Tabaku: Procesi për Avokatin e Popullit i deformuar! A ka kontroll dhe balancë pushtetesh?

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, akuzoi mazhorancën se ka shtrembëruar procesin e përzgjedhjes së Avokatit të Popullit, duke injoruar kriteret e transparencës dhe meritokracisë të kërkuara edhe nga Progres Raporti i BE-së.

Në fjalën e saj në Kuvend, ajo theksoi se procedura aktuale është politike, e njëanshme dhe e pambështetur nga opozita, ndërsa rikujtoi rëndësinë që ky institucion ka për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe përzgjedhjen e anëtarëve të organeve të reja të drejtësisë.

Jorida Tabaku: Çfarë thotë progres raporti? Progres raporti thotë që përzgjedhja, procesi i përzgjedhjes dhe emërimit në disa institucione të pavarura mbetet i cënuar nga mungesa e transparencës dhe ka ndikim politik. Komisioni thekson se procedura duhet të jetë e hapur, duhet të jetë e bazuar në meritë, duhet të ndjekë kritere të qarta dhe të paracaktuara, duhet të ketë konkurencë të vërtetë në rekrutime, publikim të plotë vlerësimit të kandidatëve, por njëkohësisht profesionalizëm në përzgjedhje. Nga ana tjetër, kërkon procedura dhe transparente dhe të depolitizuara për të siguruar integritet dhe pavarësi institucionale.

Thënë kjo, çfarë ka ndodhur me procedurën për zgjedhjen e avokatit të popullit deri më sot? Mbas hapjes së thirrjes, komisioni i ligjeve dëgjoi të gjithë kandidatët të cilët kishin shprehur interesin për pozicionin e avokatit të popullit. Disa prej tyre në mënyrë individuale kishin marrë dhe kishin mbledhur firma, të cilët nuk përfaqësojnë vullnetin e grupit politik, vullnetin politik të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Mbas këtyre dëgjesave, zoti Ulsi Manja në cilësinë e kryetarit të komisionit të ligjeve, merr një vendim duke i dërguar një shkresë njëkohësisht dhe grupeve parlamentare dhe i thotë: Në vijim të njoftimit publik të datës 17 nëntor, komisioni i çështjeve ligjore vendosi, një deputet duhet të mbështesë vetëm një kandidaturë për pozicionin e avokatit të popullit dhe këtë vendim njëkohësisht e publikoi dhe në faqen e internetit të Kuvendit.

Këtu citoj përsëri vendimin në dy paragrafët e fundit të saj, që përsa më sipër vijon, i dërgon grupeve parlamentare dhe njëkohësisht gjithë deputetëve jashtë grupeve, për vlerësim nga ana e tyre dhe kërkesë për mbështetjen e deputetëve. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk ktheu asnjë përgjigje për mbështetje mbas kërkesës tuaj të kandidatëve për avokatin e popullit, por ju nisi një shkresë dhe ju kërkoi që të bëjmë një procedurë të bazuar mbi disa kritere të mirëpranuara dhe të zgjedhim një avokat populli i cili do të sigurojë që ka kontroll dhe balancë në institucion.

Le t’i kujtoj të gjithë kolegëve deputetë që avokati i popullit ka disa funksione të rëndësishme, ka funksionin për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të prodhuar raporte për shkeljen e të drejtave të njeriut, por ka edhe funksionin për përzgjedhjen e anëtarëve në institucionet e reja të drejtësisë. Institucione të cilët përfaqësimi i avokatit të popullit për anëtarët KLP, KLGJ është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Unë i dëgjova shumë me shumë interes të gjithë kolegët që thonë merrini dhe këtë. Sigurisht që mund ta merrni edhe këtë kandidaturën e avokatit të popullit, por deri më sot unë nuk besoj që ndodh në një vend tjetër demokratik që të ketë kandidaturë të mazhorancës për kryetar të SPAK-ut, kandidaturë të mazhorancës për Gjykatë Kushtetuese, kandidaturë të mazhorancës për avokat populli, kandidaturë të mazhorancës për Bankën e Shqipërisë.

Po a ka kontroll dhe balancë pushtetesh? A ka mënyrë se si mundet këto institucione të vazhdojnë dhe të sigurojnë pavarësinë e tyre nga njëra anë dhe nga ana tjetër të kemi raporte të cilat ofrojnë një farë profesionalizmi. Për këtë arsye, bazuar njëkohësisht edhe në procedurën kushtetuese për përzgjedhjen e avokatit të popullit dhe këtu i referohem edhe nenit 111, ku ka një procedurë shumë të qartë që grupi parlamentar e ka shprehur dhe e ka ndjekur sipas frymës, po edhe gërmës së ligjit, unë besoj që sot ndodhemi në kushtet që kjo seancë nuk ka çfarë të votojë.

Nuk ka asnjë propozim zyrtar nga ana e opozitës për kandidatura për avokatin e popullit. Mbas shkresës zyrtare që kryetari i Komisionit të Ligjeve i ka dërguar grupeve parlamentare.

Njëkohësisht, projektvendimi që kryetari i Kuvendit i referohet, në bazë të nenit 72, nuk ekziston sepse nuk ka prodhuar asnjë projektvendim firmat e deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët duhet të kishin sjellë në këtë seancë.

About Redaksia

Check Also

Bizneset protestojnë para bashkisë Durrës: 6 vite pas tërmetit, ende kemi ngelur rrugëve!

Disa përfaqësues të bizneseve në Durrës kanë zhvilluar sot një protestë para Bashkisë së qytetit. …