Dhjetori që lam pas dhe fillimi i një viti të ri!

Nga Rezenbrik Serjani

I.Takimet në rajone dhe analiza e zgjedhjeve të 11 majit, si reflektim drejt të ardhmes:

Javët e dhjetorit të vitit që lamë pas përbën një javë të mirëfilltë politike për Partinë Demokratike Vlorë. Nën drejtimin e deputetit z. Bujar Leskaj dhe kryesisë së degës, PD Vlorë ndërmori një sërë takimesh intensive në bazën demokrate, në themelin e strukturave të saj, duke përfshirë të gjitha rajonet e qytetit si dhe njësitë administrative.

Këto takime dëshmuan politikbërjen më të veçantë dhe më autentike të Partisë Demokratike: politikën me njerëzit dhe aty ku janë njerëzit. Në fokus ishin takimet me strukturat e PD Vlorë, me demokratë aktivë dhe qytetarë të thjeshtë mbështetës të Partisë Demokratike, ku në thelb qëndronte analiza e zgjedhjeve të 11 majit.

Fokusi kryesor i takimeve ishte analiza e detajuar e performancës elektorale, evidentimi i problematikave gjatë procesit zgjedhor, si dhe identifikimi i faktorëve që ndikuan në rezultatin përfundimtar. Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e reflektimit të sinqertë, e nxjerrjes së mësimeve konkrete dhe e hartimit të propozimeve për përmirësimin e funksionimit, organizimit dhe angazhimit të strukturave të PD Vlorë në çdo nivel.

Analiza u zhvillua me sukses në të gjithë territorin e Bashkisë Vlorë, në çdo celulë dhe njësi strukturore të Partisë Demokratike, si në rajonet urbane ashtu edhe në njësitë administrative. Mikpritja e demokrateve ishte mbresëlënëse dhe e sinqertë. Në një frymë bashkëpunimi dhe respekti reciprok, u diskutuan hapur sfidat me të cilat u përball Partia Demokratike në zgjedhjet e 11 majit, duke vendosur theksin tek nevoja për forcim të strukturave dhe rritje të angazhimit politik në terren.

Takimet u shoqëruan edhe nga koordinatori për analizën zgjedhore, z. Aurel Bylykbashi, si dhe nga të gjithë ish-kandidatët për deputetë, sipas rajoneve dhe njësive përkatëse, duke i dhënë procesit të analizës një dimension gjithëpërfshirës dhe serioz politik.

II.Festimi i 35-vjetorit të Partisë Demokratike Dega Vlorë:

Një tjetër moment i zhvillimeve pranë Partisë Demokratike Vlorë ishte kremtimi i 35-vjetorit të themelimit të PD Vlorë, më 28 dhjetor. Mes qindra demokratëve, u celebrua me emocion dhe krenari rrugëtimi 35-vjeçar i Partisë Demokratike, dega Vlorë, si një nga shtyllat historike të pluralizmit politik në Shqipëri.

Gjatë këtij përvjetori të rëndësishëm, u kujtuan sfidat e fillimeve, kontributi i themeluesve, sakrificat e demokratëve ndër vite, si dhe momentet kyçe të historisë së partisë, përfshirë rithemelimin e PD-së në vitin 1997 dhe në vitin 2021. U sollën në kujtesë vitet e fitores dhe qeverisjes së suksesshme 2005–2013, të cilat mbeten një referencë e rëndësishme për Partinë Demokratike dhe për vendin.

Ky përvjetor shërbeu jo vetëm si një moment reflektimi historik, por edhe si një akt zotimi politik. Demokratët e Vlorës lidhën besën për të ecur përpara me vendosmëri, unitet dhe besim drejt fitores mbi të keqen e sektit Rama.

Festimi i 35-vjetorit riafirmoi frymën e rezistencës, të besimit dhe të shpresës, duke dëshmuar se Partia Demokratike Vlorë mbetet e gjallë, aktive dhe e vendosur për të ndërtuar të ardhmen politike të vendit mbi vlera demokratike dhe përfaqësim të ndershëm qytetar.

III. 3 ditët e Protestës së fund-dhjetorit:

Një tjetër moment i rëndësishëm, jo vetëm i fundvitit që lamë pas, ishte protesta tre-ditore kundër mungesës së ujit të pijshëm në qytetin e Vlorës. Kjo protestë shënoi një akt të fortë ndërgjegjësimi qytetar, ku vlonjatët, demokratët, qytetarët protestuan me zemër, me dinjitet dhe me ndjenjë të lartë qytetare për një kauzë të drejtë: mungesën e ujit të pijshëm për më shumë se pesë ditë radhazi në rubinetat e familjeve vlonjate.

Në vijimësi të angazhimit tonë në aktivitetet e Partisë Demokratike, Dega Vlorë, e përmbyllëm vitin 2025 me një sukses politik me domethënie të veçantë, në një kohë të vështirë të karakterizuar nga karshillëku dhe pangopësia e atyre që kanë më shumë se 27 vjet që po e (keq)qeverisin këtë qytet.
Qytetarët vlonjatë, demokratët, u ngritën për të kërkuar një të drejtë elementare, duke hyrë në “çetën” e administratës së qytetit, e cila në mënyrë absurde festonte në Teatrin “Petro Marko”, ndërkohë që qyteti vuante mungesën e një shërbimi jetik.

Ky kontrast i fortë u bë simbol i një qeverisjeje të shkëputur nga realiteti dhe nga hallet e qytetarëve. Për herë të parë, dhjetra të rinj demokratë, sëbashku me qytetarë vlonjatë, arritën të zgjojnë ndërgjegjen e qytetarëve vlonjatë dhe të ushtrojnë presion qytetar mbi një administratë të shurdhër dhe të mbyllur në vetëkënaqësinë e saj.

Falë qëndresës, këmbënguljes dhe solidaritetit qytetar, protesta ia doli të prodhojë rezultat konkret: vetë qeveria u detyrua t’i japë fund mungesës absolute të ujit të pijshëm që kishte paralizuar qytetin prej ditësh. Një fitore e pastër qytetare, me peshë të madhe morale dhe politike.

Kjo protestë dëshmoi se kur qytetarët bashkohen rreth një kauze të drejtë, edhe pushteti më arrogant detyrohet të tërhiqet. Ishte një mesazh i qartë se Vlora nuk hesht, nuk dorëzohet dhe nuk pranon të trajtohet me përbuzje.

Mirënjohje për çdo të ri, demokrat dhe qytetar vlonjat që e gjeti veten në rrugëtimin tonë të dhjetorit, ku jo vetëm mesazhet ishin të forta dhe thellësisht qytetare, por ku u dëshmua se ajo që arrijmë të prodhojmë së bashku është gjithmonë shumë herë më e madhe, më e pastër, më e drejtë se “mazhoranca” mjerane që kemi përballë, të cilët janë të zhytur në llumin e pangopësisë dhe korrupsionit.

Mirënjohje Deputetit Bujar Leskaj, si mbështetës i çdo nisme të Partisë Demokratike Vlorë dhe Selenicë, dhe në veçanti mbështetës e mik i rrallë i të rinjve demokratë.

Uroj që ky vit të jetë viti i demokratëve, viti i vlonjatëve dhe viti i shqiptarëve. Le të ecim të sigurt, të fortë dhe me integritet drejt një viti të ri, me sfida dhe beteja, por me vendosmërinë për të vijuar luftën kundër së keqes deri në fitore.

Rroftë Vlora!
Rrofshin Demokratët Vlonjatë !

About Redaksia

Check Also

Këlliçi: Dhuna e Ramës është shenja e fundit e një narkoshteti në rënie! Ne nuk trembemi!

Deputeti i PD, Belind Këlliçi duke folur në ‘Foltoren’ tek kryeministria theksoi rolin historik të …