Edi Rama, sot nuk ka më asnjë alibi!

Nga Tomor ALIZOTI

Edi Rama, sot nuk ka më asnjë. Asnjë alibi. Nuk ka njeri, as në zyrën tënde, as në oborrin e partisë, as në rrethin tënd familjar e politik – që të mos e dijë: je i zhytur deri në palcë në llumin më të errët të korrupsionit dhe krimit. Çdo gjë që të rrethon mban erën e kalbëzimit të pushtetit të vjedhur.

Oborri i servilëve – një zinxhir i vetëm interesash të pista, i lidhur fort rreth emrit tënd. Ti nuk qeveris më. Ti fshihesh. Nuk udhëheq më. Ti mbrohesh.

Kërcënimi që i bën drejtësisë me 83 mandate deputetësh nuk është forcë. Është panik. Është britma e një njeriu të rrethuar, që tund numra sepse i ka mbaruar e vërteta. Sot nuk frikëson askënd. Sot je i zhveshur. I ekspozuar. I kapur në kurthin e llumit që e gatove vetë me duart e tua.

Fjalët nuk të shpëtojnë më. As propaganda. As pikturat. As shfaqjet. Maskat ranë dhe pushteti yt tani duket siç është: një strehë për frikën tënde personale.

Ke vetëm një zgjedhje të fundit përpara historisë: të shpëtosh Shqipërinë nga poshtërimi.

Mos e ngarkoni këtë vend me turpin e pashlyeshëm të arrestimit të një kryeministri në detyrë. Nëse në fund të kësaj rruge të errët të ka mbetur qoftë edhe një fijë dinjiteti njerëzor, edhe pse është luks t’ia kërkosh një njeriu të tillë – jep dorëheqjen.

Sot. Pa teatër. Pa vonesa.

Mos prit fundin e “nënës” së “djellës”, të izoluar pa pranga, si simbol i një sistemi që po shtrëngon lakun. Ajo i shpëtoi burgut si grua. Ti, bëhu burrë dhe përballu.

Shqipëria nuk ta ka borxh këtë turp. Historia nuk i fal hajdutët në detyrë.

About Redaksia

Check Also

Enveri ia asgjësoi Shqipërisë vlerat intelektuale, Piktori ia zhvati ato materiale

Nga Kim MEHMETI ‘Shqipritë’ tona shenjë njohëse kanë popullin e varfër dhe politikanët e pasur. Pra …