Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në qytetin e Korçës, u shpreh se zv/kryeministrja Belinda Balluku, e cila sipas tij më parë ka punuar si emigrante në Greqi, sot zotëron “qindra apartamente, dy jahte dhe disa biznese”, duke e lidhur këtë me keqpërdorimin e fondeve publike.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po pengon veprimet e drejtësisë dhe se po refuzon heqjen e imunitetit, ndryshe nga ajo që, sipas tij, ka ndodhur në qeverisjet e mëparshme.
“300 apartamente, e shikoni ju. Lubia që mezi siguronte bukën në rrugët e Athinës si babysiter, tani u vjedh shqiptarëve 300 apartamente. Dhe si, na ndërtoje ti këtë rrugë dhe do m’i kthesh në apartamente. Me dy jahte, me 15 supermarkete.
Ai tani na thotë ne nuk ia heq imunitetin, gjykata s’ka ç’i bën, jo po ligji. Një sjellje e tillë nuk ka ndodhur kurrë. Imagjinoni në qeverisjen tonë, e kishim armike prokuroren, Ina Ramën, por s’na shkonte kurrë në mendje që të mos hiqnim imunitetin e deputetit të PD, kurrë, edhe pse ishte armike e egër.
Ndodhi me Ilir Metën, edhe pse ia montuan regjistrimit, po, unë kisha shkresën. Ai dha dorëheqjen. Ajo ishte ndryshe, biznesmeni i thoshte se kishte humbur 700 mijë euro, Rama me atë tjetrin ia montuan sikur i kërkonte Meta ato 700 mijë euro.
Por ai dha dorëheqjen, ai tha se do e faktoj si qytetar i thjeshtë, do shkoj në prokurori. Kurse ky thotë jam kryeministër, do vjedh siç kam vjedhur. Absolutisht do e përmbysim, siç përmbysëm shtatoren e Enver Hoxhës”, tha Berisha.
Gazeta RD