Vendimi/ Rama nuk lejon arrestimin e Ballukut

Franc NURI

Me vendimin e sotëm, datë 29 Dhjetor 2025, Kuvendi i Shqipërisë jo vetëm de facto, por tashmë edhe de jure, është shndërruar në mburojë ndaj arrestimit të Zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe, në mënyrë të turpshme, në avokat mbrojtës të saj.
Kjo është e paprecedentë, e papare dhe e padëgjuar në historinë parlamentare të vendit.

Ajo që po ndodh sot është tallje dhe karshillëk i hapur ndaj drejtësisë, një fyerje brutale ndaj inteligjencës së çdo qytetari që ka dy pare mend për shtetin e së drejtës, Kushtetutën dhe respektin ndaj institucioneve, përfshirë organet e drejtësisë.

Miq, SPAK prej javësh ka vënë nën hetim zyrtarisht Zëvendëskryeministren e Edi Ramës, duke kërkuar pezullimin e saj nga detyra, pikërisht për të shmangur rrezikun e prishjes së provave dhe intimidimit të dëshmitarëve.
Në çdo shtet normal, përballë një vendimi gjykate, rruga do të ishte e qartë: zbatim i vendimit, dorëheqje ose shkarkim, dhe përballje me drejtësinë si çdo qytetar i zakonshëm, pa mburoja politike dhe pa imunitet.

Por jo në Shqipërinë e Ramës.
Pas një mbrojtjeje publike të hapur nga Kryeministri, erdhi një vendim “as mish e as peshk” i Gjykatës Kushtetuese, që “ngriu” pezullimin dhe i hapi rrugë Ballukut të rikthehej në zyrën e shtetit, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Hetimet ndërkohë u thelluan.
Dosjet po plasin dhe po flasin, me prova për abuzime marramendëse dhe skandale të papara më parë.
Dhe SPAK bëri atë që duhej bërë që në fillim: kërkoi arrestimin e Belinda Ballukut.

E këtu ndodhi kthesa hipokrite 180°.
Ata që deri dje betoheshin se “nuk ndërhyjnë në drejtësi”, që u thoshin të tjerëve “merrni avokatë vetë”, që mburreshin se do votonin çdo kërkesë për heqje imuniteti – sot janë shndërruar në mur mbrojtës politik dhe ligjor, duke tejkaluar edhe rolin e avokatit mbrojtës.

Sot Kuvendi u diskreditua plotësisht, duke nxjerrë një vendim absurd dhe qesharak, ku në thelb thuhet:
“Mbledhja do të thirret kur Belinda Balluku të ketë mbaruar leximin e dosjes.”

Pra, kur t’i dojë asaj qejfi.
Pa afat. Pa datë. Pa përgjegjësi.

Atëherë pse nuk dalin dhe ta thonë hapur që REFUZOJNË t’ia heqin imunitetin Belinda Ballukut?
Të paktën, kjo do të ishte më e ndershme.

Kanë qeverisur bashkë.
Kanë bërë gjithçka bashkë.
Dhe bashkë do të bien nga pushteti.

13 vitet e “Rilindjes” shkatërrimtare po shkojnë drejt fundit.

Durim. Këto janë luhatjet e fundit të një regjimi anti-shtet, të ndërtuar mbi mashtrime, abuzime dhe plaçkitje të shqiptarëve.

About Krye Redaktor

Check Also

“Al Jazeera” jehonë revoltës/ Kërkohet largimi i Ramës pas akuzave për korrupsion

Media e fuqishme ndërkombëtare më e madhja në Azi, “Al Jazeera” i ka kushtuar vëmendje …