Kryetari i PD, Sali Berisha, nga foltorja e Kuvendit tha se, narkoregjimi organizoi 4553 aktivitete për të manipulura votën e zgjedhjeve të 11 majit.
Jo vetëm kaq fuqia ekzekutive e shtetit u përdor në dhjetëra e mijëra raste për punësime, leje ndërtimi, leje legalizimi, certifikata pronësi, u shkelmuan të gjitha parimet për zgjedhje të drejta dhe të lira. Ndër të tjera Berisha theksoi dhe se rezultati i zgjedhjeve u diktua nga grupet kriminale të Troplinëve, Çelëve, Bajreve, dhe paratë paratë e krimit sollën në parlament 28 deputetë.
E pikërisht raportet e OSBE/ODIHR, Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian, janë nekrologjia e farsës elektorale.
Berisha: Ky ishte një proces në të cilin pasardhësi direkt i xhelatit të diktaturës komuniste, Kristaq Rama, njeriu që firmosi varjen në litar të disidentit Havzi Nela, pasardhësi direkt i xhelatit tjetër, Spiro Koleka, që kërkoi futjen e tankeve studentëve, arrestoi në vitin elektoral liderët e partive kryesore opozitare apo i vuri ata në ndjekje penale.
Ishte një proces në të cilin shteti elektoral përdori të gjithë potencialet, burimet e tij njerëzorë, burimet financiare, burimet logjistike dhe vendimmarrjen në mënyrë që të blejë votën e shqiptarëve, të kontrollojë vullnetin e tyre.
Ishte një proces, si kurrë ndonjëherë më parë, falangat kriminale të patronazhistëve dhe aktivistëve të partisë së krimit, që paguhen nga qytetarët shqiptarë për shërbime, punonjës të administratës, zyrtarë, drejtorë, hajdutë, makutë, që tani janë edhe këtu, përdorën të gjithë fuqinë e pushtetit, të gjitha mjetet e pushtetit për të kontrolluar vullnetin politik të qytetarëve shqiptarë.
Ishte një proces, në të cilin fuqia ekzekutive e shtetit u përdor në dhjetëra mijëra raste për punësime, leje ndërtimi, leje legalizimi, certifikata pronësie.
Ishte një proces, në të cilin duke shkelmuar të gjitha parimet për zgjedhjet e drejta, u falën dy ditë para zgjedhjeve 2 miliardë euro gjoba dhe kamata.
Ishte një proces, në të cilin u dhurua për votë 760 mijë pensionistëve, 100 euro secilit.
Ishte një proces, në të cilin u shpërndanë licenca për mbjellje kanabisi 28 mijë hektarë, kundrejt 200 hektarëve që parashikonte ligji.
Ishte një proces në të cilin Troplinët, Çelët, Bajrët, bandat me radhë në rrethe, me hanxharët e krimit dhe paratë e krimit, sollën në parlament 28 deputetë.
Pra, ishte një proces, të cilin… kanë ikur ata se e dinin se do i nxirrja me emër, kisha listën këtu që t’i listoja të gjithë… pra ishte një proces që dëshmonte qartë se ju qëndroni në pushtet mbi krimin monstruoz elektoral.
Ishte një proces në të cilin Altin Troplini, Poja i Skapit, në mbi 100 e ca padi, amnistoi në total të gjitha.
Ishte pra një proces në të cilin ju nxorët fytyrën e vërtetë të armiqve të egër të votës së lirë dhe vullnetit të shqiptarëve.
Ishte një proces në të cilin ju përdorët banditizmin, dhe ai që tani fshihet pas Lubisë, në mëshirë të Lubisë, po, po, atje do të shkojë, më dëgjo mua… ai thirri në zyrë dhe kërcënoi në mënyrën më banditeske kryevëzhguesin e zgjedhjeve, në mënyrë që të ndryshonte raportin.
Ishte një proces në të cilin, ai që fshihet pas Lubisë, bëri përpjekjet më të jashtëzakonshme për të ndryshuar raportin.
Ishte një proces ku vëzhguesit u kërcënuan për heqje të akreditimit.
Por ishte një proces në të cilin ju, megjithëse bëtë gjithçka për ta maskuar, morët damkën përfundimtare si armiq të egër të votës së lirë.
Për qytetarët shqiptarë, unë do i informoj shqiptarët vetëm për tre konkluzione.
I deleguari që kryesoi, deputeti që kryesoi grupin e Këshillit të Europës që kryesoi zgjedhjet, shkruan në rekomandimet e raportit, në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti.
Kaq. Pra zgjedhje nuk kishte.
Aty ku ka parti shtet, nuk ka zgjedhje, ka farsë.
Dy, përfaqësuesi i shquar i eurodeputetëve të Partisë Popullore, do të deklaronte në asamblenë politike të PPE se në Shqipëri krimi dhe kartelet nuk lejojnë rrotacionin e pushtetit.
Ishte një proces, në të cilin dështoi çdo përpjekje për të cenuar raportin dhe morët ndëshkimin më të madh ndërkombëtar.
Me këtë proces dhe me këtë raport, unë gjej rastin të shpreh mirënjohje të pakufishme atyre 300 vëzhguesve nga dhjetëra vende, të cilët firmosën tre raportet, të OSBE/ODIHR, të Këshillit të Europës, Parlamentit Europian, të cilat janë nekrologjia e farsës elektorale në Shqipëri.
Gazeta RD