Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, u shpreh se kjo javë ka zbuluar një korrupsion të paprecedent në Shqipëri, ministrja dhe zëvendëskryeministrja Lubi Balluku, e cila nisi karrierën nga babysitter në Bashkinë e Tiranës, tashmë është pronare e 300 apartamenteve dhe dy jahteve.
Berisha theksoi se ky pasurim i jashtëzakonshëm i mundësuar përmes ryshfeteve dhe abuzimeve me tenderat publikë, dëshmon për përmasat e korrupsionit në Shqipëri, të ngjashme me ato të diktaturave afrikane të viteve ’60-’70.
Berisha: Mirëdita dhe një përshëndetje të përzemërt të gjithë ju demokrateve dhe demokratëve, qytetareve dhe qytetarëve që ndiqni këtë bisedë të përjavshme në rrjetet e mia sociale.
Mendoj se kjo javë është karakterizuar nga zhvillime dhe zbulime, të cilat ndoshta kanë tejkaluar shumë imagjinatën e shumicës dërrmuese të shqiptarëve.
Këtë javë, nga dosja e Lubi Ballukut, qytetarët shqiptarë mësuan se ministrja dhe zëvendëskryeministrja, që ndër të tjera kishte qenë nga babysitter në një punonjëse në bashkinë e Tiranës, është pronare e 300 apartamenteve, e dy jahteve dhe shumave përrallore, akoma të pagjetura në kontot e saj.
Një ministër shqiptar, apo zëvendëskryeministër, që siguron 300 apartamente me ryshfet dhe korrupsion, që blen dy jahte dhe kushedi sa çfarë pasurish të tjera, dëshmon se korrupsioni në Shqipëri, korrupsioni i Edi Ramës dhe enturazhit të tij, është i përmasave të diktaturave afrikane të 30 viteve më parë.
Ky korrupsion të rikujton diktatorët Bokasa, Mobutu, Gadafi, të cilët kishin plaçkitur miliarda qytetarëve të tyre, dhe në tërësi i kishin vendosur në bankat e Zvicrës apo vendeve të tjera.
Që një ministre, në një hark kohor të shkurtër, të bëhet me 300 apartamente, të gjitha duke i blerë me paratë tuaja, duke u dhënë tendera kundrejt apartamenteve kompanive makute, pra një pasurim të tillë marramendës mund të gjendet vetëm në diktaturat e dikurshme afrikane.
Por kjo tregon gjithashtu se tandemi apo dyshja Rama-Balluku janë një dhe të pandarë, dhe në qoftë se Balluku është pronare apo disponon 300 apartamente dhe dy jahte, u garantoj se në vlerë, Edi Rama minimumi disponon vlerën e 1500-2000 apartamenteve.
Gazeta RD