Kultivim droge/ Vëllai i ish-deputetit të PS dënohet me 4 vite dhe 4 muaj burg

Vëllai i ish-deputetit të Qarkut Lezhë, Eduard Ndreca, është dënuar për kultivim të bimëve narkotike me 4 vite e 4 muaj heqje lirie.

Gjykata e Lezhës ka dënuar me gjithsej 17 vite e 8 muaj burg tre persona të marrë të pandehur në lidhje me kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Kashnjetit, mes të cilëve edhe vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Eduard Ndreca.

Armando Ndreca u gjet fajtor për kryerjen e veprave penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” dhe u dënua me 4 vite e 4 muaj burg. Ndërsa për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Lirim Bulica, e shpalli të pafajshëm.

Po ashtu, dy personat e tjerë të përfshirë në këtë veprimtari, Elvis Shpellzaj dhe Armel Nikdukaj, u dënuan me nga 6 vite e 8 muaj burg secili për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.

Të tre personat përfituan lehtësira nga gjykimi i shkurtuar dhe bashkimi i dënimeve. Ata u arrestuan nga Policia e Lezhës në muajin prill të vitit 2024, pasi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur një stan për kultivimin e drogës.

Nga ky ambient u sekuestruan 2 973 bimë narkotike (disa prej tyre fidanë të gatshëm për t’u kultivuar në tokë), një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 50 llamba, pajisje ventilimi, sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale, si dhe tre aparate celularë./BIRN

About Redaksia

Check Also

“DE TELEGRAAF”: Shpërthen zemërimi kundër shtetit mafioz në Shqipëri!

Shqipëria rrëshqiti të hënën në mbrëmje drejt kaosit. Në Tiranë, një protestë masive kundër qeverisë …