Arlind BAJAJ
Ne mund të ngrihemi!
Me një thirrje të menjëhershme nga qytetarë të thjeshtë të Vlorës dhe me mbështetjen e opozitës, disa dhjetëra qytetarë arritën ta tmerrojnë kryetaren e caktuar nga “Shefi i MADH” dhe personat që qëndrojnë pas tij. Pas disa minutave protestë, qytetarë të Vlorës, burra, gra dhe familjarë arritën të hyjnë në shfaqjen e përgatitur nga kllounët e Bashkisë Vlorë.
Mirëpo, ndryshe nga netët e ditët e tjera kur ka pasur festë e hare dhe kryetarja më pak e votuar e Vlorës ka qenë e para pjesëmarrëse, as nuk tentoi të hynte për shkak të tmerrit që i shkaktuan protestuesit. Teksa të tjerë frikacakë nga populli i tyre u larguan nga dyert e pasme të Teatrit të Vlorës, i vetmi burrë i cili arrinte të qëndronte ishte Sinan Idrizi. E thënë “burrë” me “rr” pasi mundi të rrinte për arsyen e vetme se ishte pajisur mirë me trupëroja nga frika e protestuesve. Mirëpo, protestuesit në asnjë moment nuk u provokuan as nga trupërojat e këtij burracaku, por as nga uniformat e policisë. Kjo, sepse protestuesit nuk ishin aspak të dhunshëm por thjesht të irrituar nga pakënaqësia e madhe e këtij problemi të jashtëzakonshëm në qytetin e Vlorës.
Por protesta nuk u ndal këtu. Pas pezullimit të kësaj nate të turpshme të organizuar nga kryetarja, qytetarët u zhvendosën përballë Teatrit “Petro Marko”, ku u arrit bllokimi i pjesshëm i arteries kryesore të qytetit, bulevardit “Ismail Qemali”. Një tjetër arritje kjo, e protestës qytetare.
Sigurisht që revolta e qytetarëve nuk do të ndalet edhe pse nata e Nënës Parti nuk u realizua, përkundrazi, do të vazhdojë derisa kryetarja të japë zgjidhje për banorët e qytetit. Po ashtu, krahas qytetarëve do të jetë edhe Partia Demokratike, në mbështetje të plotë të qytetarëve deri në minutin e fundit të kësaj revolte.
Gazeta RD