Qytetarët janë konflikuar me policinë mbrëmjen e sotme në Vlorë, pasi po protestojnë për mungesën e ujit. Prej 4 ditësh, qyteti i Vlorës nuk ka pikë uji në banesat apo bizneset e qytetarëve.
Pas disa ditësh pa furnizim me ujë të pijshëm, qindra qytetarë të Vlorës janë ngritur në protestë mbrëmjen e sotme, duke u grumbulluar para Teatrit “Petro Marko”, aty ku Bashkia e Vlorës kishte organizuar një mbrëmje festive gala me rastin e festave të fundvitit.
Të revoltuar nga situata dhe mungesa e zgjidhjes, protestuesit kanë hapur portat e teatrit dhe janë futur brenda sallës, duke e ndërprerë aktivitetin e bashkisë. Gjatë protestës janë dëgjuar thirrje të forta si “Duam ujë” dhe “Poshtë qeveria”, ndërsa qytetarët kërkonin që kryetari i bashkisë të dilte dhe t’i takonte.
Salla e teatrit është pushtuar nga protestuesit, të cilët shprehën hapur indinjatën për faktin se, sipas tyre, ndërkohë që qyteti vuan mungesën e ujit, bashkia organizon festa luksoze.
Protesta vjen në një moment të ndjeshëm për qytetin e Vlorës, ku mungesa e ujit ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te banorët, të cilët kërkojnë zgjidhje konkrete dhe jo justifikime.
Gazeta RD