35 vjetori i RD, një rast i mirë për të sensibilizuar njerëzit e dritës…
Redaksia
January 6, 2026
Editorial
49 Views
35 VJETORI I RD-ës, NJË RAST I MIRË, PËR TË SENSIBILIZUAR NJERËZIT E DRITËS, QË TË RIKTHEJNË BESIMIN TEK FJALA DHE MENDIMI I LIRË


Dje u shënua 35 vjetori i daljes së numrit të parë të gazetës “Rilindja Demokratike”, organ zyrtar i Partisë Demokratike, e lindur në Dhjetorin historik të brezit studentor të 90-ës.

Gazetë e cila për fatin e keq të saj s’mundi kurrë të bëhet një organ shtypi vërtetë e pavarur dhe e lirë, edhe pse herë pas herë, ndër vite, u përpoq të ishte e tillë.

E megjithatë, 5 Janari i vitit 1991, për ata që ishin burgosur për fjalën, për ata që ishin pushkatuar për shprehjen e bindjeve dhe opinioneve të tyre, për ata që aspironin dhe luftuan për lirinë e fjalës dhe të shtypit të lirë do të mbetet një ditë e paharruar, një datë e jashtëzakonshme, një kujtim i çmuar në rruzaren e jetës së tyre.

Kush mund ta blinte atë ditë një gazetë RD, ishte hero, atij i dukej vetja sikur ka zotëruar një copë prej “Lëkurës së Shagrenit” romanit të famshëm të Balzakut.

RD-ja e 5 Janarit ishte si një hajmali, apo talisman për ata qindra e mijëra njerëz që ju kishte munguar fjala e lirë, shtypi dhe informimi i lirë.

Vitet e shkuara ky përvjetor është festuar nëpër salla hotelesh luksoze, ndërsa mramë u përkujtua në Bulevardin ” Dëshmorët e Kombit”, pikërisht në “FOLTOREN” që Partia Demokratike prej disa javësh e mban çdo të hënë, në ora 18.00 para selisë së kryeministrisë.

Mramë nuk ishte festë për RD-në, ishte më shumë një përkujtimore.

Mramë nuk trokiti kush gota verë apo shampanje, thjeshtë ngushëlluam njëri tjetrin për vdekjen e fjalës së lirë dhe kontrollin e saj.

Mramë në podium nuk foli as Frroku, as Preçi, as Blendi
and.co, mramë folën rishtaz ata që janë burgosur për fjalën e lirë në diktatura.

Pas 35 vitesh fjala e lirë për fatin tonë të keq është shurdhuar, atë nuk e dëgjon më askush.

Ajo e ka humbur vlerën e saj fundamentale, duke u thënë në mënyrë të përsëritur prej gojëve të palara, prej gojëve të helmuara, prej gojëve që e kanë shpërdoruar atë.

Përvjetori i mramshëm i RD-së në shesh në kuadër të “Foltores” ishte i vagullt, i zbehtë, i përvajshëm, të njëjtit njerëz, të njëjtit folës.

Foltorja kur nuk ka kush i flet shndrrohet në fjetore. Njëlloj si kur i bie fyellit në të njëjtën vrimë, i cili nuk prodhon më ata tingujt e mrekullueshmëm baritor, por thjeshtë prodhon një gërvishje të përzishme monotone.

Kur fjala nuk frymëzon të lodh, të mërzitë, të kthehet në bumerang.

Pas 35 vitesh shqiptarët janë të zhgënjyer nga fjalët boshe, nga premtimet pompoze.

Fjala e lirë s’ka më peshë, pasi prej kohësh pronar të zëshëm të saj janë bërë mashtruesit, manipulatorët, trafikantët.

Shtypi dhe media e lirë ka mbetur iluzion e atyre pak njerëzve të lirë që i kanë tepruar Atdheut.

Shtypi&Mediat sot kontrollohen jo vetëm nga “partia” si në motet e largëta të para vitit ’91, por ai sot zotërohet dhe kontrollohet nga trekëndëshi “partia”- “biznesi i partisë” dhe “banditët e partis shtet”.

Beteja për të rikthyer peshën e fjalës dhe të mendimit të lirë është sfida më e madhe që shqiptarët kanë sot para vetës së tyre.

Unë i përkas asaj pakice që akoma vazhdoj të besoj që mund t’ja dalim ta rikthejmë fuqinë e fjalës dhe mendimit të lirë, edhe pse e di, që i flas një komuniteti të ftohtë dhe pesimist.

Jam i bindur që kërkohet sakrificë dhe mund i jashtëzakonshëm, por gjithashtu e di që pa peshën e fjalës së lirë, nuk mund të fitohet kurrë besimi i qytetarëve.

Siç e kam bindje të thellë që pa besim s’ka veprim, dhe pa veprim nuk mund të vijë kurrë ndryshimi.

Ai ndryshim që qytetarët shqiptar e kërkojnë dhe e artikulojnë çdo ditë nëpër të vetmet “skuta” ku akoma s’kanë mundur të vëndosin kontroll të plotë vrasësit e fjalës dhe mendimit të lirë, “skuta” që janë rrjetet sociale “fb”, “x” etj.

Për mbyllje të këtij shënimi dua të theksoj që 35 vjetori i RD-ës është një rast i mirë për të sensibilizuar njerëzit e dritës, që të rikthejnë besimin tek fjala dhe mendimi i lirë.