Vlora pa ujë prej më shumë se 48 orësh, reagon dega e PD

Deklaratë e PD Dega Vlorë,
nga Sekretari Funksional z.Rezenbrik Serjani, lidhur me situatën e mungesës së furnizimit me ujë në qytetin e Vlorës

Vlora është pa ujë prej më shumë se 48 orësh. Në fund të vitit, në vigjilje të Vitit të Ri, Vlora po trajtohet si një zonë e braktisur, ku qytetarët detyrohen të furnizohen me ujë përmes bolierëve, sikur të ishim në mes të një krize.

Ky nuk është problem teknik i rastësishëm. Kjo është vjedhje, korrupsion dhe papërgjegjshmëri institucionale.

Prej vitesh, Bashkia Vlorë dhe Ujësjellësi i qytetit tenderojnë dhjetëra milionë euro çdo vit, gjoja për investime në ujë të pijshëm dhe kanalizime. Në realitet, këto para zhduken, ndërsa qytetarëve u mungon shërbimi më elementar për jetën: uji.

Ujësjellësi i Vlorës është kthyer në një skemë të organizuar keqmenaxhimi dhe korrupsioni, e mbrojtur nga drejtuesit e Bashkisë dhe nga qeveria. Çdo vit premtohen investime, çdo vit hapen tendera, dhe çdo vit Vlora mbetet pa ujë. Ky është modeli i tyre i qeverisjes: tendera fiktive, propagandë dhe zero përgjegjësi.

Përgjegjësit janë të qartë. Janë drejtuesit e Bashkisë Vlorë dhe qeveria, të cilët jo vetëm që kanë dështuar, por kanë zgjedhur që paratë publike t’i përdorin për korrupsion dhe klientelizëm, duke e lënë qytetin pa ujë, pa dinjitet dhe pa siguri shëndetësore.

Kjo situatë është kriminale. Të lësh një qytet të tërë pa ujë në fund të vitit është akt i rëndë papërgjegjshmërie dhe abuzimi .

Ujësjellësi i Vlorës nuk është më një institucion shërbimi publik, por një çetë militante, ku paratë e qytetarëve vidhen në mënyrë të orkestruar dhe të dirigjuar nga drejtuesit e Bashkisë Vlorë dhe nga qeveria, përmes autoriteteve dhe ministrisë përkatëse.

Punimet që kryhen janë të dobëta, pa standard dhe pa cilësi. Defektet janë të vazhdueshme dhe të përsëritura, jo për shkak të rasteve të paparashikuara, por si pasojë direkte e abuzimit, mungesës së kontrollit dhe investimeve fiktive. Tubacionet dëmtohen pak kohë pas “rikonstruksioneve”, rrjeti shembet dhe qyteti mbetet pa ujë.

Ndërkohë, tenderimet dhe kontraktimet vazhdojnë çdo vit të dalin nga buxheti i taksave të qytetarëve. Miliona euro shpallen si investime, por në terren nuk ka asnjë përmirësim real. Qytetarët paguajnë, por nuk marrin shërbim. Paratë vidhen, ndërsa përgjegjësia zhduket.

Vlora nuk po vuan nga mungesa e ujit, por nga korrupsioni !

Ne denoncojmë hapur këtë dështim të qëllimshëm dhe kërkojmë:
-transparencë të plotë për çdo tender dhe çdo euro të shpenzuar;
-përgjegjësi ligjore për drejtuesit e Ujësjellësit dhe Bashkisë Vlorë;
-zgjidhje të menjëhershme dhe të qëndrueshme për furnizimin me ujë të pijshëm.

Uji është e drejtë, jo privilegj dhe jo mjet për korrupsion e propagandë

About Redaksia

Check Also

Këlliçi: Dhuna e Ramës është shenja e fundit e një narkoshteti në rënie! Ne nuk trembemi!

Deputeti i PD, Belind Këlliçi duke folur në ‘Foltoren’ tek kryeministria theksoi rolin historik të …