qytetin Studenti, deklaroi se 8 dhjetori 1990 shënoi “mrekullinë e kombit shqiptar”, duke i dhënë fund një viti të errët për vendin.
Ai vlerësoi lëvizjen studentore si forcën që rrëzoi diktaturën dhe hapi rrugën e pluralizmit, lirisë dhe integrimit euroatlantik.
Berisha theksoi se idealet e studentëve të dhjetorit mbeten ende sot udhërrëfyes për shqiptarët. Ai nderoi veçanërisht Azem Hajdarin, të cilin e quajti “të pavdekshëm në panteonin e lirisë”.
Berisha: Të dashur miq, gjer në mëngjesin e 8 dhjetorit të vitit 1990, shqiptarët në Shqipëri përjetonin shtypjen e diktaturës më të egër, kurse shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbi, jetonin nën pushtimin barbar serb dhe kishin mbetur kolonia e fundit në Europë.
Viti 1990 gjer në 8 dhjetor ishte për shqiptarët një vit i gjatë, një vit i tmerrshëm.
Protestat e guximshme të qytetarëve të Shkodrës, të Kavajës, protesta e heshtur e Tiranës dhe kryengritja paqësore e 2 korrikut, e të rinjve që hynë në ambasada dhe ndezën zemrat dhe shpresat e shqiptarëve, u shtypën dhe bashkë me to shpresat e shqiptarëve të topitur që ndanin njëri me tjetrin frikën nga dhuna shtetërore dhe përtypnin në çdo kafshatë varfërinë dhe shumica e tyre mjerimin e vërtetë.
Ndaj mund të thuhet se gjer me 8 dhjetor, viti 1990 po mbyllej si vit i shpresave të vrara, i dëshpërimit të thellë, një anum horribilis për shqiptarët në historinë e tyre.
Por lëvizja studentore e vitit 1990, beteja paqësore e studentëve në rrugë dhe sheshet e këtij qyteti të bekuar dhe në kryeqytetin e vendit, triumfi i tyre mbi diktaturën e shndërroi dhjetorin dhe vitin 1990 në vitin e mrekullisë të kombit shqiptar, anum mirabilis.
Hodhi themelet e lirisë dhe ndërtimit të shoqërisë së lirë në Shqipëri, të zëvendësimit të hiperkolektivizimit total me tregun e lirisë, tëdaljes së vendit nga izolimi më i thellë, të hapjes dhe integrimit evropian dhe euroatlantik të tij.
Kjo lëvizje, çështjen kombëtare, nga një çështje e tradhtuar nga klika hoxhiste, e vendosi në piedestalin e merituar për zgjidhjen e saj.
Idealet e rinisë studentore të dhjetorit 1990 ishin dhe mbeten idealet më të larta, më fisnike njerëzore dhe kombëtare shqiptare.
Këto ideale, energjia e tyre i bëri shqiptarët më të lirë se kurrë.
U riktheu atyre dinjitetin e munguar njerëzor.
Vendosi në Shqipëri pluralizmin e vërtetë politik, sistemin demokratik.
Anëtarësuan Shqipërinë në Këshillin e Europës, në NATO, i dhanë asaj propozimin për statusin e vendit kandidat në BE.
Kosova u bë e pavarur ndaj dhe 8 dhjetori i vitit 1990 është dita e nderimit të lirisë dhe vlerave të saj nga mbarë shqiptarët, i nderimit të veprës së pavdekshme të prijësit legjendar të asaj lëvizje, Azem Hajdari dhe studentëve liberatorë që shkallmuan dyert e mbyllura të lirisë për shqiptarët.
Azem Hajdari dhe studentët liberatorë do mbeten të pavdekshëm në panteonin e lirisë së kombit shqiptar përgjithmonë.
Azem, ti je gjallë!
Gazeta RD