Vlonjatët për 6 ditë me radhë mbetën pa ujë, PD Vlorë: Prokuroria të vijojë me intensitet hetimet!

Deklaratë e PD Vlorë nga Sekretari Funksional për marrëdhëniet me publikun, z.Rezenbrik Serjani

Fundviti që lamë pas do të mbahet mend në historinë e Vlorës si një nga periudhat më të errëta për qytetin, për shkak të ndërprerjes së plotë të furnizimit me ujë të pijshëm. Vlora dhe vlonjatët, për gjashtë ditë me radhë, mbetën pa asnjë pikë ujë, në mes të dimrit, pa asnjë zgjidhje dhe pa asnjë përgjegjësi të marrë nga institucionet përkatëse.

Nga ana e Ujësjellësit, organeve dhe institucioneve drejtpërdrejt përgjegjëse, por edhe nga ana e kryetares së Bashkisë Vlorë, u dhanë justifikime qesharake dhe fyese për qytetarët. Me arrogancë u pretendua se defekti erdhi si pasojë e kushteve natyrore, ndërkohë që kryetarja e bashkisë u shpreh se ishte e sapozgjedhur dhe “nuk kishte haber” për këto punë. Këto justifikime janë butaforike dhe të papranueshme për ata që pretendojnë të menaxhojnë qytetin.

Për të mos u harruar është edhe karshillëku i hapur ndaj vlonjatëve, me organizimin e një mbrëmjeje gala me pompozitet nga Bashkia, nga “Maria Antonetat e Vlorës dhe Tiranës”, në një kohë kur qyteti ishte pa ujë dhe qytetarët përballeshin me një krizë jetike.

Sot jam këtu, në emër të Partisë Demokratike Vlorë, për të rishprehur mirënjohjen për çdo protestues dhe qytetar vlonjat që u bë pjesë e protestave të funddhjetorit. Këto ishin protesta tërësisht qytetare, mbi një kauzë të drejtë dhe jetike, pavarësisht përpjekjeve të lubive të korrupsionit për t’i deformuar dhe për t’i paraqitur si protesta me karakter politik.

Gjithashtu, në emër të Partisë Demokratike Vlorë, i bëjmë thirrje Prokurorisë që të vijojë me intensitet hetimet, pasi vendi ku ndodhi defekti i tubacionit kryesor të furnizimit me ujë nuk kishte faktorë natyrorë, ashtu siç pretendohet, por faktorë të tjerë për të cilët duhet të hetohet seriozisht.

Urojmë dhe shpresojmë që gjashtë ditët e mosfurnizimit me ujë për mbi 100 mijë banorë të Vlorës të mos kenë ardhur si pasojë e orekseve të individëve të lidhur me Partinë Socialiste për kulla, pallate dhe ndërtime.

Jemi në pritje të raportit përfundimtar të Prokurorisë, e cila në këtë proces duhet të tregojë pavarësi, paanshmëri dhe transparencë, për të hedhur dritë mbi të vërtetën.

Ajo që ndodhi në Vlorë përmbush të gjitha kushtet për t’u quajtur një skenë krimi.

About Redaksia

Check Also

Berisha-Ramës: Ti që fshihesh pas Lubisë nuk ke shpëtim, bashkë me Ballukun do të arrestoheni!

Kryetari i PD, Sali Berisha në fjalën e tij nga Foltorja para kryeministrisë tha se, …