Paralajmërimi i fortë nga SHBA/ “Sanksione për individë që minojnë demokracinë dhe sundimin e ligjit”

Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka prezantuar një projektligj të ri të titulluar “Western Balkans Democracy and Prosperity Act”, i cili synon të rrisë tregtinë, investimet dhe mbështetjen politike amerikane për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Projektligji, i depozituar më 10 shtator 2025 në Dhomën e Përfaqësuesve, përfshin Shqipërinë, Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Kroacinë, dhe e cilëson rajonin si kyç për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Evropës.

Në këtë raport të Kongresit të SHBA për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit, theksohet se pavarësisht progresit, varfëria dhe papunësia janë në nivele të larta në Shqipëri dhe vendet e tjera në rajon.

“Të promovojmë rritje dhe zhvillim në rajon dhe se reformat kanë risjellë përparim në rajonin e BP, por sërish varfëria dhe papunësia janë më të larta në Ballkanin Perëndimor. Korrupsioni dhe dezinformimi përhapen në mjedise politike të karakterizuara nga kontrolli autokratik ose konflikti partiak”, thuhet në raport.

Edhe pse projektligji nuk përmend Shqipërinë me emra konkretë apo raste specifike, ai e përfshin vendin qartësisht në analizën dhe politikat për Ballkanin Perëndimor, duke vendosur theks të fortë në disa problematika që prekin drejtpërdrejt edhe Tiranën zyrtare.

Problemi kryesor sipas Kongresit amerikan: korrupsioni dhe dobësia institucionale.

Kongresi e identifikon korrupsionin, veçanërisht në nivelet e larta politike, si pengesën kryesore për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të rajonit. Shqipëria, si pjesë e Ballkanit Perëndimor, përfshihet në këtë shqetësim, sidomos në:

sistemin e drejtësisë,

prokurimet publike dhe tenderat,

institucionet e pavarura dhe zgjedhjet.

Pikat kryesore të projektligjit:

Forcimi i demokracisë dhe lufta kundër korrupsionit, përfshirë mbështetje për gjyqësorin, prokurimet publike dhe mediat e pavarura.

Rritja e tregtisë dhe investimeve amerikane në rajon, veçanërisht në energji të pastër, infrastrukturë, bujqësi, teknologji dhe bizneset e vogla.

Ulja e varësisë nga energjia ruse, duke nxitur diversifikimin energjetik dhe burimet e rinovueshme.

Kodifikimi i sanksioneve amerikane për individë dhe subjekte që minojnë stabilitetin, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor.

Raporte të detyrueshme mbi ndikimin destabilizues rus dhe kinez, përfshirë fushata dezinformimi, ndërhyrje politike dhe kërcënime kibernetike.

Mbështetje për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturës digjitale në vendet e rajonit.

Zgjerimi i programeve arsimore dhe shkëmbimeve, përfshirë universitetet, Peace Corps dhe nisma për të rinjtë.

Krijimi i “Young Balkan Leaders Initiative”, një program i zgjeruar për zhvillimin e liderëve të rinj (18–35 vjeç) në fushat e biznesit, teknologjisë, qeverisjes dhe gazetarisë.

Mbështetje për integrimin euroatlantik, duke riafirmuar përkrahjen e SHBA për anëtarësimin në BE dhe NATO të vendeve që plotësojnë kriteret.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Çdo ditë e Edi Ramës në pushtet është një rrezik madhor për çdo shqiptar!

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se çdo ditë e Edi Ramës në pushtet është …