Igli Cara: Një grusht njerëzish po rrëmbejnë vendin! Të zgjohet fryma e dhjetorit ’90

 

Deputeti i PD, Igli Cara, në një fjalim të mbajtur me rastin e 8 Dhjetorit, në foltoren e opozitës para kryeministrisë tha se sot në Shqipëri mbizotëron korrupsioni, klientelizmi dhe shpopullimi masiv. Duke evokuar lëvizjen studentore të vitit 1990, Cara theksoi se liria nuk është thjesht një dhuratë, por një thesar për të cilin duhet luftuar vazhdimisht.

Deputeti Cara, theksoi se pasojat e kësaj qeverisjeje janë dramatike, ndërsa shpopullimi është i frikshëm”.

Igli Cara: Të nderuar profesor doktor Sali Berisha.

Të dashur demokratë, të dashur qytetarë të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë.

Sot në fakt është një ditë e veçantë. Është 8 dhjetori. Është data që përjetësoi lëvizjen e studentëve të dhjetorit ’90. Si një nga kulmet më të ndritura, por atë ndërgjegjësimit të shoqërisë shqiptare në dekadat e fundit.

Është dita kur guximi i rinisë dhe etja e saj për liri kapërcyen hijet e frikës, duke sfiduar një epokë të gjatë izolimi dhe represioni. Fati e desh të jem pjesë e asaj lëvizje. E çdo përvjetor më rikujton se ndryshimet e mëdha nuk lindin kurrë rastësisht.

Ato lindin kur qytetarët marrin përgjegjësitë për fatin e vendit të tyre, kur e kuptojnë se liria nuk është një dhuratë, por një thesar për të cilin duhet luftuar.

Shoqëria ecën përpara vetëm atëherë kur rinia ka hapësirën, guximin dhe ëndrrën për të ndërtuar të ardhmen sipas vizionit dhe potencialit të vet.

Kujtesa historike mbetet themeli i domosdoshëm mbi të cilin ngrihet një e ardhme më e drejtë dhe më humane. Liria nuk është thjesht dhe vetëm një e drejtë apo dhuratë për të folur. Liria mbi të gjitha është një mundësi, një mundësi për të ardhmen. Por, mbi të gjitha kjo kërkon dhe angazhim maksimal.

Reflektimi mbi të shkuarën totalitare është i domosdoshëm për të kuptuar peshën e të drejtave që gëzojmë sot dhe për të mos lejuar që historia të përsëritet.

Ndryshimi i dhjetorit ’90 u bë i mundur sepse të rinjtë e asaj kohe vepruan së bashku. Nga auditoret te sheshet, duke mposhtur frikën, duke thyer izolimin dhe duke ringjallur shpresën.

Me këtë rast dua të bëj një përshëndetje të veçantë për të gjithë studentët e dhjetorit të vitit ’90 dhe në mënyrë të veçantë për liderin e asaj periudhe, Azem Hajdarin.

Dhe sot, 8 dhjetori është një ditë reflektimi shoqëror, një kujtesë se rinia duhet të ketë një rol më të madh në jetën publike, më shumë mundësi për të vepruar, më shumë hapësirë për të ndërtuar ëndrrën e saj. Sot me të drejtë të gjithë kudo bëjnë pyetjen, a jemi vërtetë të lirë? A jemi të lirë kur tregu sundohet nga miqtë e Ramës? A jemi të lirë kur pushteti ekonomik u jep privilegje vetëm një grushti njerëzish afër Ramës? A jemi të lirë ku vota blihet? Kur administrata kërcënohet? Kur bandat bëjnë ligjin? A jemi të lirë ku media bëhet palë me pushtetin? Me njëherë me dëshirë dhe njëherë me kërbaç.

A mundet të flasim për liri kur korrupsioni ka arritur në nivele marramendëse dhe kur ministra, zëvendësministra, drejtorë, kryetarë bashkish janë dënuar apo janë në radhë kandidatë për burg. A mund të flasim për liri kur me dosjen McGonigal vazhdon dhe zëvendëskryeministre e këtij vendit që mbrohet nga zoti Rama dhe ky është një rast unik në botë. Një zëvendëskryeministër e kapur në korrupsion vazhdon të jetë në detyrë. Korrupsioni miqtë e mi nuk është gabim njerëzor, jo. Korrupsioni është dhunë. është dhunë ndaj të drejtës, dhunë ndaj mirëqënies, dhunë ndaj shpresës, dhunë ndaj mundësive, dhunë ndaj çdo qytetari që përpiqet të ndërtojë jetën e tij.

A e shohim ne të gjithë këtë realitet? Absolutisht që po. A jemi në gjendje të kuptojmë që çdo marrëveshje e fshehtë, çdo favor politik me pasuritë kombëtare dhe fondet publike në thelb është një goditje ndaj shqiptarëve dhe ndaj së ardhmes. Po çfarë është në fund kombi, Shqipëria? Janë pikërisht tokat, pasuritë kombëtare, familja, banorët. A janë këto elementë sot të goditur rëndë nga ky i ashtuquajtur kryeministër dhe banda e tij? A janë pronat publike që po i jepen miqve të Ramës dhe arriti kulmin me portin me asetin më të madh publik që ka Shqipëria, me portin e Durrësit.

Po çfarë ka sjellë kjo në fund të fare? Ka sjellë pikërisht atë shpopullimin e frikshëm. Sepse sot sipas Eurostatit kemi 1.1 milionë qytetarë që janë larguar. Fshatra e komuna që ekzistojnë në letër, sepse nuk ka më njerëz. Kapitali më i rëndësishëm që është kapitali njerëzor, sot është 40% më pak. Emigrimi nuk ka pse të jetë fati i pashmangshëm i fëmijëve tanë.

Emigrimi është pasojë e padrejtësive, e mungesës së mundësive. Është pasojë e një sistemi që nuk shpërblen më të mirin, talentin dhe punën e ndershme. Dhe me të drejtë të gjithë janë të shqetësuar dhe për goditjen e fundit që i dhanë dhe familjes me ligjin e barazisë gjinore.

Goditën pikërisht atë qelizë, qelizën më të rëndësishme të shoqërisë, që është familja. Të dashur motra dhe vëllezër shqiptarë, liria nuk është vetëm një fjalë, por është një mundësi për të vepruar, për të ndërtuar të ardhmen tonë pa pengesa.

Fryma e dhjetorit ’90 nuk është dhe nuk duhet të jetë vetëm nostalgji, por është dhe duhet të jetë thirrje për veprim. Koha nuk pret. Shpresa, guximi, drejtësia duhet të triumfojnë dhe ne duhet të tregojmë që jemi të gatshëm për të qëndruar krah tyre. Sepse një shoqëri që nuk e bën këtë, do të jetë gjithnjë e më shumë pa liri dhe qytetarët pa drejtësi.

Sot, si atëherë, liria kërkon që të jemi të gjithë bashkë për të shporrur njëherë e mirë Ramën e këtë farë të keqe rilindase që është në pushtet. Kini besim miq, ne do të fitojmë, e drejta do të fitojë.

Një grusht njerëzish po rrëmbejnë vendin, Fryma e dhjetorit ’90 nuk duhet të jetë vetëm nostalgji…

About Redaksia

Check Also

Pse Kushner u largua nga Beogradi?/ I la Alabarin e “Ramës”

Në Serbi vazhdojnë pafundësisht polemikat rreth ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm, pasi kompania e Jared Kushner (dhëndërr i Presidentit …