Ka nisur me tensione mbledhja e Sekretariatit të Etikës mëngjesin e kësaj të premte, ku pritet të shqyrtohet kërkesa e Partisë Socialiste për masat disiplinore ndaj 29 deputetëve të Partisë Demokratike.
Opozita ka kërkuar që mbledhja të mbahet me dyer të mbyllura por kjo kërkesë nuk është marrë parasysh dhe mbledhja po zhvilliohet me dyer të hapura.
Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën u mblodh sot në orën 09:00 për të shqyrtuar kërkesën e PS-së për përjashtimin e 29 deputetëve të opozitës. Lëvizja e maxhorancës, synon të përjashtojë deputetët e opozitës nga punimet e kuvendit, me fuqinë e kartonëve. Pjesë e këtyre punimeve, nga të cilat maxhoranca kërkon përjashtimin e opozitës është dhe mbledhja e Këshillit të Imunitetit dhe Legjislacionit, ku do të diskutohet kërkesa e SPAK-ut për heqjen e imunitetit ndaj Ballukut, që i hap rrugë arrestimit të saj.
Përfaqësuesit e opozitës kërkuan që mbledhja të zhvillohet me dyer të hapura dhe të sillen prova.
“Do të duhet që mbledhja të jetë e hapur. Po kërkoni të përjashtoni 29 deputetë të opozitës pa të drejtë. Kërkoj që të na vini në dispozicion provat dhe që ato të jenë publike”, tha deputeti i PD-së Saimir Korreshi.
Kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi tha se secili prej deputetëve që ka firmosur duhet të tregohet i përgjegjshëm. Prandaj propozoi që mbledhja të shtyhet për javën tjetër dhe secili deputet të njihet me provat.
Secili deputet që ka firmosur për pezullimin e mandatit për 60 ditë, 30 ditë apo 10 ditë duhet të tregohen të përgjegjshëm. Të tregohen të përgjegjshëm dhe të paraqesin fakte. Të mos vijnë këtu dhe të akuzojnë me terma të Sigurimit të Shtetit. Na quajnë grupazh, kur në fakt gjykata e ka treguar se grup i strukturuar kriminal është qeveria e Edi Ramës.
Këtu ju keni përfshirë deputetë që nuk kanë bërë asgjë në Kuvend, por keni dashur të fshini opozitën nga Kuvendi, sepse doni një Kuvend njëpartiak. Thoni këtu: qëllim keni pasur pengesën tonë në Këshillin e Imuniteteve, prandaj edhe ua caktua mbledhja në orën 9:00
Kështu që propozoj të shtyhet mbledhja për javën tjetër dhe secili deputet të njihet me provat”
Pas kësaj mbledhja u shty për të martën në orën 10:00
Pse kërkojnë përjashtimin?
PS kërkon përjashtimin e të gjithë deputetëve të opozitës pas situatës së tensionuar në Kuvend, në seancën e 18 dhjetorit, ku opozita kërkoi që maxhoranca të japë llogari për Belinda Ballukun.
Socialistët kërkojnë të përjashtohen nga seancat dhe komisionet parlamentarë 29 deputete me masë 60, 30 dhe dhjetë ditë. Pjesë e këtyre punimeve, nga të cilat maxhoranca kërkon përjashtimin e opozitës është dhe mbledhja e Këshillit të Imunitetit dhe Legjislacionit, e thirrur sot në orën 10:00 ku do të diskutohet kërkesa e SPAK-ut për heqjen e imunitetit ndaj Ballukut, që i hap rrugë arrestimit të saj.
Në kërkesën me listën me 29 emra, socialistet kërkojnë edhe përjashtimin e kryetarit të PD, Sali Berisha dhe kreun e grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi me 30 ditë.
Gazeta RD