Drejtuesi demokrat i PD i qarkut të Korçës, Ivi Kaso në një fjalim të mbajtur para anëtarëve dhe simpatizantëve, në prani edhe të liderit historik Sali Berisha, theksoi se vendi ndodhet në një udhëkryq kritik dhe se ka ardhur koha për “betejën e fundit” për të përmbysur “neo-diktaturën”.
Në foltoren e organizuar sot pasdite në Korçë, Kaso tha se Shqipëria ndodhet në një situatë të vështirë ku “Krimi i organizuar ka kapur shtetin, zgjedhjet dhe të gjitha institucionet dhe mbi 1 milion shqiptarë kanë lënë vendin, ndërsa varfëria dhe padrejtësia i janë bërë pjesë e përditshmërisë. Prandaj, PD-ja nuk mund të rrijë duarkryq dhe është e vetmja shpresë dhe “instrumenti i vetëm politik dhe
Fjala e Ivi Kasos
Të nderuar demokratë dhe themelues dhe funksionarë të saj ndër vite, të dashur miq dhe qytetarë të Korçës që keni mbushur këtë sallë plot.
Jemi mbledhur sot këtu për të mirëpritur kryetarin e Partisë Demokratike doktor Berishën, për të bashkëbiseduar me të për gjithçka që na mundon, por dhe na bën bashkë dhe krenarë sot si demokratë.
Në një ditë që është e veçantë dhe simbolike për Partinë Demokratike të degës së Korçës, 27 dhjetorin që përkon me 35 vjetorin e themelimit të kësaj dege.
Mblidhemi pra sot bashkarisht, siç jemi mbushur të gjithë këtu së bashku në këtë sallë, për të festuar një përvjetor të jashtëzakonshëm, një 35 vjetor në një ditë si kjo kur 22 qytetarë korçarë me guxim dhe vizion, hodhën themelet e një force politike që do të ndryshonte historinë e Shqipërisë.
Ata nuk u bashkuan thjesht kundër diktaturës, por për një ëndërr të madhe, që Shqipëria të bëjë pjesë e Evropës së vlerave, të shtetit të së drejtës, të institucioneve që funksionojnë dhe të qytetarëve dinjitoz.
Ky përvjetor është një moment reflektimi dhe mirënjohje për themeluesit, për çdo demokrat që ka sakrifikuar, por dhe për secilin prej jush dhe ne të gjithëve që sot e mbajmë gjallë këtë flamur. Kjo sakrificë është një dëshmi e forcës dhe vitalitetit tonë, që as përndjekjet dhe as përpjekjet për ta asgjësuar këtë forcë politike nuk e shuan dot.
Ne së bashku kemi kaluar sprova të rënda në këto vite. Kemi parë përpjekje për të na rrëmbyer flamurin, vulën, identitetin, por falë rezistencës dhe sakrificave të jashtëzakonshme, tuajat veçanërisht, sot jemi përsëri këtu si alternativa kryesore për qeverisjen e nesërme të vendit.
Por sot gjithashtu është edhe një moment për të parë realitetin. Pas 12 viteve të një qeverisje të korruptuar dhe të kriminalizuar, mbi 1 milion shqiptarë kanë lënë vendin, ndërsa varfëria dhe padrejtësia i janë bërë pjesë e përditshmërisë. Fermerët janë në pikë të hallit, industria është shuar, të rinjtë nuk gjejnë mbështetje, përveçse nëse bëhen patronazhistë të pushtetit. Sistemi gjyqësor është i kolapsuar, krimi i organizuar ka kapur shtetin, ka kapur zgjedhjet, ka kapur të gjitha institucionet. Ëndrra e themeluesve për një Shqipëri europiane duket sot për fat të keq më e largët se kurrë. E megjithatë, ende sot ka shpresë, dhe kjo shpresë është Partia Demokratike e Shqipërisë.
Ashtu si 35 vite më parë, Partia Demokratike është sot instrumenti i vetëm politik dhe shoqëror që mund ta përmbysë këtë gjendje. Ne nuk mund të rrimë duarkryq edhe të shohim, ndërkohë që vendi zhbëhet. Ne nuk mund të heshtim, ndërkohë që historia na thërret të përmbushim misionin tonë, atë të përmbysjes së neo-diktaturës. Ata që nuk arritën të na zhbëjnë, përkundrazi na bënë më të fortë. Dhe sot ne jemi gati të ofrojmë përsëri shqiptarëve rrugën drejt qytetarisë, drejt zhvillimit ekonomik dhe drejt Evropës së vlerave.
Të dashur miq, ne kemi njohur fitore dhe disfata, ditë të mira dhe ditë të vështira, por sot është koha për të treguar edhe një herë vendosmërinë tonë. Është koha për të thënë që mjaft është mjaft. Është koha për të përmbysur neo-diktaturën dhe për të rikthyer shpresën.
Ky regjim është në ditët e tij më të vështira. Krimi e ka kalbëzuar, korrupsioni e ka zhveshur nga çdo imunitet dhe ndërkombëtarët më në fund po e shohin mbretin lakuriq ashtu siç e shohin përditë të gjithë shqiptarët. Çdo ditë që kalon është një dhimbje shtesë për vendin, prandaj nuk ka më kohë për të humbur. Ne nuk mund të harxhojmë sot asnjë minutë me beteja të kota midis vetes. As me teatre që na serviren për të shpërqëndruar fokusin nga skandalet e jashtëzakonshme të qeverisjes e të banditëve të lidhur ngushtë me qeverisjen.
Ne nuk kemi luksin që të vazhdojmë të jemi akoma karremi i vëmendjes mediatike, duke shërbyer si alibi për të mbuluar çdo skandal të vërtetë. Secili prej nesh sot duhet të ndihet në mision, sepse kjo është beteja jonë e fundit, beteja për të rikthyer dinjitetin e qytetarëve, për të rikthyer shpresën e rinisë, për të rikthyer Shqipërinë në rrugën e saj europiane. Dhe nga kjo betejë ne nuk kthehemi përveçse me fitore.
Gëzuar 35 vjetorin, PD-ja Korçë. Fitore, fitore, fitore!
Gazeta RD