Nga Franc Nuri
Tre ditë para ndërrimit të viteve, në një akt që më shumë i ngjan panikut politik sesa reformës ligjore, Kryeministri Edi Rama zgjedh të shpallë përmes Ministrit të Drejtësisë Lamallari, idenë një amnistie të re penale, tërësisht të papritur, pa debat publik, pa transparencë, pa projekligj të depozituar në Kuvend, si dhe pa asnjë arsye objektive që ta justifikojë sot. Një amnisti që dukshëm nuk vjen nga nevoja për uljen e numrit të të burgosurve apo paraburgosurve, por nga kriza morale, politike dhe penale e një qeverisjeje të diskredituar totalisht, brenda dhe jashtë vendit.
Shqipëria miratoi një amnisti penale para 1 viti, ndaj sot nuk ka asnjë ngutje që të kërkohet sërish amnisti. Përkundrazi, ka një emergjencë drejtësie të intimiduar, korrupsioni të institucionalizuar në ekzekutiv dhe pushteti të kriminalizuar thuajse në çdo hallkë dhe qelizë. Në këto kushte, çdo amnisti e re penale, sidomos më një vit nga ajo e fundit, nuk është akt human, por akt i rrezikshëm politik, që minon besimin publik dhe dërgon sinjale të gabuara në sistemin e drejtësisë.
Sipas deklarimeve zyrtare, rreth 380 të dënuar do të lirohen menjëherë, ndërsa afro 900 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi, pa llogaritur ata që do të përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale apo masat alternative. Kategoritë përfituese sipas lajmërimit nga rrjetet sociale, thuhet se do përfshijnë të mitur, gra dhe persona të dënuar për vepra me rrezikshmëri të ulët shoqërore.
Por pikërisht këtu nis ndoshta manipulimi i kësaj nisme. Kur një qeveri që ka prodhuar numrin më të madh të zyrtarëve të arrestuar ndonjëherë, atyre të hetuar, të arratisur apo të dënuar në historinë e pluralizmit shqiptar, del sot në kulmin e skandaleve të dosjeve « Balluku » dhe përgjimeve të « Agasit », del dhe flet për « amnisti » sepse gjasme u dhimbsen qytetarët e burgosur, dyshimi nuk është opsion, por detyrim qytetar. Sepse kjo qeveri nuk ka më kredenciale morale për të folur për drejtësi, rehabilitim apo shans të dytë. Sepse kjo qeveri ka burgosur dhe ka marrë në qafë njerëz për pagesën e dritave dhe për ndërtimin e një çatie pa leje në fshat, por nuk pa hotelet, resortet, katet dhe pallatet pa leje apo lekë krimi e narkotrafiku që kanë mbirë kudo nga Veriu në Jug, nga Bregdeti në Kryeqytet.
Është e pamundur të mos lidhet sot kjo nismë me amnistinë fiskale, e cila do përdoret për të pastruar vite të tëra evazioni, fshehjeje pasurish dhe informaliteti, kundrejt pagesave simbolike në Shtet. Sot falen taksat, dje u falën gjobat, tani falen dënimet. Ky nuk është shtet që mund të integrohet në BE, sepse ky është shtet pazari, ku ligji negociohet dhe qepet sipas interesave të pushtetit dhe oligarkëve të tij.
Veçanërisht shqetësuese është përfshirja eksplicite e kategorisë së grave, në një moment kur hetimet e SPAK janë përqendruar pikërisht mbi shumë figura të larta të pushtetit: zëvendëskryeministren Balluku, drejtuese institucionesh qendrore e vendor, si AKSHI, KESH, ARSH, Polici e Shtetit, Kadastra, bashkëshorte të zyrtarëve më të lartë, kryebashkiakë dhe deputetë e ish-deputetë. Hetimet vijojnë me personazhe që lidhen me pasuri të pajustifikuara, afera korruptive, zhdukje fondesh publike dhe lidhje me oligarkinë. Por edhe në nivelin e mesëm drejtues apo bashkëpunëtorëve të tyre, kjo ide amnistie mund t’u shërbejë personave nën hetim apo pas hekurave, si mbrojtje ligjore për të kyçur gojën që të respektojnë kodin e heshtjes, Omerta-n mafioze…
Pretendimi se nga amnistia do të përjashtohen subjektet e hetuara nga SPAK apo të gjykuara nga Gjykata e Posaçme nuk është garanci, por alibi politike. Sa herë tjetër gjë kanë thënë e totalisht tjetër gjë ka synuar kjo Qeveri në këto 13 vite keqqeverisje ?
Amnistia po ashtu nuk funksionon vetëm mbi emra konkretë, por mbi klimën që ajo synon të krijojë: një klimë frike për drejtësinë nga njëra anë, dhe dhënke sigurie për pushtetin. Ligjin e bën pushteti, jo Drejtësia! Ajo i thotë qartë çdo zyrtari: « Mos u shqetëso, shteti do të gjejë mënyrën të nxjerrë nga aty ».
Nga ana tjetër, edhe koha e zgjedhur për këtë nismë nuk është rastësi. Fundviti 2025 shënon një fazë të qartë shpërbërjeje politike të mazhorancës socialiste, ku tashmë flitet hapur për përçarje të brendshme, për lëvizje individuale mbijetese dhe për frikë reale nga hetimet penale apo sanksionet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, idea e amnistisë penale e Ramës, shërben si instrument qetësimi dhe tentativë e dëshpëruar kontrolli politik, për të mbajtur ende shtrënguar radhët e pushtetit, për të frenuar panikun që ka kapur Rilindjen.
Nisur nga sa më sipër, natyrshëm lindin disa pikëpyetje: A po përgatitet Edi Rama për zgjedhje të parakohshme? Apo për një dalje të kontrolluar nga pushteti? Në të dy rastet, amnistia penale shfaqet si monedhë politike, jo si akt drejtësie. Ajo nuk i shërben shoqërisë, por pushtetit të tij që po lëkundet si kurrë më parë.
Drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit nuk ndërtohet me falje dhe amnisti, por me barazi para ligjit. Nuk ndërtohet me ligje sezonale apo me porosi, por me qëndrueshmëri, frikë nga Ligji, ndëshkim dhe përgjegjshmëri. Një shtet që fal vazhdimisht shkelësit e ligjit, ndërsa qytetarët e ndershëm paguajnë çmimin, është shtet që ka humbur kredon morale.
Kjo amnisti penale nuk është shans i dytë për shoqërinë. Është paralajmërim i rrezikshëm për drejtësinë dhe demokracinë. Dhe pyetja mbetet e pashmangshme:
Kë po përgatitet të mbrojë dhe të amnistojë Edi Rama, përpara se të largohet nga pushteti?
Franci Nuri
Drejtues i Departamentit të Drejtësisë në Partinë Demokratike
Gazeta RD