Avokati i Popullit/ Bylykbashi: Asnjë kandidaturë nuk është e ligjshme…

Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, në fjalën e tij në seancën e sotme parlamentare ngriti një sërë shqetësimesh procedurale mbi procesin e përzgjedhjes së Avokatit të Popullit, duke deklaruar se të gjitha firmat dhe propozimet për kandidatët janë tërhequr zyrtarisht, çka sipas tij e bën të pavlefshëm çdo shqyrtim të kryer deri më tani.

Ai theksoi se rregullorja e Kuvendit i jep të drejtë deputetëve të tërheqin nismat në çdo moment para votimit në parim dhe paralajmëroi se çdo zgjedhje e njëanshme do të krijonte probleme serioze kushtetuese dhe do të binte ndesh me kërkesat e Bashkimit Europian.

Oerd Bylykbashi: Rregullorja ia jep të drejtën deputetit që të tërhiqet nga projektligji, nga projektvendimi, nga projektrezolutat dhe nga kandidaturat në çdo moment. Për analogji ju citoj nenin 72. Nismëtari i projektligjit ose projektvendimit, që mund të jetë dhe një deputet i vetëm, mund ta tërheqë projektin e tij deri në çastin kur ai nuk është votuar në parim në seancë plenare. Jo vetëm kaq, po mbi bazën e vendimit të Komisionit të Ligjeve të datës 17 nëntor, i cili në fund fare e thotë fare qartë që një deputet mund të firmosë vetëm për një kandidat, me datë 5 nëntor është bërë tërheqja zyrtare e të gjitha firmave dhe e të gjithë propozimeve për të gjithë kandidatët. Që do të thotë, asnjë kandidat sot nuk ka qëndrim të ligjshëm përpara kësaj salle plenare.

Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që në përputhje me nenin 119, kjo tërheqje është bërë përpara vlerësimit përfundimtar që parashikon neni 111 i rregullores për kandidatët nëse i kanë firmat apo jo. Kur më datë 9 dhjetor, pra dy ditë më përpara, komisioni i ligjeve ka shqyrtuar kandidatët, në atë moment nuk ka patur më asnjë kandidaturë të ligjshme. Të gjithë kanë qenë me propozim të tërhequr, me firma të tërhequra. Në rastin konkret Endri Shabanit i është bërë e qartë ditën që ka marrë firmën, që në rast se ai do të do të shkojë përpara duke përdorur firmat e opozitës, por votat vetëm të mazhorancës, atij do t’i tërhiqet mbështetja. Kështu që qëndron ajo kërkesë që kemi bërë. Rikthehem tek procesi. Ju paralajmëroj gjithashtu diçka. Bashkimi Evropian nuk e mbështet nxitimin tuaj në këtë moment. Nuk mbështet as kandidaturë politike. E për rrjedhojë, janë të gatshëm të presin më shumë kohë derisa ky parlament të mbledhë firma në mënyrë konsensuale, një proces konsensual me një avokat populli i cili i qëndron në mënyrë të denjë atij funksioni. Rikujtoj edhe njëherë, dy herët e fundit, avokati i popullit në vitin 2010 ka qenë i kompromis politik në mbyllje të asaj, ju e mbani mend darkën e famshme të Krokodilit, kur kryeministri Berisha ia ofroi me një kusht të vetëm.

Me një me një kusht të vetëm. Mos të jetë persekutor politik, po të jetë dikush kushdo tjetër. E përzgjodhët në selinë e Partisë Socialiste avokatin e popullit Totozani. Në vitin 2017 ka qenë sërish marrëveshje politike që ta kishte opozita. Pra, është traditë e mirëvendosur, të cilën e keni konfirmuar ju në fund të sesionit që shkoi. Unë ju ftoj dhe njëherë t’i rikthehemi këtij procesi, në këtë përndryshe, avokati i popullit do të jetë me një cen thelbësor kushtetues, i zgjedhur pa propozim zyrtar nga deputetët e për rrjedhojë, juve do t’ju vinin pikëpyetje kushtetuese, ligjore avokatit të ardhshëm të popullit. Kështu që, ju ftoj edhe mos të përplasemi, nuk do të njihet si përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian, për këtë jua siguroj. Kështu që më mirë të bëjmë një proces, të gjejmë rrugën ne të mblidhemi, të vendosim firmat mbi kandidatët dhe më pas të fillojmë procesin e votimit.

About Redaksia

Check Also

Kërcënimet e Ramës nënshtrojnë Kushtetuesen/ Rikthehet në detyrë simboli i korrupsionit

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese Në datën 12.12.2025, Mbledhja e Gjyqtarëve e Gjykatës Kushtetuese mori në …