Për Demokratët, qëndrestarët e Republikës

Nga Nikola KEDHI

Ne nuk jemi thjesht një parti.

Ne jemi një histori qëndrese.

Ne jemi një kokëfortësi e historisë, që refuzon të përkulet.

Prej më shumë se tetë dekadash, ata që sot identifikohen si demokratë kanë kaluar gjithçka: diktaturë, tranzicion të dhimbshëm, dhunë, tradhti, mashtrime zgjedhore, montazhe mediatike, hetime selektive, linçim publik, fitore, arritje historike, integrim, zhvillim. Shumë herë na kanë shpallur të mbaruar. Por, sa herë janë bërë gati të festojnë, aq herë janë përplasur me një realitet kokëfortë: demokratët nuk dorëzohen.

Sot jemi ndoshta në momentin më të vështirë të kësaj historie. Përballë një narkoshteti që mban pushtetin me para të pista, propagandë të përditshme dhe kapje të institucioneve; në një vend që po zbrazet përditë; në një klimë ku media e lirë po mbytet, shoqëria civile është zëvendësuar nga OJF klienteliste dhe frika përpiqet të hyjë në çdo shtëpi. Është e lehtë të lodhesh. Është njerëzore të zhgënjehesh. Por pikërisht këtu qëndron ndryshimi mes nesh dhe tyre: ne nuk jemi produkt i pushtetit; ne jemi produkt i sakrificës.

Demokratët kanë treguar një aftësi të jashtëzakonshme për të rezistuar kur të gjithë janë kundër tyre. Për të dalë në shesh kur të tjerët heshtin. Për të mbrojtur votën kur duket se çdo gjë është e humbur. Edhe sot, në këtë tunel të errët, diku brenda nesh ka një dritë që nuk është fikur kurrë. Pikërisht kjo dritë është forca e ringritjes sonë. Këtë dritë duhet të rigjejmë sërish, të gjithë bashkë.

Koha e spontanitetit ka mbaruar. Nëse vërtet duam jo vetëm të mbijetojmë, por të fitojmë, tani duhet të nisë faza e organizimit të vërtetë, me strategji, disiplinë e koordinim. Qëndresa pa organizim prodhon vetëm zhgënjim. Qëndresa me organizim prodhon fitore.

Ringritja jonë fillon në bazë me krijimin e ekipeve të qendrave të votimit; me ngritjen e strukturave funksionale në çdo lagje, çdo fshat, çdo rrugicë, pa shumë burokraci; me përgatitjen serioze të databazave të anëtarësisë dhe të votuesve tanë; me analiza të kujdesshme të zgjedhësve, të tipologjisë dhe shqetësimeve të tyre; dhe më pas me outreach, me daljen ballë për ballë te qytetari, me njerëz që ngjallin shpresë e besim.

Për shumë kohë, terreni është bosh. Patronazhistët, të majtët dhe agjentët e tyre kanë pasur hapësirë të lirë për të kontrolluar, për të shantazhuar dhe për të blerë frikën e njerëzve. Kjo duhet të marrë fund. Nuk ka më asnjë arsye që terreni t’u lihet në dorë atyre.

Ne duhet të jemi aty me ekipet tona.

Tek dera e çdo familjeje të presionuar.

Tek çdo biznes i kërcënuar.

Tek çdo nëpunës i trembur.

Jo vetëm si strukturë partie, por si mburojë njerëzore e qytetarëve. Çdo demokrat duhet të ndjejë se nuk është vetëm. Çdo qytetar që kërcënohet duhet të dijë se dikush qëndron pranë tij. Ky riorganizim kërkon njerëz të ndershëm, që frymëzojnë, që ngjallin besim.

Ky model organizimi kërkon angazhim, kërkon disiplinë, kërkon besim, kërkon llogaridhënie. Kërkon që çdo kush të ketë të qartë rolin e vet dhe çdo kush të japë llogari te hallka më sipër. Mbi të gjitha, kërkon të rikthejmë atë ndjenjën e vjetër demokratike: “Ne jemi shumë, ata janë pak. Ne kemi të drejtën, ata kanë vetëm pushtetin e përkohshëm.”

Duke qenë ne aktiv në terren, me njerëzit e duhur, qytetari nuk ndihet më vetëm, dhe patronazhisti detyrimisht stepet. Duke u forcuar ne së brendshmi; duke frymëzuar njerëzit të dalin në shesh, duke rritur presionin mbi qeverinë, do të rritet dhe presioni nga jashtë. Vetëm ky kombinim mund të bëjë që të krijohet mundësia për të shkuar drejt një qeverie teknike. Plani ekziston, na duhet veç vullneti ta zbatojmë. Partnerët ndërkombëtare janë duke pritur që demokratët të vendosin të marrin fatet e tyre në duar.

PD është shumë më tepër sesa një parti politike. Në kushte normale, një shoqëri demokratike e ka të ndarë barrën:

Shoqëria civile mbron të drejtat.
Mediat e lira kontrollojnë qeverinë.
Akademia prodhon ide.
Institucionet e pavarura garantojnë rregullat.

Sot, në Shqipëri, shumë prej këtyre janë të kapura ose të frikësuara. Prandaj, Partia Demokratike është e detyruar të bëjë më shumë se rolin e një partie politike.

Ajo është njëkohësisht opozitë institucionale, zë i shoqërisë civile, tribunë e mediave të lira dhe shpresë e qytetarëve të pambrojtur.

Ky nuk është privilegj. Është barrë. Por është edhe mision historik.

Pikërisht sepse PD mban këtë barrë, pritshmëritë ndaj saj janë më të larta. Jo vetëm nga demokratët, por edhe nga çdo shqiptar që e di se pa një PD të fortë nuk ka ndryshim të vërtetë në vend.

PD nuk është thjesht kundër kësaj mazhorance formale. Ne jemi për diçka shumë më të madhe se kaq: për ta kthyer Shqipërinë në shtëpinë tonë, jo në korridorin e ikjes.

Ne kemi një vizion afatgjatë, optimist dhe realist:

për një ekonomi që prodhon, eksporton dhe krijon vende të qëndrueshme pune;
për një shtet që mbron familjen, pronën dhe dinjitetin e çdo qytetari;
për një Shqipëri ku të rinjtë nuk e kanë ëndrrën të ikin, por të ndërtojnë jetën e tyre këtu;
për institucione që nuk varen nga tekat e një njeriu, por nga ligji;
për një vend ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë, ku krimi i organizuar nuk është partner i pushtetit, por objekt i drejtësisë.

Ky vizion nuk është slogan. Është kontrata jonë morale me shqiptarët. Dhe pikërisht ky vizion na bën të pamposhtur, edhe kur përkohësisht jemi jashtë pushtetit.

Unë kam besimin absolut se lideri historik i të djathtës shqiptare, ai që ka një trashëgimi si rrallë drejtuesë të shtetit shqiptar, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka vullnetin për të bërë këtë ndryshim rrënjësor. Eksperienca e tij, karizma dhe lidershipi i tij janë kyç për të mbajtur demokratët të bashkuar, por dhe për ta bërë PD-në më të hapur dhe më të fortë, dhe mbi të gjitha për të ndihmuar në ndërtimin e një elite të re konservatore, solide e frymëzuese për dekadat e ardhshme, një elitë që do të mbrojë dhe respektojë trashëgiminë e përbashkët politike, të tij dhe tonën, dhe mbi të do të ndërtojë Shqipërinë e shekullit XXI.

Zgjedhjet e pranverës që vjen brenda partisë nuk janë thjesht proces formal. Ato duhet të sjellin në krye të strukturave një elitë të re frymëzuese, shpresëdhënëse, njerëz që nuk shiten, nuk frikësohen dhe nuk lodhen.

Demokratët kanë nevojë të kenë pranë figura që i përfaqësojnë, jo njerëz që i përdorin. Njerëz që rrinë në terren, jo në studio televizive. Njerëz që dinë të dëgjojnë po aq sa dinë të flasin. Nga këto zgjedhje duhet të dalë një ekip që e sheh PD-në jo si trampolinë personale, por si mjet për të rindërtuar shtetin.

Vetëm kështu mund të ndërtojmë një presion afatgjatë dhe të qëndrueshëm ndaj këtij regjimi. Jo me shpërthime të shkurtra entuziazmi, por me një valë të gjatë, të vazhdueshme, të organizuar. Vetëm kështu kjo mazhorancë formale, e ngritur mbi para, frikë dhe propagandë, do të zbulohet për atë që është në të vërtetë: një pakicë e izoluar, e shkëputur nga realiteti i njerëzve.

Dhe kur kjo të ndodhë, atëherë edhe bota do ta shohë të vërtetën. Vetëm një opozitë e fortë, e organizuar dhe e qëndrueshme merr mbështetjen e duhur ndërkombëtare. Qeveritë e huaja dhe partnerët tanë strategjikë e kuptojnë shumë mirë dallimin mes një opozite të dorëzuar dhe një opozite që qëndron këmbëngulshëm për vite me radhë.

Pse pritshmëritë janë të larta? Pikërisht sepse e dimë potencialin e jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike dhe të demokratëve. E dimë se çfarë kemi bërë kur kemi qenë në qeverisje. E dimë sa reforma, sa hapa drejt Perëndimit kanë ardhur nga kjo parti.

E dimë se çfarë kostoje personale kanë paguar mijëra burra dhe gra të kësaj familjeje politike. E dimë sa netë pa gjumë, sa rroga të humbura, sa biznese të shkatërruara, sa djem e vajza të ndaluar janë sakrifikuar për një Shqipëri më të lirë.

Prandaj pritshmëritë janë të larta. Jo si presion, por si besim.

Sepse shqiptarët e dinë se, kur PD ringrihet seriozisht, sistemi tundet.

Kur demokratët organizohen vërtet, e majta nuk fle më e qetë.

Sot është koha ta themi hapur, me sinqeritet dhe guxim:

Ne kemi bërë gabime.

Ne kemi lejuar boshllëqe.

Ne nuk kemi qenë gjithmonë aty ku qytetari kishte nevojë.

Por një gjë nuk e kemi bërë kurrë në 35 vite ekzistencë: nuk e kemi tradhtuar ëndrrën për një Shqipëri të lirë, demokratike, perëndimore.

Tani është koha të bëjmë atë që bën çdo lëvizje konservatore kur goditet fort: të ngrihemi edhe më fort. Të organizohemi më mirë. Të punojmë më shumë. Të besojmë më thellë.

Ne qëndruam kur dukej se gjithçka ishte kundër nesh.

Ne qëndruam kur na sulmuan, na tradhtuan, na lanë vetëm.

Ne qëndruam kur të tjerët bënë kompromis me këtë regjim.

Tani fillon ringritja. Duhet të fillojë!

Jo nesër.

Jo “kur të vijë momenti”.

Por tani – në çdo qendër votimi, në çdo lagje, në çdo familje demokrate, në çdo zemër shqiptari që refuzon të pajtohet me këtë realitet.

Sepse ne nuk jemi thjesht opozita e një qeverie.

Ne jemi alternativa e një kombi.

Dhe koha e këtij kombi për t’u ringritur po vjen.

About Redaksia

Check Also

Ndërkombëtarët duhet ta falënderojnë Berishën

Nga Reldar DEDA Protestat opozitare kanë qenë një element i pandashëm i tranzicionit, me rezultate …