Është zbardhur një pjesë nga dosja e SPAK për abuzimet me tenderat e AKSHI-t. Në argumentet e SPAK, theksohet se Karçanaj ka njohje të drejtpërdrejta me Ermal Beqirin, ky i fundit ortak i shoqërive tregtare që marrin pjesë në tendrerat e AKSHI-t.
Takimet e drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj janë konfirmuar nga kamerat e fshehta.
Në një ndër bisedat e përgjuara mes Karçanajt dhe Beqirit theksohet se: “Znj. Mirlinda Karçanaj rezulton të ketë njohje të drejtpërdrejta me shtetasin Ermal Beqiri, ky i fundit ortak i shoqërive tregtare, operatorëve ekonomikë që marrin pjesë në procedurat e prokurimit publik të zhvilluar nga Autoriteti Kontraktor, AKSHI.
Të dhënat e përftuara nga pamjet filmike, të cilat ndodhen në pajisjen kompjuterike të sekuestruar “4-Smart Battery Camera”, tregojnë se këta shtetas janë lidhje e njëri-tjetrit dhe flasin edhe për procedura apo detyra që lidhen me projekte në dukje prokurimi, pasi përmendin se “projekti bën 2 milion, ne do ta bëjmë 4”, ose “nuk futet as në eksperiencë”, të cilat nënkuptojnë përcaktimin e kritereve të procedurave të prokurimit, vlera e kontratave që do të publikohen (fondi limit) etj”.
Në dëshminë e saj Mirlinda Karçanaj, sipas SPAK, nuk ka mohuar njohjen me Ermal Beqirin.
“Lidhur me shtetasin Ermal Beqiri, znj. Karçanaj ka deklaruar se e ka takuar njëherë rastësisht në zyrën e z. Agasi, ku ai donte të bënte një partneritet me një kompani izraelite, dhe e ka pyetur atë për zgjidhje teknike.
Prezent në ambient ka qenë edhe z. Beqiri, i cili sipas deklarueses ka qenë prezent në mënyrë rastësore. PO ashtu, me z. Beqiri deklaron që ka patur një udhëtim të përbashkët, me shumë përfaqësues të tjerë të shoqërive të teknologjisë dhe informacionit, të cilët kanë krijuar një organizatë jofitimprurëse.
Në fakt, takimi konfirmon faktin se të tre këta shtetas janë lidhje e njëri-tjetrit” thuhet në dosjen e SPAK.
Gazeta RD