Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka akuzuar mazhorancën socialiste se po zbaton një skenar të urdhëruar nga kryeministri Edi Rama për të zvarritur dhe penguar drejtësinë në çështjen ndaj ish-ministres Belinda Balluku. Pas mbledhjes së tensionuar të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, Bardhi deklaroi se shtyrja e mbledhjes pa afat është një taktikë për t’i dhënë kohë Ballukut të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët.
Sipas Bardhit, strategjia nisi me fshehjen e një pjese të dosjes hetimore. “Kryetarja e Kuvendit e kishte kyçur në një kasafortë USB-në e famshme me materiale. Kyçja ishte bërë për t’i dhënë alibinë të pandehurës Belinda Balluku për të kërkuar shtyrjen e mbledhjes, me pretendimin se nuk ishte e përgatitur”, theksoi ai.
Ai shtoi se Prokuroria e Posaçme (SPAK) konfirmoi në mbledhje të drejtën e deputetëve për akses të plotë në dosje dhe theksoi se çështja është urgjente, pasi çdo vonesë rrezikon hetimin. Prokurorët, sipas Bardhit, kanë argumentuar se Balluku tashmë po intimidon vartësit e saj që kanë dhënë dëshmi.
Pas këtij zhvillimi, Bardhi njoftoi se pesë anëtarët e opozitës në Këshill do të përdorin të drejtën e tyre ligjore për të thirrur mbledhjen e radhës të hënën ose të martën e javës së ardhshme, duke i dhënë të pandehurës një afat të arsyeshëm 72-orësh për t’u përgatitur, një standard i ndjekur në raste të mëparshme si ai i Arben Ahmetajt.
Gazment Bardhi: Gjatë gjithë mbledhjes së sotme, ku nëse do ishte respektuar qëndrimi jonë, ju do ishit në dijeni një lloj me ne, se kur është caktuar mbledhja tjetër. Së pari kemi kërkuar sipas rregullores së Kuvendit, Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që mbledhja e sotme të ishte transparente për qytetarët, me përfaqësues të medias në mbledhjen e Këshillit dhe e hapur për opinionin publik. Sigurisht, duke lënë të mundshëm opsionin që sa herë prokuroria të çmonte që do të informonte anëtarët e Këshillit të rregullores për një çështje që e çmojnë si sekret hetimor, ne të ndërprisnim mbledhjen dhe të largonim median nga mbledhja. Ky ka qenë diskutimi i parë që kemi bërë, e para për të shmangur çdo keqkuptim mbi qëndrimet e secilit anëtar në mbledhje dhe së dyti, si pasojë e llogaridhënies që deputetët do duhet t’i japin qytetarëve për qëndrimet e tyre. Kjo kërkesë pa votim nga Këshilli nuk u mor në konsideratë dhe unë dua t’ju informoj që ne sot nuk kemi diskutuar asnjë çështje që përbën sekret hetimor. Jemi marrë vetëm me procedurë. Procedura e parë ishte ajo që ka 48 orë për të cilën ju jeni në dijeni, nëse deputetët kishin apo jo të drejtë të kishin të plotë dosjen e sjellë nga Prokuroria e Posaçme. Dhe ajo që deputetët, anëtarë të opozitës në Këshillin e Rregullores kishin thënë prej të gjithë këtyre ditëve, u konfirmua edhe nga Prokuroria e Posaçme. Po, sipas ligjit, secili deputet, anëtar i Këshillit të Mandateve, do të duhet ta ketë të plotë, përfshirë USB-në e famshme që kryetari i Kuvendit e kishte kyçur në një kasafortë që nuk e dimë ku ndodhet gjatë gjithë këtyre orëve, dhe sot u zbulua edhe skenari pse e kishte kyçur USB-në.
Kyçja e USB-së ishte bërë për t’i dhënë alibinë të pandehurës Belinda Balluku për të kërkuar shtyrjen e mbledhjes me pretendimin që nuk është e përgatitur se nuk ka lexuar të plotë materialin. Dhe në kuadër të të drejtës për t’u mbrojtur, sigurisht edhe të deputetëve dhe anëtarëve për t’u njohur me materialet e plota, pesë anëtarët e opozitës në Komisionin e Mandateve kërkuan që mbledhja të ndërpritej, deputetët të pajiseshin me materialin e plotë dhe të rimbildheshim për të dëgjuar prokurorinë dhe të pandehurën Balluku të hënën në mëngjes.
Për fat të keq, u zbulua skenari që në fakt është i njohur për këdo merret me politikë, që Edi Rama nuk e ka vendosur akoma se çfarë do të bëjë me Belinda Ballukun dhe po i jep kohë vetes. Po i jep kohë vetes të njihet me materialin e provë, me provat e plota, deri ku shkon përgjegjësia e tij dhe sa të dhëna ka për të në atë dosje dhe së dyti, se deri në ç’nivel mund të shkojë kërcënimi apo rreziku që ja sjell lëshimi i Belinda Ballukut. Dhe u bënë aq qesharakë sa kërkuan që mbledhja e radhës të jetë pas një muaji. Pra rreth datës 20 janar. Ndërkohë që nga ana tjetër, prokurorët e posaçëm, tre prokurorët e posaçëm, të cilët unë dua t’i falenderoj për profesionalizmin e treguar gjatë mbledhjes së sotme, por dhe për durimin që patën për të na dëgjuar në diskutimet tona të procedurës se si kryetari i Kuvendit do duhet të respektonte ligjin. Bënë të qartë që çdo vonesë, pra kjo është një çështje e ngutshme u shpreh prokuroria dhe se çdo vonesë mund të na rrezikojë provat apo intimidimin e dëshmitarëve.
Në mënyrë krejt të paarsyeshme, edhe pse kërkuan 20 minuta pushim për t’u konsultuar për datën e mbledhjes së ardhshme, kryetari i Kuvendit u rikthye në mbledhje dhe tha e mbyll mbledhjen, për datën do t’ju njoftoj në një moment tjetër. Me sa kuptova, në 20 minuta pushim Edi Rama nuk i është përgjigjur në telefon.
Dhe kjo është shumë e rëndë që Kuvendi i Shqipërisë të bëhet pengesë për drejtësinë dhe t’i japë kohë të pandehurës Belinda Balluku që të prishë prova, të njihet me dëshmitarët që kanë dhënë deklarata, sepse tashmë do të marri të plotë edhe USB-në, të ketë edhe më shumë kohë për të intimiduar dëshmitarë. Kjo është e papranueshme për opozitën, kjo është e papranueshme për pesë anëtarët e opozitës në Këshillin e Mandateve. Dua t’ju informoj që sipas rregullores ka dy forma se si mblidhet Këshilli i Rregullores dhe Mandateve.
Njëra formë klasike, kur ke një kryetar Kuvendi të përgjegjshëm, është që e thërret kryetari i Kuvendit. Forma tjetër është që e thërras, e thërret 1/2 e anëtarëve të Këshillit dhe dua t’ju informoj që pesë anëtarët e opozitës në Këshill do të thërrasin mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve të hënën, maksimumi të martën e fillim javës që vjen. Për të mos krijuar asnjë vonesë, sigurisht për t’i dhënë një kohë të caktuar të pandehurës që të vijë dhe të mbrojë veten, sepse e ka të drejtë ligjore, por nuk është detyrimi i Kuvendit, nëse nuk do të mbrohet, ne nuk e detyrojmë dot. Kështu që është e drejtë e saj që të vijë ta ushtrojë. Në një kohë, ju jeni gazetarë që keni ndjekur zhvillimet e Kuvendit prej vitesh tashmë. Nuk ka ndodhur kurrë që të mblidhet Këshilli i Mandateve dhe të mbyllim mbledhjen për të shqyrtuar një kërkesë të prokurorisë pa caktuar një datë të një mbledhje tjetër.
Dhe gjithmonë koha ka qenë minimumi 48 orë, maksimumi 72 orë. Ne vlerësuam, duke qenë se s’na ishin vënë edhe vetë anëtarëve materialet e plota, që një kohë prej 72 orësh ishte e mjaftueshme që Këshilli të mblidhej, e pandehura Balluku të kishte kohë për t’u mbrojtur, prokurorët të kishin kohë për të prezantuar kërkesën e tyre.
Pyetje: E morët ju atë USB-në?
Gazment Bardhi: Këshilli ka marrë vendimin që do i shpërndahet cilitdo deputet që ka dëshirë t’i marri provat. Bëhet fjalë për 10 anëtarët e Këshillit. Pra sepse jemi në këtë fazë, në këtë moment. Pra anëtarët e Këshillit kanë kërkuar, pesë anëtarët e opozitës që të jemi të vërtetë, se ndodhi edhe një absurd tjetër që nuk është sekret ta themi, s’kishte asgjë sekrete në seancë. Tre orët e para të mbledhjes, kolegët e mazhorancës ishin me qëndrimin që ne nuk do t’i merrnim provat se nuk kemi çfarë i duam provat, se nuk duam t’i shqyrtojmë provat. Kur prokuroria konfirmoi që për ne nuk ka asnjë problem, sepse është e drejtë ligjore dhe detyrimi jonë ligjor që deputetët të njihen me provat, e di çfarë bën? Thanë janë shumë faqe, na duhet një muaj kohë t’i shqyrtojmë. Pra, nga nuk i duam t’i shqyrtojmë, tek na duhet një muaj t’i shqyrtojmë. Dhe kjo është tallje me këtë proces. Kanë vendosur të mbrojnë një të pandehur, kanë vendosur t’i japin kohë asaj dhe Edi Ramës për të prishur provat, për të intimiduar dëshmitarët dhe për të prishur procesin hetimor që ka nisur në ngarkim të saj, po që do duhet të përfundojë me urdhëruesin e vërtetë të aferave korruptive për të cilat akuzohet Belinda Balluku, që është Edi Rama.
Pyetje: Ju thatë që keni të drejtë në bazë të rregullores, ju lejon që ju pesë anëtarët e opozitës të kërkoni mbledhjen e Këshillit. Po nga ana tjetër thatë që zonja Balluku ka të drejtë të mbrohet. Përfaqësuesit e saj ligjorë kanë kërkuar tre javë.
Gazmen Bardhi: Po ai mund të kërkojë dhe tre muaj që i djegja afatin e rregullores. Ne, detyrimi i Këshillit të Rregullores është të ndjekë një proces të rregullt ligjor. Procesi i rregullt ligjor nënkupton që t’i lejosh personit të akuzuar një kohë të arsyeshme për t’u përgatitur. Dhe tradita parlamentare, veçanërisht e pesë viteve të fundit, ku kemi trajtuar disa raste, që nga krijimi i Prokurorisë së Posaçme, ka qenë një kohë e arsyeshme 48 orë deri në maksimumin 72 orë. Kaq kohë i kemi lënë Arben Ahmetaj, deputetëve të opozitës të akuzuar, s’kujtoj, disa deputetë të tjerë të mazhorancës, pra kjo ka qenë koha e arsyeshme që Këshilli ka gjykuar për t’u ushtruar e drejta e mbrojtjes. Nuk ka patur asnjë pretendim nga askush. Dhe po ju them atë që thashë në mbledhje. Nuk mund të ketë Belinda Balluku më shumë të drejta se të tjerët që janë ulur në të njëjtën karrige përpara saj…
…Arben Ahmetaj ka patur 15.000 faqe e nderuar. E kam unë USB-në akoma në zyrën time. Kush donte ta merrte e mori pa asnjë pengesë. Kësaj here e bëmë se kur nuk e kuptonim ligjin, dhe pse ligji ishte i qartë. Dhe i është lënë vetëm 48 orë kohë. Sepse, e përsëris, prokuroria këmbëngul që kjo është një çështje e ngutshme. Prokuroria në kërkesë ka argumentuar që Belinda Balluku po intimidon varësit e saj që kanë dhënë dëshmi. Personi që është intimiduar, është një person që ka shkuar në prokurori dhe ka treguar të vërtetën sipas akteve të prokurorisë dhe është intimiduar nga e pandehura. Tani ajo do marri dëshmitë e çdo personi që është pyetur nga SPAK-u dhe ne do t’i japim një muaj derisa t’i intimidojë të gjithë. Kjo është të prishësh hetimet. Dhe e përsëris, nuk ka më shumë të drejta se çdo deputet tjetër Belinda Balluku. Po, mund të ketë një rrezik më shumë për Edi Ramën se mund t’i ketë më shumë të dhëna të bashkëpunimit në këto krime, por nuk ka më shumë të drejta se asnjë deputet tjetër. Kanë marrë 48 orë deri në 72 orë në pesë vitet e fundit që nga krijimi i Prokurorisë së Posaçme. Dhe ne do të ruajmë një standard. Pastaj e pandehura mund të thotë unë dua edhe të ha bakllavanë, edhe të ha gjelin e detit, edhe të kem kohë për të intimiduar dëshmitarët, edhe të kem kohë për të grisur dokumentat. Por ne prandaj jemi këtu për të garantuar një proces normal brenda të drejtës së saj kushtetuese…
Gazeta RD