Nikola Kedhi: Nga Vlora te e ardhmja e Shqipërisë, Brain Gain si forcë për fitore sot dhe qeverisje nesër

Të dashur miq,

I nderuar kryetar i Partisë Demokratike, zoti Berisha

Përpara se të nis fjalën time, dua të ndalem te Vlora.
Një qytet ku qytetarët kanë pesë ditë pa ujë.

Shqiptarët – dhe vlonjatët në veçanti – kanë duruar shumë këto dhjetë, dymbëdhjetë vite. Kanë duruar varfëri, padrejtësi, mungesë shprese.
Por ka një gjë që nuk durohet dot: tallja. Përqeshja, arroganca.

Ndërsa qytetarët protestonin për diçka aq elementare sa uji, të zgjedhurit vendorë dhe funksionarët e bashkisë festonin mbrëmje gala, me një arrogancë që flet vetë.

Unë shpresoj që kjo protestë të përhapet edhe në qytete të tjera, secila me kauzat që sot i mundojnë shqiptarët kudo.
Dhe shpresoj që nga Vlora të dalë një mesazh i qartë:
me vlonjatët dhe me shqiptarët nuk mund të tallen.

Ka momente në historinë e një force politike kur ajo duhet të ndalë për një çast, të shohë qartë ku ndodhet dhe të vendosë me maturi se ku po shkon. Unë besoj se Partia Demokratike ndodhet pikërisht në një nga këto momente.

Rëndësia e Brain Gain qëndron në një fakt të thjeshtë, por thelbësor: sot kemi pranë nesh një grup njerëzish nga e gjithë bota, me ekspertizë, profesionalizëm dhe përvojë, të cilët iu gjendën Partisë Demokratike në momentin më të vështirë të saj. Dhe janë ende këtu. Jo nga rrethanat. Por nga bindja. Kjo flet shumë për seriozitetin e këtij angazhimi.

Unë mendoj se Partia Demokratike është në fazën e saj të fundit përballë këtij regjimi dhe kësaj qeverie. Kjo do të thotë se nuk mjafton vetëm rezistenca. Duhet përgatitje. Nuk mjafton vetëm denoncimi. Duhet ndërtim. Dhe mbi të gjitha, duhet të mendojmë që sot jo vetëm se si te mobilizojmë te gjithë kapacitetet e burimet qe kemi ne beteje me narkoshtetin por edhe për qeverisjen e nesërme.

Për këtë arsye, ne kemi menduar që Brain Gain, ne kete mandat te ri, nje nga shtyllat kryesore të ketë një bashkëpunim dhe sinergji shumë më të madhe me grupin parlamentar, me kryesinë dhe me strukturat e Partisë Demokratike, qe natyrisht do duhet diskutuar, menduar dhe rene dakord se bashku me kryetarin e PD Berisha, kryetarin e grupit Parlamentar z. Bardhi. Që burimet të kanalizohen më mirë. Që koordinimi të jetë maksimal. Që secili të ketë hapësirën e vet, rolin e vet dhe përgjegjësinë e vet, dhe që asnjë mund të mos shkojë dëm. PD ne qendër apo ne dege ka nevoje te padiskutueshme per te rinj, por sidomos per nje kontribut te sinqerte, per burime njerezore, per fryme, per ide, per nje menyre ndryshe te te berit te gjerave. Ne betejën parlamentare, jam i bindur se ka vend per propozime, per sugjerime, ne fusha te ndryshme.

Partia Demokratike i ka dhënë këtij vendi qeverisjen më të mirë në historinë e Shqipërisë. Kjo është një trashëgimi politike dhe morale që duhet mbrojtur. Jo për nostalgji, por sepse ajo trashëgimi dëshmon se Shqipëria mund të qeveriset ndryshe: me liri, me vizion dhe me përgjegjësi. Më vjen mirë që ruajtja dhe zhvillimi i kësaj trashëgimie është një nga objektivat e Brain Gain.

Por trashëgimia, nëse nuk përtërihet, venitet. Prandaj duhet të sigurohemi që e djathta shqiptare të ketë një ekip—një elitë të qëndrueshme, solide dhe cilësore—jo vetëm për betejën që kemi sot, por për dekadat që vijnë.

Unë ia kam thënë Doktorit dhe e them me bindje të plotë, jo vetëm si kryetar i PD, por si lideri historik i se djathtës shqiptare: jam i bindur se ai do ta drejtojë këtë proces, ne te gjitha fazat e tij, me autoritetin e padiskutuar qe ka, duke mundësuar hapësira reale për secilin dhe mundësi të drejta për të gjithë. Sepse një parti e fortë nuk është ajo ku të gjithë mendojnë njësoj, por ajo që di të bashkojë energjitë e ndryshme në një drejtim të përbashkët, per te shpëtuar Shqiperine sot, dhe per ti dhene nesër Shqiperise qeverinë qe meriton, me vizion, me aftësi, e patriotizëm.

Ndaj, Brain Gain nuk është një ide e së ardhmes.
Është një domosdoshmëri e së tashmes, për të fituar sot dhe për të qeverisur nesër.

Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Reagimi i gazetares/ Shqipërisë i duhen protesta si ajo e 24 janarit, opozita të mos ndalet

Gazetarja Jonida Shehu, e ftuar në një studio televizive, vlerësoi protestën e fundit të opozitës …